Analizë/Ballkani i Hapur nuk është projekt pro-rus, por rreziqet nuk mungojnë

Published on:

Që në fillimet e iniciativës të pagëzuar si “Ballkani i Hapur”, kjo nismë është parë me mosbesim nga analistë dhe politikanë shqiptar, sidomos ata të opozitës. Por me shpërthimin e luftës në Ukrainë, mosbesimi ndaj kësaj iniciative është rritur duke e atashuar atë si një projekt pro-rus. Ekspertët pranojnë për Faktoje se edhe pse nuk ka asnjë provë që “Ballkani i Hapur” të jetë një projekt pro-rus, kjo nuk do të thotë se Rusia nuk mund të përfitojë prej tij.

Barbara Halla

Që në fillimet e iniciativës të pagëzuar si “Ballkani i Hapur”, kjo nismë midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut është parë me mosbesim nga analistë dhe politikanë shqiptar, sidomos ata të opozitës. Skepticizmi ndaj Ballkanit të Hapur bazohet kryesisht në tre shqetësime kryesore: 1) se një aleancë ekonomike dhe diplomatike me Serbinë do të ketë ndikim negativ mbi statusin e Kosovës; 2) heqja e kufinjve mund të ndihmojë në krijimin e Serbisë së madhe; dhe 3) duke marrë në konsideratë pozicionin e Serbisë si aleati i Rusisë, Ballkani i Hapur do të rriste ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

BurimSyri.net

Me shpërthimin e luftës në Ukrainë, mosbesimi ndaj iniciativës është rritur, sidomos ndërsa Serbia vazhdon të refuzojë të vendosë sanksione kundër Rusisë, dhe për më tepër ka thelluar bashkpunimin në sektorin ekonomik dhe ushtarak. Në këto kushte, portalet dhe mediat shqiptare e kanë portretizuar “Ballkanin e Hapur” si një iniciativë që i shërbenë vetëm projektit shovinist të Serbisë së Madhe, ose më shpesh—si një ide e lindur në Beograd dhe Moskë, dhe Ramën si një marionetë në duart e një pushteti më të fuqishëm sesa ai vetë.

BurimLapsi

Si në shembullin e mësipërm, në shumicën e rasteve, burimi për këtë perspektivë ka qenë lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Përmes faqes së tij në Facebook, Berisha nuk ka hezituar të përhapë teori mbi Ballkanin e Hapur, si një aleancë pro-ruse dhe kundër Bashkimit Europian, apo si një projekt i mbështetur nga miliarderi George Soros.

BurimFacebook/Sali Berisha

BurimFacebook/Sali Berisha

Argumenti se “Ballkani i Hapur” është një iniciativë pro-ruse arriti kulmin e tij në fillim të qershorit, ndërsa liderët e tre vendeve pjesëmarrëse dhe të ftuarit e tyre morën pjesë në samitin e Ohërit. Datat e samitit përkuan me një tjetër lajm të bujshëm: vizitën e munguar të ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov në Beograd. Pasi Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e mbyllën haspirën e tyre ajrore ndaj avionëve ruse, Lavrovit ju desh të anullonte rrugëtimin drejt Serbisë. Në reagimin e tij për mediat ruse, ministri i jashtëm thumboi NATO-n dhe Bashkimin Europian duke thënë:

“Natyrisht ata që i manovrojnë gjërat në Bruksel nuk e donin këtë, ata nuk donin që ne të shprehnim mbështetjen tonë për Beogradin, ndër të tjera, dhe projektin e Ballkanit të Hapur. Tani është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE-ja duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur.”

Pas deklaratës së Lavrovit, reagimi qe i menjëhershëm në Shqipëri. Në Facebook, Sali Berisha shkroi se vizita e Lavrovit në Beograd ishte organizuar që ai të mund të merrte pjesë dhe në samitin e organizuar për Ballkanin e Hapur  në Ohër. Ndërkohë, mediat shqiptare e morën fjalimin e Lavrov si fakt të kryer dhe duke e prezantuar këtë iniciativë si pro-ruse apo një ide të Beogradit për të shkaktuar trazira në rajon.

BurimLapsi

BurimDosja

Pavarësisht deklaratave të Lavrovit, kjo është hera e parë që një zyrtar rus përmend haptazi nismën e Ballkanit të Hapur. Në një studim nga Qendra për Demokraci dhe të Drejtat Njerëzore (CEDEM) në Mal të Zi mbi mënyrën sesi Rusia ndikon në hapësirat digjiitale të Ballkanit, hulumtuesit zbuluan se asnjë portal ose media nuk e përmend Ballkanin e Hapur. Edhe një kërkim i thjeshtë i mediave kryesore ruse si Sputink, apo Russia Today nuk tregojnë asnjë rezultat mbi këtë temë. Vetëm faqja në serbisht e Sputnik e ka ndjekur nga afër dhe mbuluar iniciativën me nota pozitive apo neutrale.

