Britania nuk është në luftë me Rusinë

Published on:

Foto: Canva kolazh

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”

Një postim në Facebook pretendon se Britania është në luftë me Rusinë dhe nëse kjo do të ishte e vërtetë (edhe pse nuk është), sigurisht që nuk do ta kishim mësuar nga postimi i një përdoruesi të Facebook-ut, por përkundrazi të gjitha mediat e botës do të lajmëronin për të, veçanërisht pasi Rusia dhe Britania janë fuqi bërthamore dhe OKB-ja do të vihej në alarm për këtë. Nuk janë regjistruar beteja (tokësore, detare apo ajrore) midis forcave të armatosura britanike dhe ruse, megjithëse konflikti në Ukrainë ka zgjatur për 11 vjet (nëse llogaritim nga pushtimi rus i Krimesë dhe fillimi i luftës në Donbas) ose 3 vjet (nëse llogaritet vetëm pushtimi rus në shkallë të gjerë).

 

Një postim në rrjetin social Facebook fillon me një titull të bujshëm (po e transmetojmë drejtpërdrejt dhe pa korrigjim të gabimeve drejtshkrimore):

BRITANIA NË LUFTË ME RUSIIN!

Britania e Madhe nuk është në luftë me Rusinë dhe një lajm të tillë nuk ka askund. Nëse do të ishte e vërtetë (edhe pse nuk është), sigurisht që nuk do ta kishim mësuar nga një postim i një përdoruesi të zakonshëm të Facebook-ut, por përkundrazi të gjitha mediat përkatëse botërore do të kishin zhurmuar për të, veçanërisht pasi Rusia dhe Britania e Madhe janë fuqi bërthamore dhe OKB-ja dhe Këshilli i Sigurimit i saj sigurisht që do të viheshin në dijeni për këtë. Por diçka të tillë nuk e shohim, sepse lajmi është i pavërtetë.

Njoftimi vazhdon, citojmë:

Lëvizja e Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të bërë një marrëveshje paqeje të qëndrueshme dhe njoftimi se nuk do të ketë më ndihmë ushtarake amerikane për Ukrainën është e shkëlqyer.

Fakti që lëvizjet e Donald Trump ishin gjoja të shkëlqyera është mendimi personal i autorit të postimit, të cilin as e duam dhe as nuk mund ta ndalojmë, por gjithashtu duam dhe mund të theksojmë se kjo nuk është provë se Britania е Маdhe dhe Rusia janë në luftë.

Më pas, postimi përfundon:

Ajo nxori në sipërfaqe të vërtetën e qartë se Britania është në luftë me Rusinë në Ukrainë. Ata deri më tani janë fshehur pas Amerikës si “këmbët e gjarprit”. Tani ata janë në ecje, një objektiv i mirë.

Cila është kjo “e vërtetë e paqartë” për të cilën nuk ka asnjë provë? Autori i postimit sillet sikur “lufta e Britanisë së Madhe kundër Rusisë” është një fakt i njohur dhe i dukshëm, për të cilin është madje e turpshme të kërkosh prova. Por në realitet, asnjë betejë midis forcave të armatosura britanike dhe ruse (tokësore, detare, ajrore apo çfarëdo) nuk është regjistruar në historinë e fundit edhe pse konflikti në Ukrainë ka zgjatur 11 vjet (nëse llogaritim nga pushtimi rus i Krimesë dhe fillimi i luftës në Donbas) ose 3 vjet (nëse numërojmë vetëm pushtimin gjithëpërfshirës rus, i cili filloi më 24 shkurt 2022).

Nëse Britania e Madhe ishte përfshirë në luftë – siç pretendon botimi – Kremlini kishte kohë për të mbledhur prova për këtë dhe për t’i paraqitur ato në OKB, si dhe për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Britaninë dhe për t’i shpallur luftë, por Kremlini nuk e bëri këtë. Njoftimi krijon përshtypjen se përfshirja e Britanisë në luftë ishte fillimisht e fshehtë dhe tani është e hapur (“në dinakëri”), por nuk jep asnjë argument për këtë.

Një narrativë e zakonshme e Kremlinit është se Rusia po “lufton kundër NATO-s” në Ukrainë, gjë që është e pabazë dhe shërben për të justifikuar dështimet e Rusisë, në kuptimin që “mund të merret lehtësisht me ukrainasit, por, për fat të keq, duhet të luftojë kundër një grupi anëtarësh të NATO-s”. Prandaj, Kremlini përhapi lajme të rreme si “trupat franceze kanë mbërritur në Slavyansk” ose “një gjeneral amerikan është kapur në Mariupol”. Pretendimet për përfshirjen e Britanisë në luftë të kujtojnë pikërisht atë lajm të rremë.

Nëse ende e konsiderojmë mbështetjen e Britanisë së Madhe për ukrainasit si pjesëmarrje në luftë, me këtë logjikë, Bjellorusia (si trampolinë për agresionin rus) dhe Irani (që furnizon Rusinë me drone Shahed, raketa balistike etj.) janë gjithashtu në luftë kundër Ukrainës. Dhe është shumë më e arsyeshme që Koreja e Veriut po lufton për Rusinë sesa që Britania e Madhe po lufton për Ukrainën.

Ajo nuk po lufton për Ukrainën dhe ajo që Britania e Madhe po bën në të vërtetë është sigurimi i ndihmës për Ukrainën, si dhe propozimet për marrëveshjen e shpallur të paqes për Ukrainën. Duke pasur parasysh se Trump refuzon të dërgojë paqeruajtësit e tij për të mbikëqyrur zbatimin e asaj marrëveshjeje paqeje, Britania po propozon të dërgojë paqëruajtës. Por paqeruajtësit nuk janë luftëtarë dhe as nuk janë dërguar dhe qëndrimi i Rusisë ndaj dërgimit të tyre është negativ, kështu që në fund nuk dihet se si do të përfundojë. Në çdo rast, këtu nuk bëhet fjalë për një lloj sulmi britanik kundër Rusisë.

Njoftimi përfundon me fjalët:

Ah, të urtë tibetianë, duket se profecia juaj do të realizohet, ai ishull i mallkuar do të fundoset i pari.

“Ishulli i mallkuar” i përmendur këtu ka shumë të ngjarë të jetë Britania e Madhe. Ne as nuk mund dhe as duam ta ndalojmë autorin e postimit që të ketë një opinion negativ për atë vend, i cili është në sferën e opinionit personal, por fakti që disa të urtë tibetianë gjoja parashikuan fundosjen e Britanisë së Madhe në asnjë mënyrë nuk dëshmon se ajo është në luftë me Rusinë.

Duke marrë parasysh të gjitha të deklaruara deri më tani, ne e vlerësojmë njoftimin si të pavërtetë.