BE-ja nuk i kërkoi Orbanit të paguante 2 milionë euro për takimin me Putinin

Published on:

Foto: en.kremlin.ru

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Parlamenti Evropian dënoi takimin e Orbanit me Putinin që u zhvillua në fillim të korrikut 2024 në Moskë, por nuk është e vërtetë që BE-ja i kërkoi Orbanit të paguante 2 milionë euro, as që ai nuk kishte para, ndaj Putin dhe Xi Jinping i ofruan t’i jepnin para, siç pretendohet në postimin që ndante një deklaratë të rreme të Orbanit. Vërtetmatësi u përpoq të gjente një deklaratë të tillë të Orbanit në maqedonisht, anglisht dhe hungarisht, por nuk ekziston një gjë e tillë.

 

Ne po analizojmë një postim në Facebook që dyshohet se përmban një citim nga kryeministri hungarez Viktor Orbán. 

Një dhe i vetëm,
Maqedoni, zgjohu!!!
“Sot BE-ja po më dënon sepse shkova në Moskë dhe fola me Vladimir Putin. Ata po më dënojnë t’i paguaj shumën prej 2 milionë eurosh Bashkimit Evropian sepse po bëj gjithçka për të siguruar paqen në botë. Unë nuk kam 2 milionë euro, paratë janë me ju, jo me mua. Unë nuk kam para as në llogarinë time personale.”
Vladimir Putin dhe Xi Jinping më ofruan 4 milionë euro për të paguar këtë shumë për të cilën jam dënuar. Unë nuk pranova. Pse duhet t’ju jap para sepse unë luftoj për paqen, ndërsa ju përgatiteni për luftë? Unë kurrë nuk kam marrë para nga BE, NATO apo SHBA gjatë administrimit tim. Asnjëherë nuk kam marrë para nga Kina apo Rusia!
Por thuaj BE-së se po përgatitesh për luftë, thuaju fëmijëve të BE-së se do të vdesin si ukrainasit për interesat tuaja.
Gjithçka për ju është para, gjithçka është para.
Më vjen keq per ty. Jeni në Ukrainë për para, për shumë para. Për ty po vdesin kombet vëllazërore.
Unë nuk do t’ju jap para, por sa të jem gjallë do të luftoj për paqen në botë, që të mos vdesin më fëmijë.
Nuk do të lejoj që për ju të vdesin fëmijët nga vendi im dhe fëmijët nga vendet e BE-së, nuk do ta lejoj. Dhe nëse doni të dini se për çfarë bisedova me Putinin dhe Xi, ne folëm për faktin se as Putini dhe as Xi nuk duan luftë. Ju dëshironi luftë, jo ata. Putini ishte gjithmonë gati për negociata, por askush nuk i donte ato. Jeni hiena të etur për gjak, për gjak fëmijësh”, 
thuhet në postim.

Duke marrë parasysh që fillimi i njoftimit përmend vizitën e Orbanit në Moskë që u zhvillua në fillim të korrikut 2024, kur Hungaria mori presidencën e BE-së, deklarata e supozuar ka të ngjarë të jetë një reagim ndaj dënimit të BE-së për veprimin e tij dhe takimit të tij me presidentin rus Vladimir Putin.

Në deklaratën e shpërndarë të Orbanit, ai dyshohet se thotë se Bashkimi Evropian e ka dënuar për vizitën në Moskë dhe takimin me Putinin dhe për këtë i ka kërkuar që të paguajë një gjobë prej 2 milionë eurosh. Orban thuhet se tha se nuk kishte aq shumë para, kështu që Putini dhe presidenti kinez i ofruan atij 4 milionë euro, të cilat ai më pas i refuzoi.

Më tej në deklaratën e supozuar, përçohen fjalët e pretenduara të Orbanit se BE-ja e dënoi sepse donte të arrinte paqen mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa Europa është ajo që dëshiron luftë.

Këtu mund të ndiejmë narrativën e njohur ruse se Europa dhe Perëndimi janë ata që mbështesin luftën në Ukrainë dhe detyrojnë ukrainasit të luftojnë, ndërsa Rusia dhe Kina janë të vetmet që mbrojnë paqen.

Së pari, deklarata që ndahet dhe pretendohet se është bërë nga Orban është e rreme. Ai kurrë nuk deklaroi diçka të tillë. Vërtetmatës u përpoq të gjente një deklaratë të tillë të tij në maqedonisht, anglisht dhe hungarisht, por ne nuk ia dolëm dot, gjë që tregon se deklarata është e sajuar.

Është e vërtetë që Parlamenti Evropian e dënoi takimin e Orbanit me Putinin, por nuk është e vërtetë që BE-ja i kërkoi Orbanit të paguante 2 milionë euro dhe as që ai nuk kishte para, ndaj Putin dhe Xi Jinping i ofruan t’i jepnin hua.

Parlamenti Evropian e përshkroi vizitën e Orbanit në Rusi si “një shkelje flagrante të traktateve të BE-së dhe politikës së jashtme të përbashkët”.

Në një votim të mërkurën, anëtarët e Parlamentit Evropian dënuan takimin duke miratuar një rezolutë që premtonte angazhimin e Parlamentit për të ruajtur mbështetjen e tij për Ukrainën. Rreth 495 eurodeputetë votuan për rezolutën pro-ukrainase, ndërsa 137 votuan kundër, raportoi Politico

Orban vizitoi Moskën në fillim të korrikut si pjesë e atij që ai e quajti një “mision paqeje” për të diskutuar me Putinin kushtet që mund t’i japin fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Vizita ka tronditur Brukselin dhe kryeqytetet e Bashkimit Evropian, pasi ajo erdhi vetëm disa ditë pasi Hungaria mori drejtimin e presidencës së Këshillit të BE-së dhe Orban tregoi se ai përfaqësonte bllokun në tërësi.

Presidenca e rradhës së BE-së nuk ka një mandat për t’u angazhuar me Rusinë në emër të BE-së. Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresori, Ukraina është viktima. Asnjë diskutim për Ukrainën nuk mund të zhvillohet pa Ukrainën, shkroi presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në Twitter në fillim të korrikut. 

Lidhur me qëndrimin e Bashkimit për luftën në Ukrainë, BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj janë të bashkuar në mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën dhe dënojnë me vendosmëri agresionin brutal ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe aneksimin e paligjshëm të rajoneve ukrainase të Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson.

Për të gjitha faktet më sipër, vlerësojmë se njoftimi që po analizojmë është i pasaktë.