Narrativa serbe për Kosovën në OKB: nga kontestimi i akreditimit tek takimet diplomatike

Published on:

Foto: OKB

Sesioni i 80-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork këtë vit u shoqërua me një valë narrativesh dhe pretendimesh të zyrtarëve serbë, përmes të cilave u synua të delegjitimohen përfaqësuesit e Kosovës duke krijuar konfuzion mbi praninë e tyre.

Ndërsa bota ishte e fokusuar në temat globale të sigurisë, zhvillimit dhe bashkëpunimit multilateral, Beogradi zgjodhi që vëmendjen ta përqendrojë edhe tek Kosova, duke nisur nga fjalimi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme, ku tha mes tjerash se “Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë”.

Një prej spekulimeve të para nisi me pretendimin e ministrit të jashtëm serb, Marko Gjuriq, se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte futur fshehurazi në selinë e OKB-së me leje të një delegacioni tjetër. Presidenti serb Vuçiç shkoi një hap më tej, duke e krahasuar praninë e Osmanit me atë një “turisteje” në ndërtesën e OKB-së.

Por zyrtarë të presidencës e sqaruan se Vjosa Osmani nuk ka hyrë fshehurazi në OKB nga ndonjë vend tjetër, dhe as nuk ka hyrë si “turiste”, porse ajo është akredituar në përputhje me procedurat standarde të OKB-s, ashtu si çdo kryetar tjetër shteti. Po ashtu presidentja Osmani zhvilloi takime biletare me liderë të shteteve të tjera, takime multilaterale dhe ishte pjesë e pritjeve të organizuara nga zyrtarë të SHBA-së.

 

Gjuriq në takimin e përbashkët me Kallasin ku ishte edhe Osmani

 

Ironia ishte se megjithw kontestimin e Osmanit, vetë Gjuriq u pa në të njëjtën hapësirë të OKB-së me presidenten e Kosovws, gjatë takimeve me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kaja Kallas dhe ish-emisarin amerikan për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell. Pra, pretendimi për “hyrje të paligjshme” dhe për turizën u demantua kur takimet dëshmuan se të dy përfaqësuesit ndodheshin në të njëjtat tryeza ndërkombëtare.

Takimi i Kallas me përfaqësues të Ballkanit Perëndimor

Takimi i Kallas me përfaqësues të Ballkanit Perëndimor

Për takimin e Grenellit me përfaqësues të Ballkanit u keqinformua edhe nga mediat në Kosovë. Fillimisht ato raportuan se përfaqësues të Kosovës nuk ishin ftuar, duke iu referuar një postimi të ministres së jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali ku nuk shihej përfaqësuesi nga Kosova. Por të tjera media më pas publikuan fotografinë e tryezës ku shihej presidentja Vjosa Osmani. Për këtë takim, njoftim nuk lëshoi as presidenca, zyrtarë të së cilës më pas deklaruan se Presidentja e Kosovës iu bashkua diskutimit në pjesën e dytë të takimit, për shkak të angazhimeve të tjera bilaterale.
Në takim secili shtet ka prezantuar potencialin e vet ekonomik si mundësi për bashkëpunim me administratën Trump. Nuk ka pasur diskutime politike”, tha Bekim Kupina, këshilltar për media i Osmanit.

 

Intervista që nxiti polemika

Reagime të palës serbe nxiti edhe një intervistë e presidentes Vjosa Osmani në Fox News, në margjinat të samitit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Shkak u bënë deklaratat se ka qenë afër përshkallëzimi i tensioneve me Serbinë. Osmani e përmendi sulmin terrorist të para dy viteve në Banjskë të Zveçanit, ku një polic mbeti i vrarë e një tjetër ishte plagosur nga grupi i armatosur që udhehiqej nga ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Raoiçiq.

Osmani falënderoi ish-presidentin Donald Trump për politikën e tij të paqes përmes fuqisë duke thënë se pikërisht kjo qasje e ka ndihmuar Kosovën të parandalojë tensionet përfshirë edhe një përpjekje për përshkallëzim kohët e fundit. “Majin e kaluar ka pasur një tjetër përpjekje për shpërthim (nëse mund ta quaj kështu) dhe kjo Administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për mbrojtje nga eksalimi,” theksoi Osmani. Marko Gjuriq, ministër i Jashtëm i Serbisë, shkroi në X se Osmani “po përhapte të pavërteta” dhe se pretendimi për një plan sulmi serb ishte demaskuar më parë edhe nga Richard Grenell, ish i dërguari special i administratës Trump për dialogun Kosovë–Serbi. Në të njëjtin postim, Gjuriq shkoi më tej, duke pretenduar se deklaratat e Osmanit “në kundërshtim me politikat e Trumpit” janë pikërisht arsyeja pse administrata amerikane e ka pezulluar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën.

Por faktet flasin ndryshe. Pezullimi i dialogut strategjik ndodhi më 12 shtator 2025, dhjetë ditë para se Osmani të fliste në Fox News. Në atë kohë, Ambasada e SHBA në Prishtinë njoftoi se vendimi erdhi si pasojë e “veprimeve të qeverisë në detyrë” që kanë rritur tensionet dhe jo stabilitetin, “duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

Richard Grenell kishte akuzuar presidenten kosovare për manipulim të fjalëve të Trump lidhur me konfliktet potenciale që ai ka ndalur, përfshirë atë Kosovë-Serbi.

Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij për paqe dhe normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë më 2019 dhe 2020 përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit në Zyrën Ovale. Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Pretendimi që ka pasur diçka të re është absurde”, kishte shkruar Grenell.

Por vetë Trump e ka përmendur Kosovën dhe Serbinë në disa raste në javët e fundit, duke thënë se ka parandaluar një konflikt mes tyre, pa ofruar hollësi për periudhën kohore.

Serbia, e dini, po përgatitej për luftë, me një grup që as nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi. Ne arritëm ta parandalonim, por kam një mik në Serbi që tha se do të shkojë përsëri në luftë. Nuk do të them se është Kosova, por është Kosova. Ata po përgatiteshin për një luftë serioze, ne e parandaluam”, ka deklaruar Trump më 29 qershor.

 

Trumpi e përmendi sërish Kosovën dhe Serbinë

Edhe në fjalimin e mbajtur në OKB, ku Trump u mburr me përpjekjet e tij diplomatike, përmendi shtatë raste ku, sipas tij, ka ndalur luftëra ose ka zgjidhur tensione: “Kamboxhia dhe Tajlanda, Kosova dhe Serbia, Kongo dhe Ruanda, Pakistani dhe India, Izraeli dhe Irani, Egjipti dhe Etiopia, si dhe Armenia dhe Azerbajxhani”.

Pvarësisht dialogut të Brukselit dhe Marrëveshjeve të arritura që mes tjerash kërkojnë të mos paraqiten pengesa për Kosovën në organizata ndërkombëtare, Serbia vazhdon ta bëjë të kundërtën. Zhvillimet në sesionin e fundit në OKB dëshmojnë se si Beogradi tenton ta zbehë praninë ndërkombëtare të Kosovës, duke ushqyer narrativa dezinformuese.

Duke shpërndarë pretendime që nga planet e supozuara për “dëbimin e serbëve” deri tek “ndëshkimi nga SHBA-ja për shkak ta politikave anti-Trump”, Beogradi synon të ngatërrojë opinionin ndërkombëtar dhe të hedhë dyshime mbi orientimin strategjik të Kosovës.

 

*This article is published as part of the Western Balkans Regional Initiative against disinformation. “Western Balkans Anti-Disinformation Hub: exposing malign influences through watchdog journalism.”