Dua Lipa dhe Vjosa Osmani. Foto nga profili i presidentes Osmani në Facebook
Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare , Dua Lipa, mori nënshtetësinë e Kosovës në një ceremoni zyrtare të organizuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Ky veprim u shoqërua me entuziazëm të madh në Kosovë në prag të mbajtjes së edicionit të sivjetmë të festivalit “Sunny Hill”, organizuar nga familja e saj. Por në mediat dhe tabloidet në Serbi, Dua Lipa u bë objekt i sulmeve të ashpra dhe komenteve fyese e seksiste duke e cilësuar atë projekt të rrezikshëm që promovon shtetin e Kosovës.
Dekreti presidencial
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 31 korrik ia dorëzoi Dua Lipës dekretin presidencial me nënshtetësinë e Kosovës.
“Nder i veçantë që sot, me dekret presidencial, t’ia jap shtetësinë e Republikës së Kosovës, Dua Lipës, një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë. Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit”, ka thënë Osmani.
Në ceremoninë e organizuar nga presidenca, Dua Lipa u prit nga një grup fëmijësh të veshur me të bardha duke kënduar hitin e saj nga viti 2020, “Levitating”.
“Ndihem shumë mirënjohëse që më është dhënë shtetësia e Kosovës nga presidentja jonë Vjosa Osmani”, tha Lipa.

Këngëtarja Dua Lipa në ceremoninë e marrjes së nënshtetësisë (Foto: Presidenca)
Mediat në Serbi me narrativa fyese
Ndërsa ngjarja u mbështet dhe u promovua në Kosovë e jashtë saj, mediat pro-qeveritare në Serbi shpërthyen me një valë narrativesh fyese, nënçmuese dhe dezinformuese të mbushura me gjuhë urrejtjeje.
Në mesin e tyre, portali “Alo.rs” publikoi seri artikujsh, njëri me titullin: “ZNAČI SADA JE SRPKINJA? NE HVALA, PREVIŠE JE JADNA DA BI BILA NAŠA” Usijale se mreže nakon što je Dua Lipa dobila državljanstvo lažne države (“PRA AJO TANI ËSHTË SERBE? JO FALEMINDERIT, AJO ËSHTË SHUMË E VARFËR PËR TË QENË E JONA” Rrjetet vluan pasi Dua Lipa mori shtetësinë e një vendi të rremë”). Artikulli publikoi komentet e rrjeteve sociale për të ironizuar se kinse Dua Lipa nuk është e denjë për të qenë serbe dhe se ajo i është bashkuar një shteti që nuk ekziston, duke e përkufizuar në mënyrë të vazhdueshme Kosovën si “entitet të rremë”.

Propaganda kundër Dua Lipës
Në artikullin tjetër i njëjti medium përdori fjali seksiste dhe nënçmuese për trupin e artistes. Kjo qasje është pjesë e një modeli të vazhdueshëm që synon mohimin e realitetit të shtetësisë së Kosovës, qoftë përmes personazheve të njohura apo përmes proceseve të rëndësishme politike.
Kjo narrativë është përpjekje për të diskredituar identitetin e Kosovës dhe gjithë ata që identifikohen me të. Në këtë rast, përdorimi i emrit të Dua Lipës, një figurë botërore që përfaqëson kulturën e suksesin edhe të shqiptarëve në skenën globale, u shndërrua në mjet për të demonizuar gjithçka që ka lidhje me Kosovën.
Një artikull i botuar në “Telegraf.rs” mban titullin: “Sloba Radanović brutalan nakon što je Dua Lipa dobila državljanstvo lažne države: “Ova osoba je projekat…” (Sloba Radanović brutal pasi Dua Lipa mori shtetësinë e një shteti të rremë: “Ky person është një projekt…). Aty përmendet postimi i një ish-konkurrenti të Big Brother, i cili e quajti Dua Lipën “projekt të krijuar” për interesa propagandistike.
Ky sulm personal ndjek një linjë tipike të teorive të konspiracionit ku çdo sukses shqiptar, veçanërisht kur afirmon identitetin shtetëror, paraqitet si i orkestruar nga fuqi të huaja për të dëmtuar Serbinë.
Një artikullin tjetër tentohet të nënçmohet identiteti kulturor shqiptar përmes sulmeve banale, siç është përvetësimi i ushqimit, tek shkruan se Dua Lipa e ka tronditur në vazhdimësi publikun serb me deklaratat e saj. Prapa ironizimeve të tilla fshihet tendenca për ta portretizuar çdo pohim të identitetit shqiptar si “manipulim kulturor“.
Narrativat që vijnë nga mediat serbe nuk janë të rastësishme. Ato janë pjesë e një përpjekjeje të strukturuar për të minuar çdo simbol që afirmon identitetin e Kosovws në sytë e publikut vendor e ndërkombëtar.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë për shtetësinë e Dua Lipës
Në dallim me këto sulme, mediat ndërkombëtare e përcollën me pozitivitet dhënien e shtetësisë së Kosovës për Dua Lipën dhe koncertin e saj në Kosovë. “The Guardian” shkroi se Dua Lipa “ndihet mirënjohëse” pasi Presidentja e Kosovës i dha shtetësinë duke vënë theksin te rëndësia që ajo i jep afirmimit të muzikës shqiptare.
Po ashtu, rrjeti “BBC” raportoi për marrjen e shtetësisë dhe festivalin si një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në Ballkan.
Edhe revista franceze “Le Point” i ka kushtuar një artikull Dua Lipës duke e cilësuar atë “armë diplomatike” të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në nëntor të vitit 2022, Dua Lipës i ishte dhënë edhe shtetësia e Shqipërisë nga presidenti Bajram Begaj.
* Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”



