Përdorimi i termit “shiptar” nga politikanët serbë ka qenë një çështje e debatueshme dhe konsiderohet si fyes ndaj shqiptarëve. Ky term, i cili është një deformim i fjalës “shqiptar”, në kontekstin serb ka konotacione negative, duke i portretizuar shqiptarët si njerëz primitivë dhe të paqytetëruar. Termin të cilin edhe gjykatat në Serbi e kanë cilësuar fyes, e risolli në institucionin më të lartë ligjvënës në Serbi, Ana Bërnabiq.
Sesioni i parë parlamentar pranveror i Serbisë, i mbajtur më 4 mars 2024 në Beograd, u karakterizua nga tensione të larta, kaos dhe përplasje fizike mes deputetëve. Ajo që nisi si një debat i zakonshëm, u shndërrua shpejt në një skenë të tensionuar, ku deputetët e opozitës hodhën bomba tymuese, duke shkaktuar ndërprerjen e seancës.
Element i dukshëm i këtij debati ishte përpjekja e partisë në pushtet për ta ndërlidhur situatën politike në Serbi me Kosovën. Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, akuzoi opozitën se po vepron në favor të mediave në Kosovës që sipas saj, janë të afërta me kryeministrin, Albin Kurti.
“U bëtë yje, jeni ndjekësit e tij, ju lumtë (…)”, tha Bërnabiq. Gjatë deklaratës së saj, ajo iu referua mediave kosovare me termin fyes dhe pezhorativ “shiptar”, duke tentuar të delegjitimojë raportimet e tyre dhe njëkohësisht të diskreditojë opozitën serbe duke e lidhur me Kosovën.
“Kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj se si ju lavdërojnë mediat ‘shiptare’ (…)”, ka thënë ajo, tek mbante në duar raportimet e dy mediave të Kosovës, “Koha” dhe “Reporteri”, lidhur me zhvillimet në Kuvendin e Serbisë.
Mediumet serbe pro pushtetit i dhanë një pasqyrim të gjerë kësaj deklarate. Portali “Informer” publikoi një artikull me titull: “Ana Bërnabiq shpalosi tringjyrën serbe në Kuvend: Përgjigja jonë ndaj politikave të Kurtit do të jetë Serbia!”, duke e prezantuar Bërnabiqin si një figurë që mbron interesat kombëtare serbe kundër, siç sugjerohet, një ndikimi të jashtëm.
Përdorimi i termit “shiptar”, i cili konsiderohet fyes u kritikua gjerësisht edhe nga përfaqësues të komunitetit shqiptar në Serbi. Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, reagoi duke e cilësuar si pjesë të një kulture politike të bazuar në nacionalizmin serbomadh. Ai theksoi se përdorimi i një gjuhe të tillë nga figura të larta politike nuk është rastësor, por reflekton qasjen zyrtare të shtetit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
“Ana Brnabic, kryetarja aktuale e Parlamentit dhe ish-kryeministrja e Serbisë, gjatë deklaratave të saj në seancën e sotme, në të cilën opozita përdori gaz lotsjellës dhe pati dhunë mes deputetëve përdori gjuhën e urrejtjes dhe shpërfaqi fashizëm ndaj shqiptarëve dhe mediave kosovare”, ka thënë Kamberi.
Reagime erdhën edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, e cilësoi deklaratën e Bërnabiqit si raciste dhe të rrezikshme, ku përdorimi i tillë i gjuhës së urrejtjes vë në rrezik mediat që raportojnë mbi zhvillimet në Serbi dhe Kosovë.
Nuk është hera e parë që politikanët serbë përdorin këtë terminologji. Zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe ndikimin rus, gjithashtu e ka përdorur termin “shiptari” në të kaluarën, duke tentuar të krijojë një narrativë ku shqiptarët përshkruhen si element destabilizues.
Fyerjet nga nivelet më të larta të pushtetit kanë vazhduar pavarësisht vendimit të një gjykate në Serbi e cila e ka cilësuar termin “shiptari” si politikisht të pasaktë dhe fyes.
Në fund të vitit 2018, Gjykata e Apelit në Beograd konfirmoi një vendim të Gjykatës së Lartë, duke sanksionuar përdorimin e termit “shiptar” si gjuhë urrejtjeje. Kjo çështje ishte ngritur nga Anita Mitic, një ish-aktiviste e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, kundër tabloidit “Informer”. Gjykata vendosi se përdorimi i këtij termi përbën gjuhë urrejtjeje dhe është ofendues për shqiptarët.
Gjykata ka treguar gjithashtu se përdorimi i termave si “shqiptarë”, “organizata shqiptare Soros” dhe “luftë speciale” përbëjnë gjuhë të urrejtjes dhe shkelje të detyrës që gazetarët kanë për të shfrytëzuar kodin e etikës dhe të fjalës publike. Përdorimi i termave të lartpërmendur u konsiderua si shkelje e ndalimit të gjuhës së urrejtjes për bindjet politike dhe të tjera, vlerat dhe objektivat për të cilat qëndrojnë Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Anita Mitic.
Qasje e politikanëve serbë reflekton një strategji të qartë të instrumentalizimit të shqiptarëve dhe raportit me Kosovën për qëllime politike të brendshme. Përmes këtyre deklaratave, qeveria e Serbisë tenton të devijojë vëmendjen nga protestat dhe krizat e saj të brendshme duke përdor nacionalizmin. Përdorimi i gjuhës pezhorative dhe fyerjeve ndaj shqiptarëve thellon ndarjet etnike në rajon si dhe ndikon negativisht në përpjekjet për stabilitet dhe dialog konstruktiv.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”