Demantohen pretendimet për mundësinë e largimit të trupave amerikane nga Kosova

Published on:

Kosova është ndër vendet për të cilën ka pasur spekulime të shumta lidhur me mundësinë e largimit të trupave amerikane, të cilat janë në kuadër të KFOR-it, pas rikthimit të Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara. Për këtë mundësi kanë raportuar mediume vendore dhe ndërkombëtare.

Më 19 shkurt 2025, mediumi gjerman “Bild” ka publikuar një artikull me titull, “Europa në frikë! Agjencitë e inteligjencës kanë frikë nga tërheqja e trupave amerikane”. Në përmbajtje të këtij artikulli, “Bild” ka shkruar se, “sipas informacioneve të BILD, Italia po përgatitet edhe për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova. Atëherë aleatët evropianë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq, si dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”. Ky lajm është shpërndarë edhe nga media vendore si: Telegrafi.comOranews.tvNoa.al,Ntv.al360grade.alShekulliagency.comAlbanian.trtbalkan.comZeri.infoGazeta.al.

 Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka demantuar pretendimin e mediumit gjerman duke e quajtur dezinformatë.

“Ky lajm i qarkulluar nga disa faqe interneti dhe kanale televizive është dezinformatë e përhapur nga aktorë të jashtëm që synojnë destabilizimin e vendit dhe Ballkanit Perëndimor”, kanë shkruar në Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas tyre, ka koordinim të vazhdueshëm me SHBA-në për çdo vendim si dhe kanë komunikim javor me KFOR-in.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe KFOR-i.

“Angazhimi ynë për stabilitet në të gjithë Ballkanin Perëndimor është i palëkundur. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor brenda KFOR-it, përmes kontributit të saj të gjatë, i cili aktualisht arrin në mbi 600 trupa”, kanë thënë në KFOR.

NATO ka ndërhyrë në vitin 1999 për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Pasi nuk prodhoi asnjë rezultat Konferenca e Rambujesë, nisi fushata e bombardimeve mbi caqet ushtarake dhe policore serbe që zgjati 78 ditë. Serbia, u detyrua të tërhiqej nga Kosova pas Marrëveshjes së Kumanovës me 9 qershor 1999. Pas tërheqjes së Serbisë nga Kosova, në qershor të ’99-ës, NATO-ja zbarkoi me misionin e saj paqeruajtës KFOR. Shtetet e Bashkuara kanë pasur rol kryesor në çlirimin e Kosovës dhe ruajtjen e paqes, me bazën e saj në Bondsteel.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”