Festë e nxituar nga propagandistët pro-rusë pas takimit Putin-Trump

Published on:

Foto: Collage Canva (Wikimedia Commons)

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Propaganduesit pro-rusë po festojnë një fitore pas takimit të Putinit dhe Trumpit, edhe pse ai deklaroi se nuk ka marrëveshje derisa të arrihet marrëveshja, pra asgjë nuk është nënshkruar, e aq më pak kapitullimi i Ukrainës. Kjo është vetëm fillimi i negociatave, dhe Trump për këtë dha vetëm deklarata të shkurtëra. Dhe, nëse Putini ka fituar, ai duhet të mbajë paradë në Kiev, e jo të negociojë. Takimi ndodhi pas ultimatumeve të Trumpit dhe dërgimit të nëndetëseve bërthamore drejt Rusisë, gjë që mund ta ketë detyruar atë të ulet në tryezën e negociatave. Thonë gjithashtu se qëndrimi i Ukrainës është i parëndësishëm dhe se për të vendosin Putini dhe Trumpi, të cilët do ta ndajnë atë, por tani ajo po përfshihet në negociata dhe vetë vendos për mundësitë e lëshimeve – duke i refuzuar ato.

 

Shkruan: Vangel Bashevski

 

Procesi i paqes për Ukrainën sapo ka filluar dhe ende nuk janë marrë vendime përfundimtare, prandaj ky tekst i pasqyron rrethanat në momentin e shkrimit të tij, por shpejt mund të pasojnë ndryshime dhe surpriza të ndryshme.

Tema më e nxehtë tani është takimi historik midis presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, i cili u mbajt në Alaskë më 15.8.2025. Por, takimi është “historik” thjesht sepse marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë kanë qenë prej kohësh të tensionuara, e jo sepse është nënshkruar ndonjë marrëveshje me rëndësi historike.

Trump pas takimit dha vetëm deklarata të shkurtra dhe të përgjithshme pa konkretizuar asgjë, ndërsa propagandistët pro-rusë e paraqitën atë si një “fitore për Rusinë” dhe “humbje për Ukrainën”, sikur atje të ishte nënshkruar kapitullimi i saj.

Megjithëse Trump shprehu kënaqësi nga takimi dhe deklaroi se me Putinin kishte gjetur mirëkuptim për shumë çështje, ai zgjati shumë më pak se sa ishte planifikuar dhe madje u anulua edhe dreka solemne, gjë që ndoshta nuk është thelbësore, por megjithatë flet për një takim jo edhe aq të suksesshëm.

Në konferencën për shtyp që pasoi nuk pati ndonjë zbulim të madh, dhe Trump theksoi se nuk ka marrëveshje derisa të arrihet marrëveshja, pra asgjë nuk është nënshkruar, kështu që shumë gjëra mbeten të paqarta dhe “varen në ajër”.

Diçka më konkrete Trump bëri të ditur më vonë, kur i përcolli presidentit ukrainas Volodimir Zelenski kërkesat ruse për lëshime territoriale në Donbas ose në Krime në këmbim të paqes, por kjo nuk është ndonjë risi, ndërsa Zelensky e refuzoi atë dhe nuk nënshkroi asnjë kapitullim.

Trump mund ta ndëshkojë Zelenskin për këtë qëndrim të palëkundur me ndërprerje të ndihmës ushtarake e të ngjashme, por mbetet pyetje nëse kjo do të ndodhë. Këtë e kemi parë tashmë kur Zelensky u qortua publikisht në mes të Shtëpisë së Bardhë më 28.2.2025, pas së cilës ndihma iu ndërpre përkohësisht, por ai u tregua diplomatik në atë situatë të ndërlikuar dhe vazhdoi të luftojë.

Çfarë do të ndodhë më tej – nuk e dimë, por nëse Trump e thyen rezistencën e Zelenskit, kjo sigurisht nuk do të jetë një fitore ushtarake e Rusisë dhe realizim i të gjitha synimeve të saj, të cilat janë më ambicioze, por do të jetë një “shpërblim ngushëllues” për Rusinë, i ofruar në tabaka nga Trump. Në këtë pikë ai është shumë më i rëndësishëm se Putini.

