Dezinformim me përqindje

Published on:

Sondazhe të rreme në rrjetet sociale gjatë fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve

Në ditët e fundit të fushatës zgjedhore në Kosovë, përfshirë ditën e zgjedhjeve më 28 dhjetor, kur sipas ligjit është heshtje zgjedhore, rrjetet sociale u vërshuan nga dhjetëra postime që pretendonin se paraqesin sondazhe, exit-polle apo simulime analitike të rezultateve zgjedhore. Këto përmbajtje u shpërndanë kryesisht në Facebook, duke ofruar përqindje të ndryshme për partitë politike, pa asnjë informacion bazik për burimin, autorin, metodologjinë apo mostrën e përdorur. Dezinformimi me përqindje nuk synon domosdoshmërisht të bindë elektoratin por të krijojë ndjenjë epërsie ose humbjeje të pashmangshme, të demobilizojë votues, të nxisë votë taktike apo të zbehë besimin në proces.

Analiza e disa postimeve tregon shpërfaq modele të qartë keqinformimi ku jepen shifra të paraqitura si “rezultate”, terma pseudo-shkencorë si “simulim analitik” apo “institut amerikan”, pa transparencë minimale që do ta bënte një sondazh të besueshëm.

Njëri postim në formë grafike përmban tekstin: “SIMULIM ANALITIK: Deri në ora 15:00, VV projektohet mbi 53% – opozita nën presion pragjesh?”

Ky postim nuk përmend as emrin e faqes realizuese të sondazhit, as ndonjë institut kërkimor, autor apo periudhë kohore të matjes. Termi “simulim analitik” përdoret pa asnjë shpjegim se çfarë të dhënash janë simuluar, nga kush dhe mbi çfarë baze.

Nuk ka informacion nëse ka pasur pyetësor, sa persona janë anketuar, në cilat zona apo nëse kemi të bëjmë me ndonjë model statistikor real.

Në këtë formë postimi nuk përfaqëson sondazh por opinion të paketuar si fakt, duke krijuar perceptim të rremë për epërsi zgjedhore, qw bwhet sidomos problematik pasi publikohet në intervalin kohor kur zhvillohej votimi.

Mashtrime nën siglën e Exit Polleve

Një faqe tjetër po ashtu në Facebook ka publikuar grafikë me pretendimin: “Rezultatet e Exit-Poll deri në orën 11:00”. Përqindjet që paraqiten janë: LVV – 31.1%; LDK – 26.9%; PDK – 26.2%; AAK – 8%; NISMA – 4.5%; Të tjerët – 3.3%

Edhe pse përdoret termi “exit-poll”, postimi nuk shoqërohet me asnjë sqarim metodologjik. Nuk dihet kush e ka realizuar këtë exit-poll, në sa qendra votimi, me çfarë mostre dhe nëse është respektuar ndonjë standard profesional.

Në Kosovë, exit-pollet realizohen zakonisht nga media apo organizata të njohura, me paralajmërime dhe transparencë të plotë, siç bënë disa mediume që publikuan exit polle, pas mbylljes së kutive të votimit. Por nw shumë raste pati vetëm një faqe Facebook-u që publikoi shifra pa burim, duke i paraqitur si “rezultate aktuale”.

Ky është shembull tipik i keqinformimit statistikor, ku shifrat e pasakta jepen më qëllimin që të ofrohet kinse besueshmëri me rezultate të balancuara.

Faqja 60 Sekonda ka publikuar një postim me pyetjen: “A mendoni se do të jetë ky rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit?”- duke pretenduar se VV ka 66 % të votave.

Në fund të postimit thuhet: “Burimi: Internet”

Ky formulim e përjashton çdo pretendim për sondazh serioz. “Internet” nuk është burim, as institucion as metodologji. Postimi është ndërtuar më shumë si nxitje e diskutimit përmes komenteve, ku shoqërohet me grafikë dhe përqindje konkrete, duke e bërë të duket si rezultat faktik.

Në mungesë totale të autorit, mostrës, metodës për mbledhjen e të dhënave ky postim përbën manipulim të perceptimit publik, veçanërisht sepse publikohet në ditën e zgjedhjeve.

Përmenden emra institutesh ndërkombëtare të rrejshme

Një tjetër postim në rrjete sociale pretendon se shfaq sondazh të realizuar nga: “Instituti amerikan Brand-Onte, institut internacional me besueshmëri dhe saktësi 96%”

Sipas këtij postimi VV del sërish me 66% të votave. Megjithatë analiza tregon se nuk ka të dhëna publike për një institut të tillë, nuk ekziston faqe zyrtare, publikime akademike apo raporte të mëparshme, nuk jepet asnjë metodologji, mostër apo periudhë matjeje.

Pretendimi për “saktësi 96%” është plotësisht i pambështetur. Ky është një shembull klasik i autoritetit të rremë, ku shpiket një institut ndërkombëtar për t’i dhënë peshë narrativës së sondazhit.

Pati edhe postime që i nxorën fituese partitë opozitare, sikurse ai “Kosova e Re: LDK fituese me 33%”. Edhe këtu mungojnë të gjitha elementet bazë.

Ky rast tregon se sondazhet e rreme nuk favorizojnë vetëm një subjekt, por përdoren nga faqe të ndryshme për të shtyrë narrativa të kundërta politike.

Sondazhet dhe exit-pollet e publikuara në rrjetet sociale më 28 dhjetor, të cilat u analizuan, nuk përmbushin asnjë standard profesional dhe përbëjnë keqinformim të qartë zgjedhor. Ato nuk informojnë qytetarët, por krijojnë realitete paralele që bien poshtë sapo ballafaqohen me shifrat zyrtare të KQZ-së.

Çfarë thonë të dhënat preliminare të KQZ-së?

Në kontrast të plotë me këto përmbajtje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultate preliminare zyrtare, të bazuara në numërimin real të votave.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) renditet e para me mbi 49 % të votave të fituara; Partia Demokratike e Kosovës e dyta me rreth 21.2 %; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë afërsisht 13.7 %;  Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) rreth 5.7 %.

Në vende si Kosova ku Facebook-u dominon diskutimin publik, shpërndarja e sondazheve të rreme përbën një kërcënim të qartë për integritetin e informacionit që do të duhej ofruar votuesve.

Rasti i sondazheve të rreme që qarkulluan në ditët e fundit të fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve më 28 dhjetor dëshmon se keqinformimi zgjedhor në Kosovë nuk shfaqet vetëm përmes lajmeve të rreme klasike por edhe përmes manipulimit me shifra dhe “sondazhe” të fabrikuara. Duke u paraqitur si analiza, exit-polle apo anketa të instituteve të paqena, postimet u bënë me qëllimin për ndërtuar narrativa politike që nuk kishin asnjë lidhje me realitetin.

Në mungesë të autorëve, metodologjisë dhe transparencës minimale këto përmbajtje nuk mund të konsiderohen burim informacioni, por instrumente ndikimi që synojnë të formësojnë perceptimin publik në momente të ndjeshme, sikurse janë zgjedhjet. Përballë kësaj vale dezinformimi, rezultatet zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbeten referenca e vetme e besueshme për rezultatin zgjedhor.

 

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.