Ballkani i Hapur dhe ata që e mbështesin

Rama i ka mohuar pretendimet se Ballkani i Hapur është një projekt i krijuar nga Rusia. Në një intervistë me Ilva Tare për Euroneës Albania, në vitin 2021 ai është shprehur se nisma e Ballkanit të Hapur është frymëzuar nga një ide e ish-kryeministrit socialist Fatos Nano. Edhe Vuçic i ka rrëzuar këto pretendime duke e konsideruar Ballkanin e Hapur një produket të bashkpunimit rajonal, duke thënë:

“Nuk ishte ide e ndonjë tjetri, ishte ide e jona krijimi i Open Balkan. Donim të nisnim të kujdeseshim për veten tonë, të kujdeseshim për fqinjin. Dëgjuam dikë që thoshte se ishte ide e Orban. Ishte këtu sot Orban. I ka folur njeri Orbanit për këtë? Një tjetër thotë ishte ide e Putin? Unë s’kam folur kurrë me Putin për këtë gjë.”

Për më tepër, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Christopher Hill, i ka refuzar deklaratat e Lavrov duke thënë se ato ishin sarkastike.

BurimABC News

Në kohët e fundit, Ballkani i Hapur ka marrur mbështetje të gjerë nga përfaqësues të SHBA, duke përfshirë të dërguar e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Escobar ka thënë se SHBA e mbështet nisëm “përderisa ai përqendrohet tek integrimi europian dhe nëse mbetet i hapur për të gjitha shtetet”. Ai ka shtuar po ashtu se Ballkani i Hapur duhet të mbetet një nisëm me natyrë vetëm ekonomike.

Sipas Kurt Bassuener, themeluesit të think tank-ut Democratization Policy Council, nuk është për t’u habitur që SHBA e mbështet Ballkanin e Hapur, duke marrë parasysh se nisma është bazuar mbi idenë se “një integrim ekonomik rajonal që i paraprin antarësimit në Bashkimi Europian mund të ketë avantazhe të shumta për qytetaraët e nismës.” Bassuener argumenton se politika e jashtme e SHBA ka një qëndrim tejet pozitiv ndaj tregut të lirë, heqjes së barrierave ekonomike, dhe është bazuar në teorinë së bashkpunimi ekonomik mund të ushqej marrëdhnie të mira mes fqinjësh dhe të zbus mosmarrëveshjet politike.

Në fakt, nisma rajonale e Ballkanit të Hapur (apo siç u pagëzuar në 2019, Mini-Schengen) nisi si pasojë e ngërçit brenda Bashkimit Europian. “Derisa BE-ja të vendos, ne duhet të gjejmë mënyrën për të vazhduar procesin e europianizimit,” tha Zaev në 2019, por vetëm pak ditë më parë Bashkimi Evropian hapi negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në parim, Ballkani i Hapur ka një karakter tërësisht ekonomik dhe i vë theksin tregtisë së lirë. Themeluesit e saj duan të krijojnë një treg të përbashkët midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke ndjekur shembullin e tregut të përbashkët Europian. Si e tillë, ajo do të bazohet në katër liritë bazë: pra lëvizja e lirë e të mirave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Këtë pikëpamje e ka shprehur edhe Komisioneri i BE për zgjerimin në një fjalim që ai mbajti si i ftuar në samitin e Ohrit.

“Për sa kohë që kjo [nisëm] bazohet në përshpejtimin e përshtatjes me rregullat dhe normat e BE-së – pra bazohet në katër liritë që ju po bëni gjithsesi për shkak të aspiratave tuaja për t’u bërë Shtet Anëtar i BE-së – tashmë mund të filloni të korrni përfitimet rajonale,” tha ai.

Në vitet e fundit, të tre palët që për momentin përbëjnë Ballkanin e Hapur kanë vazhduar me takime periodike dhe kanë firmosur marrëveshje dhe memorandume të shumta, edhe përse rezultatet kanë qenë të mëdyshta. Por, më tepër sesa përfitimet apo humbjet ekonomike, nisma vazhdon të humbasi nën kritikat se si projekt, po ndihmonë kryesisht Serbinë, dhe aleatin e saj, Rusinë.

Një projekt pro-rus?

