Në Burgun e Hapur do të transferohen 70 të dënuar, të cilëve u ka mbetur vetëm 6 muaj dënim për të shlyer
Më 2 tetor të këtij viti gazeta britanike ‘The Telegraph’ në një artikull të saj shkruante se Mbretëria e Bashkuar po paguan Shqipërinë me qëllim rikthimin e 200 të dënuarve më të rrezikshëm atje.
Në thelb shkrimi i ‘The Telegraph’ kishte si qëllim përpjekjet e Mbretërisë së Bashkuar për të shkurtuar shpenzimet e saj (në këtë rast) për të burgosurit shqiptarë atje vecanërisht ata që ishin dënuar për vepra të rënda penale.
Sipas “The Telegraph“, kostoja për një të burgosur në Mbretërinë e Bashkuar është 109 £.
Si pjesë e kësaj përpjekje në shkrim flitej për ngritjen e Burgut të Hapur, duke shpjeguar edhe kategoritë se kush përfiton.
Në të njëjtin artikull bëhen bashkë pastaj si ndihma për Burgun e Hapur ‘Ali Demi’ ashtu edhe përpjekjet britanike për transferimin e jo pak, por 200 të burgosurve me rrezikshmëri të lartë bazuar, sipas Telegraph, në një marrëveshje dy vjeçare mes dy vendeve
Duke qenë një temë sensitive për shqiptarët, artikulli ‘The Telegraph’ përkthehet rëndom në disa media të përditshme shqiptare, por me titull të ndryshuar, duke sjellë përceptimin se do të jetë Burgu i Hapur ai që do të transferojë 200 të burgosur me rrezikshmëri të lartë.
Por, a janë vërtetë e njëjta gjë?
Çfarë do të thotë burg i hapur dhe pse në këtë rast një term i tillë mund të shfrytëzohet për qëllime klikimi?
Burg i Hapur në thelb do të thotë që ditën i dënuari është i lirë të lëvizë jashtë mureve dhe kangjellave të burgut, (pra të dalë jashtë ambienteve të tij), ndërsa pasdite vonë (ora 17.00) ai duhet të kthehet dhe ta kalojë natën në qeli.
Përmes titujve të disa prej mediave shqiptare se në burgun e këtij lloji do të vijnë 200 të burgosur të rrezikshëm i jepet hapësirë një narrative të gabuar se ata me vepra penale të rënda (përfshi edhe disa emra konkret të cituar nga media britanike të dënuar së fundmi me 36 vite burg për vrasje) do transferohen në Shqipëri dhe ditëve do të lëvizin të lirë.
Për të shkuar tek problemi, së pari duhet kuptuar se kush përfiton nga qëndrimi në një Burg të Hapur? Dhe, së dyti, a përfshihen në këtë burg edhe të burgosurit shqiptarë që vuajnë dënimin në Mbretërinë e Bashkuar? Nëse po, mbi cilat kritere?
Mbi sa më sipër, Faktoje.al i coi kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila jep një përgjigje shteruese mbi funksionimin e Burgut të Hapur
Fillimisht, Drejtoria e Burgjeve sqaron se Burgu i Hapur ‘Ali Demi” (që do të hapet së shpejti) është investim i Qeverisë Shqiptare, ndërsa trajnimi i burimeve njerëzore bëhet nga shteti britanik.
“Stafi i këtij institucioni po trajnohet për mënyrën se si do të menaxhohen të dënuarit, të cilët gjatë ditës do të punojnë në kompani private dhe në mbrëmje do të kthehen në regjim. Trajnimet janë duke u kryer nga instruktorë britanikë me përvojë në sistemet korrektuese, në veçanti në menaxhimin e burgjeve të hapura”.
Më pas, shkohet tek thelbi.
“Kapaciteti është për 70 të burgosur. Burgu i hapur është i dedikuar për ata të dënuar që kanë më pak se 6 muaj dënim të mbetur dhe kanë treguar përparim në programet e rehabilitimit dhe riintegrimit. Duhet të jetë e qartë se ky burg nuk ka lidhje me të burgosurit që do të transferohen nga Britania e Madhe”, thuhet në përgjigjen e kërkesës për informacion dërguar nga Faktoje.al
Mes dy shteteve ndërkohë ekziston një marrëveshje për transferimin e të burgosurve shqiptarë.
Një vit (2022) pas firmosjes së dokumentit të përbashkët mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-homologut të tij britanik Rishi Sunak ku përfshihej edhe siguria, qeveria mori vendim për miratimin, në parim, të marrëveshjes zbatuese, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për transferimin e personave të dënuar.
Cila është procedura në këtë rast dhe kush përfiton nga marrëveshja?
“Personat që transferohen mund të kenë kryer vepra të ndryshme penale. Çdo i dënuar jep pëlqimin e tij për transferimin. Pas transferimit, gjykatat tona shqyrtojnë rastet për të vendosur se ku do të vuajnë dënimin dhe sa vite mbeten për t’u kryer në Shqipëri”, sqaron Drejtoria e Burgjeve.
Në përgjigjen për Faktoje.al nënvizohet gjithashtu se, në marrëveshje nuk përfshihen persona me rrezikshmëri të lartë dhe se nuk ka një numër specifik të përcaktuar për transferime. “Gjithçka varet nga vullneti i të dënuarve dhe rastet e tyre individuale”, nënvizon Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.