Foto printscreen
Një faqe në “Facebook”, e njohur për përmbajtjen e saj pro-Turqisë, ka shpërndarë një postim të rremë ku pretendohet se kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një takimi me presidentin francez Emmanuel Macron, ka deklaruar se “rënia e Turqisë do t’ia lehtësonte Greqisë shtrirjen në shtetet e Ballkanit” dhe se në të ardhmen Greqia do të udhëhiqte vendet e rajonit.
Ky pretendim është pa asnjë burim zyrtar dhe nuk mbështetet nga asnjë media e besueshme ndërkombëtare. Për më tepër, fotografia që i është bashkëngjitur postimit nuk është aktuale. Ajo është realizuar më 28 shtator 2021, gjatë një takimi në Paris mes Macron dhe Mitsotakis, kur të dy nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Pra, kemi të bëjmë me një keqpërdorim të qëllimshëm të një fotoje të vjetër, duke e paraqitur si të sotme.
Postim me përmbajtje të rrejshme
Përmbajtja e postimit synon të nxisë narrativën e një rivaliteti të hapur gjeopolitik mes Greqisë dhe Turqisë, duke e vendosur Ballkanin si fushë të ardhshme ndikimi për Athinën nëse “bie Turqia”. Ky është një shembull i qartë sesi faqet e lidhura me narrativa pro-Turqisë përpiqen të paraqesin Greqinë si aktor kërcënues për rajonin, duke përdorur manipulimin e fakteve dhe mjete të thjeshta vizuale për të rritur ndikimin te publiku.
Takimet e fundit midis kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit francez Emmanuel Macron u zhvilluan në kuadër të ngjarjeve ndërkombëtare, gjatë viteve 2024 dhe 2025. Temat kryesore përfshinin inteligjencën artificiale, mbrojtjen dhe çështjet rajonale në Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme.
Sipas burimeve zyrtare, nuk ka asnjë deklaratë publike apo dokument që mbështesin pretendimin se janë diskutuar skenarë ekspansionistë.
Në fakt, marrëdhëniet Greqi–Francë janë të përqendruara në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë në Mesdheun lindor, si dhe në bashkëpunimin brenda kornizës së BE-së dhe NATO-s, e jo në plane për shtrirje në Ballkan. Postime të tilla jo vetëm që deformojnë realitetin politik, por edhe nxisin perceptime armiqësore mes shteteve të rajonit, duke kontribuuar në krijimin e një klime mosbesimi.
*This article is published as part of the Western Balkans Regional Initiative against disinformation. “Western Balkans Anti-Disinformation Hub: exposing malign influences through watchdog journalism.”



