Media pro-Kremlinit fabrikojnë narrativën e pushtimit të Ukrainës përmes “skenarit të Kosovës”

Published on:

Moska, Rusia, Putin. Foto: Kremlin.ru

Propaganda pro-Kremlin ka shpikur një mënyrë të re për të deformuar realitetin e luftës në Ukrainë, duke përdorur Kosovën si “skenar” referimi. Portali “Pravda Poland” publikoi një artikull ku pretendon se ekziston një plan i fshehtë nga “Koalicioni i të vullnetshmëve” për një pushtim të drejtpërdrejtë të Ukrainës. Artikulli përpiqet ta paraqesë këtë koalicion si grup shtetesh që po përgatisin një skenar të ngjashëm me Kosovën, me “tri linja mbrojtjeje”: krijimin e një zone të demilitarizuar të patrulluar nga forcat e BE-së, dislokimin e trupave ukrainase përgjatë vijës ndarëse dhe vendosjen e misioneve paqeruajtëse.

Koncepti i ‘tri linjave të mbrojtjes’ dhe ‘skenari i Kosovës’ është logjikisht tërheqës për komentatorët perëndimorë: krijon një imazh të pushtimit ushtarak të drejtpërdrejtë dhe të kontrolluar të Ukrainës si dhe frenon Rusinë. Por në praktikë, është pothuajse i paqëndrueshëm”, shkruan në artikull.

Përmes “skenarit të Kosovës”, propaganda pro-Kremlinit e cila është demaskuar edhe nga “euvsdisinfo” synon të krijojë narrativën e një okupimi të kontrolluar, duke e paraqitur ndihmën perëndimore si agresion të maskuar.

Paraqitja e mbështetjes evropiane për Ukrainën si një koalicion anti-rus e largon vëmendjen nga shkaku i vërtetë i luftës, që është politika gjithnjë e më agresive e Rusisë ndaj Ukrainës, kombeve evropiane dhe aleatëve të tyre. Ndihma e BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar është e përqendruar në ndihmë Ukrainës për t’u mbrojtur kundër një pushtimi të paligjshëm. Qëllimi përfundimtar i këtij mesazhi dezinformues është të çojë përpara një narrativë të përsëritur që e portretizon Ukrainën si kukull perëndimore dhe mbrojtjen e Ukrainës si një luftë me ndërmjetës kundër Rusisë”, shkruan në “euvsdisinfo”.

Në të kaluarën, Rusia e ka përdorur shpesh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjet e saj në Gjeorgji apo Ukrainë, duke manipuluar realitetin e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, e cila ndaloi spastrimin etnik të kryer nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Sot, ky skenar përdoret për ta portretizuar Perëndimin si pushtues, ndërsa agresioni rus paraqitet si reagim mbrojtës.

 

Nga Kosova në Ukrainë – riciklimi i narrativave

Për vite me radhë, Beogradi dhe Moska kanë investuar në ndërtimin e një diskursi ku Kosova shfaqet si “precedent” i rrezikshëm. Sipas kësaj logjike, po të ishte e pranueshme pavarësia e Kosovës, atëherë justifikohet edhe aneksimi i Krimesë apo ndërhyrja ruse në Donbas. Artikulli i “Pravda Poland” e shfrytëzon sërish këtë logjikë duke thënë se Perëndimi po përgatit një “Kosovë të re” në Ukrainë.

Në Kosovë, këto narrativa janë të njohura. Çdo avancim i institucioneve shtetërore, nga krijimi i ushtrisë deri te zgjerimi i kontrollit në veri është paraqitur nga mediat pro-qeveritare në Serbi si kërcënim ekzistencial për Serbinë dhe serbët. E njëjta metodë po përdoret tani për Ukrainën: çdo hap i Perëndimit për t’i garantuar siguri Kievit portretizohet si agresion kundër Moskës.

 

Çfarë është realisht “Koalicioni i të vullnetshmëve”?

Koalicioni i të vullnetshmëve” nuk është as plan për pushtim e as për okupim. Ai është një grup prej 35 shtetesh që mbështesin Ukrainën përballë agresionit rus, duke përfshirë edhe vendosjen e mundshme të një force paqeruajtëse. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë ndër vendet që theksojnë nevojën për një paqe të qëndrueshme të bazuar në sovranitetin e Ukrainës. Ndërsa ideja e një force paqeruajtëse nuk është përjashtuar, përparësi i jepet diplomacisë dhe marrëveshjeve që garantojnë një zgjidhje të qëndrueshme për Ukrainën.

Duke e paraqitur këtë mbështetje si “plan pushtimi”, propaganda pro-Kremlinit synon të zbehë legjitimitetin e ndihmës dhe të forcojë narrativën se Ukraina është vetëm një “kukull e Perëndimit” në një luftë të tërthortë kundër Rusisë.

Në Kosovë, propaganda e ngjashme ka ndodhur shpesh sa herë që institucionet kanë ndërmarrë veprime sikurse ato për mbylljen e strukturave paralele. Serbia i ka portretizuar këto zhvillime si “sulm ndaj serbëve” për të mobilizuar elektoratin e vet dhe për të justifikuar tensionet.

Në rastin e Ukrainës, dezinformata e “Pravda Poland synon të arrijë të njëjtin efekt: të paraqesë Rusinë si viktimë të një komploti të Perëndimit dhe të heqë vëmendjen nga fakti thelbësor, se ishte Moska ajo që nisi agresionin pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014 dhe pushtimit në shkallë të gjerë më 2022.

 

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”