Giorgia Meloni nuk fshiu fotot me Zelenskyn nga rrjetet e saj sociale

Published on:

Giorgia Meloni Foto nga profili i tij n; X (Twitter)

 

Nga Pustina Patris

Ky artikull u botua për herë të parë nga Faktoje.al (Shqipëri), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

 

Pretendimi: Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka fshirë të gjitha fotot me presidentin ukrainas Zelensky nga rrjetet sociale.

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————

Në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka fshirë fotot me presidentin ukrainas Zelensky nga rrjetet e saj sociale.

Megjithatë, ky pretendim është i pabazë. Fotot e Giorgia Melonit me presidentin ukrainas mbeten të dukshme në rrjetet e saj sociale.

Duke bërë një kërkim të thjeshtë, zbulojmë se llogaria në Twitter/X e Giorgia Melonit ende përmban postime që i referohen Ukrainës dhe presidentit Zelensky.

Fotografia e Giorgia Melonit dhe Volodymyr Zelensky është ende e dukshme në llogarinë e kryeministres italiane në Twitter/X

Për më tepër, në kanalin zyrtar të Giorgia Melonit në YouTube, disa video ku ajo shfaqet përkrah Zelensky janë ende online.

Faqja zyrtare e kryeministrisë italiane botoi gjithashtu disa foto të Zelensky dhe Melonit të shkrepura gjatë një takimi të liderëve europianë në Londër më 2 mars 2025.

Pyetur nga kolegët italianë të Open, një zëdhënës i Palazzo Chigi, selia e qeverisë italiane, konfirmoi se ky pretendim ishte “lajm i rremë”.

Aktualisht fotot dhe videot e takimeve mes Giorgia Melonit dhe Zelenskyt janë ende të pranishme në llogarinë institucionale të Palazzo Chigi në Twitter/X.

Meloni së fundmi propozoi shtrirjen e Nenit 5 të NATO në Ukrainë pa i dhënë vendit anëtarësimin në aleancën ushtarake. Sipas saj, kjo do të siguronte siguri afatgjatë dhe efektive për Ukrainën.