Frika se Ballkani i Hapur mund t’i shërbejë ambicieve më të errëta të Serbisë dhe Rusisë nuk ndahen vetëm nga Berisha, apo portale shqiptare. Ekspertë të sigurisë dhe Ballkanit Perëndimor kanë shprehur dyshimet e tyre mbi projektin, sidomos duke marrë parasysh marrëdhëniet e afërta që Serbia ka me Rusinë.

Duke folur për Faktoje, Toby Vogel, një hulumtues dhe gazetar që punon mbi Ballkanin Perëndimor, sqaroi se figura si Vuçiç kanë vullnet të lirë dhe, edhe përse veprojnë shpesh në të mirë të Rusisë, ato nuk janë marioneta. Ato veprojnë me dëshirën e tyre të plotë dhe për interesat e veta personale, që lidhen me intersa kombëtare. Përsa i përket Ballkanit të Hapur, Vogel mohon idenë se është një krijim i Moksës por thotë se “jo çdo gjë që ndodh në Ballkan dhe ka avantazhe për Rusinë, është orkestuar nga Rusia vetë.”

E thënë thjeshtë, nuk ka asnjë provë që Ballkani i Hapur të jetë një projekt rus, megjithatë kjo nuk do të thotë se Rusia (ose edhe Serbia) nuk mund të përfitoi prej tij.

“Unë mendoj se Ballkani i Hapur është një vektor potencial për ndikimin rus në Ballkan përmes përfaqësuesit të tij Vuçiç. Dhe unë mendoj se Rusia ka një interes që të zhvillohet Ballkani i Hapur. Por duket se ata janë mjaft të zgjuar për të mos e treguar këtë shumë hapur. Por nuk dyshoj se Rusia kërkon shumë vektor për të përforcuar ndikimin e saj në rajon,” Vogel shtoi, duke thënë se Kosova sidomos ka arsye të jetë e shqetësuar, duke marrë parasysh edhe ambicjet e shprehura nga Ministri i Brendshëm i Serbisë për një Serbi të bashkuar.

Edward P. Joseph, një Senior Fellow për “Johns Hopkins University School of Advanced International Studies” shkruan po ashtu se Ballkani i Hapur—edhe pa ndikimin e drejtpërdrejtë të Rusisë—përfaqëson një fitore për Serbinë dhe Rusinë pasi shkakton trazira dhe armiqësira në rajon. Mjafton të shihet sesi qasja e Albin Kurtit dhe Edi Ramës ndaj kësaj nisme ka ftohur edhe më tej marrëdhniet e brishta mes të dyve, duke krisur një nga aleancat natyrale të shqiptarëve në rajon.

“Me kalimin e kohës, një regjim tregtar tërësisht jashtë kornizës së BE-së do t’i hapi rrugë nacionalizmin serb nën Vuçiç i fokusuar tërësisht në ruajtjen e status quo-së mbi Kosovën,” thotë Joseph. “Në fund, Ballkani i Hapur i ofron Aleksandër Vuçiçit mundësinë për të kryer iluzionin e stabilitetit bashkëpunues në Ballkan duke ndërtuar kushtet për destabilitet.”

Edhe Bassuener nuk beson se një marrëveshje ekonomike do të mjaftojë për të zbutur tensionet në rajon. Përkundrazi, sipas Bassauener pozicioni i mbifuqishëm i Serbisë—si aleate e Rusisë dhe ekonomia më e fuqishme në rajon—do të sjellë trazira të mëtejshme.

“Vuçic e sheh [Ballkanin e Hapur] si një projekt që shumëfishon ambiciet e tij…Nisma nuk do të bëjë asgjë…për ta detyruar Serbinë të miratojë standardet e BE-së për praktikat demokratike, lirinë e medias dhe sundimin e ligjit, as të kufizojë rolin e saj destabilizues rajonal,” shkruan ai.

Ekspertët që kritikojnë Ballkanin e Hapur duket se janë parimisht dakord me qëndrimin e qeverisë së Kosovës, sipas të cilës të gjitha avantazhet e Ballkanit të Hapur mund të arrihen përmes Procesit të Berlinit, i cili zhvillohen nën umbrellën mbrojtëse të Bashkimit Europian—sidomos për Kosovën.

Si përfundim, Ballkani i Hapur është një nismë e krijuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut për të nxitur bashkpunimin rajonal. Dhe nuk ka prova që të jetë një projekt i ideuar nga Beogradi, apo Moska për të mirën e krahut pro-Rus ne Ballkan. Megjithatë, pabarazitë ekonomike dhe politike midis pjestarëve, mungesa e çfarëdo mbikqyreje ndërkombëtare, dhe sidomos aleanca e Serbisë me Rusinë sjellin edhe ato rreziqet e veta, sidomos për vende si Kosova apo edhe Bosnja.