Fakte të shtrembëruara dhe konfuze rreth kampit Thalerhof nga Lufta e Parë Botërore, Ukrainës dhe unitetit sllav

Published on:

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Një postim prorus në Facebook shtrembëron, hesht dhe lidh në mënyrë të pabazë fakte historike. Për kampin austriak Thalerhof sugjeron se është themeluar nga urrejtja etnike ndaj rusëve, ndërsa ai ka qenë për kolaboracionistë prorusë gjatë Luftës së Parë Botërore. Ai u bën thirrje sllavëve të mos e harrojnë atë kamp, sikur të kishte qenë antisllav, por Austro-Hungaria ishte një monarki multietnike. Postimi i interpreton në mënyrë të rreme shifrat e të vrarëve në Ukrainë dhe nxit urrejtje ndaj saj, ndërsa në fund bën thirrje për unitet sllav.

 

Ne po recensojmë një postim në rrjetin social Facebook, i cili thotë:

Ajo që e organizoi Perëndimi në Ukrainë, e cila ka rrënjë nga koha e Thalerhof-it, kampi i parë për rusët në tokën e Evropës, i cili u ngrit në fillim të shekullit XX, në kohën e Austro-Hungarisë, ku Vatikani e zbatonte taktikën e tij të vjetër e të njohur: 30% i vrau, 30% i konvertoi dhe 30% i shpërnguli, ne sllavët nuk duhet ta harrojmë kurrë.

Nga ata 30% të konvertuar u krijua gjenerata e Banderës, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte në anën e Gjermanisë naziste, e sot vrau 14.000 rusë, para Operacionit Special Ushtarak të Rusisë, për argëtim.

Sllavët kanë elita të dobëta, sllavët kanë shpirt naiv, i cili shumë shpesh keqpërdoret nga anglosaksonët dhe hazarët e zgjuar.

Emri i kampit të të burgosurve ka qenë Thalerhof (gjerm. Thalerhof), ndërsa rusët e quajnë Talergo(f) (tek ata ekziston shndërrimi i “х” në “г”), prandaj kuptojmë se autori i postimit ka përdorur burime propagandistike ruse dhe gjatë kopjimit ka bërë edhe gabime të vogla (“Телергоф”).

Ky nuk ka qenë “kamp për rusë”, dhe të burgosurit nuk i mbyllnin aty për shkak të përkatësisë së tyre etnike. Ata ishin të burgosur politikë, të ashtuquajtur “moskvofilë” (rusofilë) nga Ukraina Perëndimore, e cila atëherë ishte nën Perandorinë Austro-Hungareze, që luftonte kundër Rusisë në Luftën e Parë Botërore.

Postimi thotë se kampi “është ngritur në fillim të shekullit XX”, por kjo është manipulim. Rusofilët u burgosën atje pasi shpërtheu lufta në vitin 1914, prandaj qëllimi i kampit ishte mbrojtës, e jo shovinist dhe gjenocidal, edhe pse atje ka pasur incidente, për të cilat do lexoni më posht.

Ata që konsideroheshin patriotë ukrainas (të ashtuquajturit “shigjetarë Sich ukrainas”) atëherë luftonin për Austro-Hungarinë kundër Rusisë, ndërsa moskofilët e përshëndetën okupimin rus të Ukrainës Perëndimore në gusht-shtator 1914, prandaj u konsideruan si tradhtarë dhe spiunë dhe u burgosën. Ndjekje të të papërshtatshmëve ka në çdo luftë, dhe represione ushtronte edhe okupatori rus.

Pra, të burgosurit në Thalerhof politikisht ishin rusofilë, ndërsa etnikisht – ukrainas, rus dhe lemkë, por disa i konsiderojnë të gjithë si një popull. Rusët (ata nga Moska) nuk janë aq të pranishëm në Ukrainën Perëndimore, ndërsa në atë kaos lufte, në kamp gabimishtt përfunduan edhe persona proukrainas.

Thalerhof nuk ka shërbyer për shfarosjen e rusëve apo rusofilëve, megjithatë, kushtet atje kanë qenë të rënda (ftohtë, maltretime etj), e as në kampet e refugjatëve nëpër Austro-Hungari nuk ka qenë shumë më mirë.

Shumë vetë në Thalerhof vdiqën, dhe disa burime paraqesin fotografi të varjeve të supozuara në kamp, por ato janë nga vende dhe situata të tjera – siç argumentojnë burime të tjera. Lufta ka qenë e ashpër, por nuk ka dëshmi që Thalerhof të ketë qenë një Auschwitz. Për t’u dënuar është fakti që në Thalerhof nuk ka pasur kushte dhe trajtim më njerëzor, por edhe fakti që Rusia manipulon me të.

Postimi u bën thirrje sllavëve të mos e harrojnë atë kamp, duke u sugjeruar në mënyrë të rreme se ka qenë antisllav, por Austro-Hungaria ka qenë një monarki multietnike, prandaj në anën e saj luftuan (jo vetëm me dhunë) shumë çekë, sllovakë, sllovenë, kroatë e të tjerë, ndërsa aleate e saj ishte Bullgaria. Në anën tjetër ishin Serbia, Mali i Zi dhe Rusia, prandaj kjo nuk ka qenë luftë e sllavofobëve kundër sllavëve.

Postimi pretendon se anglosaksonët i keqpërdorin sllavët, por kjo nuk mund të vendoset në të njëjtin kontekst me Thalerhofin. Anglezët nuk kishin lidhje me të, përkundrazi, bashkë me Francën dhe SHBA-të luftuan kundër Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Atëherë nuk ekzistonte ndonjë “Perëndim kolektiv”, prandaj nuk është e qartë pse postimi e përmend atë së bashku me Thalerhofin.

