Fushata parazgjedhore nën sulmin e videove të rreme

Published on:

Hapësira digjitale është shndërruar në një terren të favorshëm për manipulim politik përmes manipulimit të përmbajtjeve me inteligjencë artificiale (AI). Krahas postimeve të rreme dhe fotografive të fabrikuara, në javët e fundit janë shfaqur edhe disa video të gjeneruara përmes AI-së, të cilat synojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e votuesve për figura politike dhe zhvillime të ndjeshme brenda partive, në prag të zgjedhjeve të parakohshme që mbahen më 28 dhjetor.

Këto video, të shpërndara kryesisht në Facebook, Tik Tok nga faqe me përmbajtje anonime dhe pa pronësi të deklaruar, në disa raste ndërtohen mbi konflikte reale politike, por duke i shtrembëruar ato përmes pamjeve të rreme, zërit artificial apo montazheve. Qëllimi nuk është informimi, por nxitja e përçarjes, diskreditimi personal dhe thellimi i mosbesimit publik në prag të zgjedhjeve.

“Përleshja” e rreme mes Xhafer Tahirit dhe Lumir Abdixhikut

Në njërën prej videove pretendohet se ish-kryetari i degës së LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri, është përfshirë në një kacafytje fizike me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Videoja qarkulloi në rrjete sociale pas zhvillimeve të brendshme në LDK që lidheshin me zgjedhjet lokale të nëtorit. Brenda partisë pati përplasje të hapura lidhur me mbështetjen për balotazhin e zgjedhjeve lokale në Vushtrri.

Manipulim me AI

Pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, Tahiri kishte arritur një marrëveshje politike për të mbështetur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Vushtrrisë në balotazhin e 9 nëntorit, pa miratimin e strukturave qendrore të LDK-së. Kryesia e partisë dhe vetë kryetarit Lumir Abdixhiku e kundërshtuan publikisht këtë marrëveshje, duke e cilësuar si vendim individual dhe jashtë linjës zyrtare të partisë.

Pas këtyre zhvillimeve, Xhafer Tahiri dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së LDK-së në Vushtrri. Por asnjëherë nuk ka pasur përplasje fizike mes tij dhe Abdixhikut. Videoja që pretendon një “kacafytje” është e gjeneruar përmes inteligjencës artificiale nga një fotografi reale mes Tahirit e Abdixhikut e realizuar më herët dhe shfrytëzon një mos marrëveshje politike për ta dramatizuar dhe banalizuar situatën, duke krijuar përshtypjen e një partie në kaos dhe dhunë të brendshme.

Manipulimi me imazhin e Gërvallës

Videoja tjetër e ka cak ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe njëherësh kandidate për deputete nga lista Guxo në kuadër të Vetëvendosjes, Donika Gervalla. Në pamje, ajo paraqitet kinse është duke kënduar këngë që promovojnë konsumimin e substancave narkotike.

Manipulim me AI

Edhe këtu kemi të bëjmë me një manipulim të pastër digjital. Pamja është gjeneruar përmes inteligjencës artificiale dhe është montuar në mënyrë të tillë që krijon një narrativë komprometuese. Nuk ekziston asnjë provë që Gervalla ka kënduar apo promovuar përmbajtje të tillë.

Ky lloj manipulimi synon diskreditimin moral dhe politik të një figure publike, veçanërisht në kontekstin e një fushate zgjedhore ku perceptimi publik luan rol vendimtar. Videoja është publikuar nga një faqe që më herët ka shpërndarë përmbajtje të rreme dhe sensacionaliste, pa burime dhe pa transparencë editoriale.

Albin Kurti, kinse duke marrë në shenjë me kallashnikov

 Videoja tjetër e paraqet kryeministrin Albin Kurti në moshë të re, kinse duke marrë në shenjë me një kallashnikov, ndërsa në sfond dëgjohet kënga e Edona Llalloshit, e cila së fundi ia kushtoi Kurtit një këngë të ripërpunuar me vargje si: “nuk jam djalë për me u koritë, jam Albini pushkë me qitë”. Pamjet me armë janë të gjeneruara dhe nuk përkojnë me asnjë dokumentim real historik. Qëllimi i videos është të ndezë emocione, të instrumentalizojë luftën dhe të manipulojë ndjeshmërinë publike në funksion të fushatës.

 

Manipulim me AI

Kjo video ndërton një narrativë të rreme duke e lidhur Kurtin drejtpërdrejt me luftën e armatosur dhe UÇK-në, në një mënyrë që nuk mbështetet në fakte. Debati për rolin e Kurtit gjatë luftës ka ekzistuar prej vitesh dhe lidhet me angazhimin e tij në Zyrën Politike të UÇK-së në vitin 1999, e udhëhequr nga Adem Demaçi. Edhe brenda ish-drejtuesve të UÇK-së ka pasur interpretime të ndryshme për rolin e Kurtit, nëse ai ka qenë ose pjesë e UÇK-së, rrjedhimisht nëse duhet të jetë i regjistruar si veteran.

AI dhe manipulimi elektoral

Këto raste janë pjesë e një trendi më të gjerë të përdorimit të inteligjencës artificiale për manipulim politik, i cili është shtuar në prag të zgjedhjeve të parakohshme. Video të tilla shfrytëzojnë algoritmet e rrjeteve sociale, shpërndahen shpejt dhe shpesh arrijnë qindra mijëra shikime, komentime e shpërndarje.

Rreziku qëndron në faktin se këto përmbajtje e mjegullojnë kufirin mes reales dhe të fabrikuarës, duke e vështirësuar për qytetarët të dallojnë të vërtetën nga manipulimi.

 

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”