Një artikull i fundit i publikuar së fundi nga media pro-Kremlinit, “TASS”, tenton të përforcojë narrativat e rreme mbi ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 në ish-Jugosllavi, duke e portretizuar atë si një sulm “barbar” dhe “kolonial” ndaj Serbisë. Deklaratat e përfshira në artikull të Sergey Naryshkin, shef i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), jo vetëm që keqinterpretojnë kontekstin historik të ndërhyrjes, por përdorin retorikë emocionale për të ushqyer ndjenja anti-NATO dhe për të zbehur krimet e kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë.
Në artikull pretendohet se operacioni i NATO-s “shkaktoi viktima të shumta dhe shkatërrime infrastrukturore” dhe e përshkruan ndërhyrjen si një “mizori” kundër Serbisë.
Por faktet tregojnë se qëllimi i NATO-s ishte ndalimi i spastrim etnik. Operacioni “Allied Force” u nis pas dështimit të përpjekjeve diplomatike dhe përballë dëshmive të dokumentuara të krimeve masive të kryera nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë në Kosovë. Deri në mars të vitit 1999, mbi 500 mijë shqiptarë të Kosovës ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, dhe mijëra ishin vrarë. Raporti i Human Rights Watch konstaton se më shumë se 500 fshatra shqiptare u shkatërruan sistematikisht dhe shumë civilë u vranë nga forcat serbe gjatë konfliktit.
Po ashtu UNHCR-ja dhe OSBE-ja dokumentuan deportime masive, ekzekutime dhe përdhunime sistematike.
Cak i NATO-s ishte infrastruktura ushtarake dhe strategjike, jo civilët. Humbjet civile, ndodhën në rrethana të ndërlikuara lufte dhe, siç konstatojnë edhe raporte ndërkombëtare, shpesh ishin rezultat i përdorimit të infrastrukturës civile nga ushtria serbe për qëllime luftarake.
Artikulli përpiqet të paraqesë ndërhyrjen e NATO-s si pjesë e një fushate “koloniale”, duke përforcuar narrativën e vjetër ruse që e sheh Perëndimin si agresor.
Por ndërhyrja bazohej në shqetësime humanitare të gjera ndërkombëtare. Edhe pse nuk u miratua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së për shkak të vetos nga Rusia dhe Kina, ndërhyrja e NATO-s u pa gjerësisht si e nevojshme për të parandaluar një katastrofë humanitare. Më pas, OKB vendosi administrimin ndërkombëtar të Kosovës përmes Rezolutës 1244. Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe deri tash është njohur nga mbi 115 shtete, përfshirë SHBA-në dhe shumicën e vendeve të BE-së.
Po ashtu Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në vitin 2010 konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare.
Narrativë tjetër e rreme, e transmetuar nga TASS është se Serbia vuan nga kanceri për shkak të uraniumit të varfëruar të NATO-s. Artikulli pretendon se “NATO hodhi 15 tonë uranium të varfëruar” dhe se Serbia “renditet e para në Evropë për sëmundjet kancerogjene.”
Raporti i UNEP nga viti 2001 për Kosovën, ku ka pasur po ashtu bombardime pati konstatuar se “Nuk ka ndonjë kërcënim të menjëhershëm për shëndetin e njeriut apo mjedisin nga uraniumi i varfëruar në Kosovë.”
Serbia nuk renditet e para në Evropë për sëmundjet kancerogjene. Sipas të dhënave nga Global Cancer Observatory (GCO) dhe Komisionit Evropian, vende si Belgjika, Danimarka, Gjermania dhe Irlanda kanë norma më të larta të kancerit për kokë banori.
Artikulli i “TASS” është një shembull klasik i dezinformimit të stilit rus ku shtrembërohen ngjarjet historike për të justifikuar narrativat e sotme gjeopolitike, nxit urrejtje ndaj Perëndimit dhe largon vëmendjen nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe fqinjëve të saj.
Ky artikull fsheh kontekstin e vërtetë të spastrimit etnik, krimeve të luftës dhe përpjekjeve të dështuara për paqe që i paraprinë ndërhyrjes së NATO-s.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”