Për të qenë të drejtë, disa analistë e konsiderojnë takimin me Trumpin si njëfarë fitoreje të Putinit, në kuptimin që ai ka arritur që procesi të mos fillojë me një armëpushim, por të shkohet drejtpërdrejt drejt një marrëveshjeje paqësore përfundimtare, gjë që i jep Putinit duar të lira që të vazhdojë luftën ndërkohë që zgjasin negociatat, pa u ndëshkuar me sanksione më të ashpra me të cilat i kishte kërcënuar Trump.

Samiti i Alaskës u zhvillua pasi Trump e humbi durimin me Putinin dhe masakrat e tij në Ukrainë, prandaj i vendosi ultimatum që të ulej në negociata brenda 50 ditëve, afat që më pas u shkurtua në 10–12 ditë, nën kërcënimin e sanksioneve më të ashpra. Këtu imponon përfundimi se Putini ndoshta u frikësua dhe bëri lëshime, ndaj kështu u gjend në tryezën e bisedimeve.

Duhet shtuar edhe se në fillim të gushtit, Trump dërgoi nëndetëse me raketa bërthamore drejt Rusisë si përgjigje ndaj disa deklaratave kërcënuese të saj.

Putini nuk është në një pozitë superiore dhe fitimtare siç mendojnë shumë, e po të ishte ashtu, ai nuk do të negocionte, por do të mbante parada në mes të Kievit (ose në mes të Uashingtonit apo Brukselit).

Putinit i atribuohet edhe një fitore në planin propagandistik, në kuptimin që doli nga izolimi në të cilin ishte vendosur nga Perëndimi. Kjo ishte tepër e pakëndshme për Ukrainën, por nuk mund të flitet për një humbje të saj në luftë, gjë që më tej do ta elaborojmë.

 

SHEMBUJ KONKRETË NGA FAQJA JONË 

“Për të ashtuquajturën ‘fitore’ të Rusisë”

“Duke komentuar për takimin mes Putinit dhe Trumpit, një postim pro-rus në Facebook thotë (pjesë të shkëputura):”

“Rusia është fituesja në luftën në Ukrainë – NATO është humbësi i madh.”

“Ekzistojnë vetëm dy superfuqi në botë që përmes dialogut mes tyre mund t’i zgjidhin problemet botërore.”

“Në të ardhmen, ndikimi i Rusisë vetëm do të rritet.”

Një përdorues tjetër i Facebook-ut thotë si në vazhdim:

“Amerika dhe Evropa ZYRTARISHT e kanë humbur luftën në Ukrainë!”

I njëjti autor në një postim tjetër thotë edhe këtë (në origjinal dhe pa korrigjime):

“Rusia ZYRTARISHT e ka fituar luftën!!! Sot kjo është vetëm nënshkrimi i kapitullimit të Perëndimit!”

Rusia nuk mund të konsiderohet fituese në luftën në Ukrainë, së pari sepse ajo nuk ka përfunduar, dhe së dyti sepse Rusia nuk arriti qëllimet e vendosura dhe të deklaruara, të cilat ishin:

  • “Denacifikimi, praa marrja e Kievit dhe rrëzimi dhe lustrimi i pushtetit atje, të cilin rusët e paraqesin në mënyrë të rreme si ‘neo-nazist’”;
  • “Demilitarizimi, pra shkatërrimi i potencialit ushtarak të Ukrainës dhe dobësimi i saj.”

Megjithatë, Rusia u mund në betejën për Kievin në shkurt-prill 2022, dhe Ukraina u militarizua më shumë me armatim modern perëndimor, duke arritur të depërtojë në territorin rus në rajonin e Kurskut, një pjesë të së cilës ukrainasit e mbajtën për muaj me radhë, dhe madje edhe Moska prej kohësh është shënjestër e dronëve të tyre.

Kjo rrënoi statusin e Rusisë si superfuqi, dhe ajo nuk është fuqi as në plan diplomatik. Rusia nuk luajti rol në marrëveshjen e fundit paqësore midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, e cila u arrit me ndërmjetësim të Trumpit, ndërkohë që për Rusinë ato janë hapësira afër të cilat ajo gjithmonë ka dashur të dominojë.