Dhe, ironikisht, rusët më vonë kanë vuajtur më së shumti në kampet siberiane të Rusisë Sovjetike (të ashtuquajturit gulagë), e jo në Thalerhof, ku të burgosurit rusë nuk kanë qenë të shumtë.

Për Thalerhof, postimi e fajëson Vatikanin, por me “argumente” që s’kanë lidhje me Thalerhofin, por me Shtetin e Pavarur Kroat (NDH). Autori i postimit ka ngatërruar diçka nën ndikimin serb. NDH donte një të tretën e serbëve t’i vriste, një të tretën t’i dëbonte dhe një të tretën t’i konvertonte në katolikë – gjë që është një deklaratë e supozuar e ideologut kryesor të lëvizjes ustashe kroate, Mile Budak – dhe që postimi e citon, por Thalerhof këtu nuk ka lidhje.

Dhe, si mund të vihet Vatikani në të njëjtin thes me anglosaksonët? Ata janë ndjekës të kishës angleze, e cila është e ngjashme me protestantizmin, dhe gjatë historisë kanë qenë në përplasje me katolicizmin.

Postimi e thekson bashkëpunimin mes nazistëve dhe Stepan Banderës, por hesht për faktin që ai ka qenë i burgosur në kampin nazist Sachsenhausen, ndërsa vëllezërit e tij kanë vdekur në Auschwitz. Ai bashkëpunim ka qenë i shkurtër dhe i pasuksesshëm, sepse mbështetësit e Banderës ishin për një Ukrainë të pavarur, gjë që nuk u pëlqente nazistëve.

Banorët e Ukrainës Perëndimore janë kryesisht uniatë (të krishterë lindorë që hynë në uninë me Vatikanin dhe e njohin Papën si kryepeshkop suprem, duke pranuar disa nga mësimet e tij, por duke ruajtur disa veçanti), prandaj postimi i quan ata “të konvertuar”, gjë që ka elemente të urrejtjes fetare dhe u atribuon padrejtësisht krime.

Ato krime, sipas postimit, janë kryer para datës 24.02.2022, pra para se Rusia të niste të ashtuquajturën “Operacion Special Ushtarak”, që është një eufemizëm rus për agresionin e gjithanshëm ndaj Ukrainës.

Postimi dëshiron të thotë se i ashtuquajturi OSU ka qenë i justifikuar, sepse ukrainasit “kanë vrarë 14.000 rusë”, por kjo është dezinformatë nga Kremlini për luftën në Donbas. Në realitet, 14.000 është numri i përgjithshëm i të vrarëve në atë luftë nga të gjitha palët – si prorusë, ashtu edhe proukainas – qoftë luftëtarë, qoftë civilë, dhe nuk është numër i të vrarëve të pakicës ruse në Ukrainë.

Gjithashtu, postimi përmend hazarët, që është një narrativë e njohur antisemitike, dhe këtu është drejtuar ndaj presidentit të Ukrainës, i cili ka origjinë hebraike.

Më tej, postimi thotë:

Ne duhet të mësojmë shpejt dhe sa më parë të rreshtohemi ndryshe, Perëndimi po vdes në të gjitha aspektet, dhe edhe ne po vdesim bashkë me të, duke pranuar stilin e tyre të jetesës.

Ne sllavët duhet të kthehemi te sistemet tona të lashta vedike dhe të krijojmë një hapësirë të vetme sllave.

Autori i postimit e kritikon stilin perëndimor të jetesës, ndërsa vetë e praktikon (përdor rrjetin social Facebook, që është diçka perëndimore dhe që Rusia madje e ndaloi më 4.3.2022).

Autori u bën apel sllavëve të kthehen te “vedat e tyre”, por vedat janë pjesë e kulturës indiane. Ndoshta ai është nën ndikimin e të ashtuquajturit vedizëm rus, një fe e re e përbërë, që përzien elementë indiane dhe sllave. Atë e përhapin ezoterikë dhe neonacistë rusë. Si mund t’i “kthehen” sllavët kësaj feje të re?

Autori e akuzon Perëndimin se “e organizoi atë në Ukrainë”, pra luftën, por problemin e filloi Rusia. Në vitin 2014 ajo aneksoi Krimenë, pas së cilës dërgoi agjentë si Igor Girkin-Strelkov për të shkëputur nga Ukraina edhe Donbasin. Kështu filloi lufta e Donbasit, në të cilën në fshehtësi u përfshinë edhe forcat e rregullta të Rusisë, të cilat në vitin 2022 nisën agresionin e hapur dhe të gjithanshëm.

Postimi bën thirrje për krijimin e një hapësire të vetme sllave, por çfarë uniteti dhe bashkimi sllav mund të ketë kur Rusia masakron dhe shkatërron një tjetër vend sllav, Ukrainën?

Kjo autorit të postimit nuk i pengon aspak, prandaj ai nuk e quan agresion, por Operacion Special Ushtarak. Në të kaluarën, Rusia këtë ia ka bërë edhe PolonisëÇekosllovakisë dhe vendeve të tjera sllave, shumica e të cilave sot nuk duan të kenë asgjë me Rusinë, prandaj janë anëtare të BE-së ose NATO-s.

Dhe, projekte për bashkimin e popujve të ndryshëm sllavë ka pasur edhe më parë (Jugosllavia, Çekosllovakia), por ato kanë dështuar, njësoj si projektet ku rusët kanë qenë kryesorë (Perandoria Ruse, Bashkimi Sovjetik, Pakti i Varshavës), ndërsa postimi na bind se “Perëndimi po vdiste”.

Me fjalë popullore, postimi është një “tollovi” faktesh dhe “faktesh”, por në të, megjithatë, dominojnë këto të fundit, prandaj e vlerësojmë si të pavërtetë.