Rusia e largoi Armeninë duke mos e ndihmuar në luftën jo shumë të largët kundër Azerbajxhanit, ndërsa Azerbajxhanin e alienoi duke rrëzuar një aeroplan civil më 25.12.2024. Rusia ka ndikim kryesisht në vendet në zhvillim si Nigeri dhe Burkina Faso, dhe janë pikërisht këto vende që dominojnë mes kandidatëve për BRICS, gjë që, pa ofenduar asnjë vend, nuk është një sukses gjeopolitik.

SHBA dhe pakti i NATO-s nuk janë humbës në luftën në Ukrainë për shkak se nuk marrin pjesë në të. Beteja midis NATO-s dhe Rusisë nuk është regjistruar, dhe nëse kjo do të kishte ndodhur, Rusia duhej t’i shpallte luftë NATO-s dhe të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me vendet anëtare, por kjo nuk u bë.

Dhe, nëse postimi e konsideron NATO-n të mundur për shkak se nuk u zgjerua në Ukrainë, sërish në NATO nuk ka konsensus për pranimin e Ukrainës. Franca dhe Gjermania e ndaluan hyrjen e saj që në vitin 2008. Për shkak se Ukraina nuk u bë pjesë e NATO-s, në pakt u pranuan dy anëtarë të tjerë – Finlanda dhe Suedia, ndaj këtu Rusia në të vërtetë është humbëse.

Dhe, edhe pse Ukraina tani nuk do të hyjë në pakt, ajo mund të marrë garanci sigurie të ngjashme me ato të nenit 5 të Traktatit të NATO-s, dhe nëse sërish sulmohet, SHBA do t’i vijë në ndihmë. Në një rast të tillë, Rusia me vështirësi mund të fillojë pushtime të mëtejshme të Ukrainës, që përbën një humbje për Rusinë.

Më 30.9.2022, Rusia kreu një aneksim të paligjshëm të rajoneve ukrainase: Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, por asnjëherë nuk i mori plotësisht, kështu që ky aneksim ishte i nxituar dhe në një masë të madhe vetëm në letër.

Putini nuk e mori kurrë Zaporizhian, edhe pse sipas kushtetutës dhe ligjit e konsideron atë “qytet i Rusisë”, gjë që vlen edhe për qytetet e Donbasit, Slovjansk dhe Kramatorsk, ndërsa Khersonin e mori, por e humbi më 11.11.2022.

Nga këndvështrimi i Rusisë, ajo nuk ka kontroll mbi territorin e saj dhe mund të marrë vetëm vende të vogla dhe të panjohura për botën si KurakhovoBakhmut ose Avdiivka. Pyetje është nëse është fitore që Rusia merr këto vende të vogla pas muajsh apo viteve të luftës me viktima të mëdha, dhe nëse është fitore që i shkatërron dhe i masakron, duke i konsideruar si të sajat.

Rusia nuk mund të marrë gjithçka për të cilën pretendon, prandaj kërkon nga ukrainasit që me marrëveshje t’ia dorëzojnë në këmbim të paqes, gjë që ata e refuzojnë, dhe ajo nuk mund të bëjë shumë për këtë, ndaj nuk është e qartë se çfarë “fitoreje” po festojnë mbështetësit e saj.

 

Ukraina nuk është përjashtuar nga procesi i paqes, as evropianët

Me atë që u tha më parë rrëzohet edhe pohimi i propagandistëve pro-rusë se mendimi i Ukrainës është i parëndësishëm dhe se për të do të vendosin vetëm Putin dhe Trump. Por, Trump njoftoi se Ukraina do të përfshihet në negociata, dhe edhe pse ai mendon se ajo duhet të bëjë lëshime territoriale, vendimi përfundimtar i lihet Ukrainës, e cila tashmë ka shprehur qëndrimin e saj – dhe ai është negativ.

Thuhet se negociatat do të kalojnë në një format trilateral, me përfshirjen e Zelenskit, dhe më 18.08.2025 ai pati një takim me Trumpin, ku morën pjesë edhe politikanë evropianë: Ursula von der Leyen, Emmanuel Macron, Friedrich Merz, Giorgia Meloni dhe Aleksandar Stubb. Me këtë rrëzohet edhe narrativa pro-ruse që pretendon se evropianët janë tërësisht të marginalizuar nga negociatat.

Shpërndahet edhe narrativa se pjesëmarrja e Zelenskit në negociata është thjesht formale dhe se Trumpi do t’i diktojë se çfarë të bëjë, por, siç pamë më parë, kjo nuk është e vërtetë, të paktën për momentin.

 

Për të ashtuquajturën ndarje të Ukrainës

Propagandistët pro-rusë shpërndajnë edhe dezinformata në Ukrainë dhe mes mbështetësve të saj, duke pretenduar se Putin dhe Trump do ta ndajnë mes tyre territorin e saj, por duke pasur parasysh çfarë u tha më parë, ky skenar është pak i mundshëm. Një shembull për këtë është postimi i mëposhtëm:

Negociatat Trump-Putin për Ukrainën janë pikërisht ajo që i ndodhi Maqedonisë në 1913.

Ukraina e ka humbur luftën që nuk duhej as të fillonte, dhe do të ndahet.

Autorët e këtyre postimeve bëjnë paralelizma mes Marrëveshjes së Bukureshtit në vitin 1913 dhe negociatave të Putinit dhe Trumpit, por këtu ka diçka specifike. Këta autorë janë të revoltuar nga ndarja e Maqedonisë, por nuk u pengon që Ukraina të ndahet, duke treguar standarde të dyfishta.

Megjithatë, saqë ndarja në vitin 1913 përbën një traumë historike për shumë njerëz te ne, atëherë nuk kishte shtet maqedonas, ndërsa Ukraina tani ekziston si shtet, është gjerësisht e njohur dhe ka ushtrinë, diplomacinë dhe mbështetës në botën e zhvilluar, prandaj vështirë se do të mund të ndahej pa reagime.

Një gjë e tillë i ka ndodhur Ukrainës në të kaluarën më të largët, kur ajo ishte e ndarë mes Rusisë, Polonisë ose fqinjëve të tjerë (shihni Marrëveshjen e Andrusovos të vitit 1667 dhe Marrëveshjen e Rigës të vitit 1921), por situata tani është ndryshe.

Saktësisht, Ukraina nuk kontrollon rreth 20% të territorit të saj dhe SHBA kërkojnë që ajo të përballet me këtë realitet, por nuk ka shenja që kërkojnë njohjen e aneksimit rus.

Sipas planit të paqes, këto territore, ashtu si deri tani, do të jenë vetëm de fakto nën kontroll rus, por jo de jure dhe jo përjetësisht – siç thotë negociatori amerikan Kit Kellogg. Ky nuk është një plan për shpërndarjen e Ukrainës, edhe pse nënkupton lëshime të përkohshme.

Fakti që këto territore nuk do të vulosen si pjesë e Rusisë lë mundësinë që Ukraina t’i rikthejë në një të ardhme më të favorshme. Azerbajxhani i riktheu kontrollin mbi rajonin e Nagorno-Karabakut pas plot 30 vitesh.

Një moment i ri dhe mjaft i pakëndshëm për ukrainasit është postimi i Trumpit në rrjetin e tij të njohur social më 18.08.2025. Në atë postim, Trump u sugjeron atyre të harrojnë Krimenë, që ndoshta nënkupton kërkesën për njohjen e atij aneksimi. Megjithatë, Trump është i paqartë, kursen fjalët dhe njihet për daljet e tij skandaloze, ndërsa Zelenski e hodhi poshtë këtë sugjerim, siç e përmendëm më parë.

Nuk ka marrëveshje derisa të arrihet marrëveshja, Ukraina nuk ka nënshkruar asnjë kapitullim dhe nuk është thjesht një vëzhguese pasive në gjithë këtë proces. Çfarë do të ndodhë më tej – mbetet të shihet.