Incidenti i fundit në Mitrovicën e Veriut, që përfshinte maturantët serbë gjatë festimeve të përfundimit të shkollës së mesme, është përdorur nga disa rrjete pro-serbe në media online për të nxitur frikë dhe tension ndëretnik. Në qendër të kësaj narrative është një fotografi që tregon një maturant me një njollë të kuqe në qafë, e interpretuar nga shumë media dhe faqe në Facebook si “shenja gjaku”, si pasojë e dhunës së ushtruar nga Policia e Kosovës. Por, autoritetet e demantuan këtë, duke vënë në dispozicion edhe fotografitë e maturantit për të cilin u pretendua se është gjakosur.
Si erdhi deri tek incidenti?
Më 21 maj, gjatë festimeve tradicionale të maturantëve serbë në Mitrovicën e Veriut, pati një incident ku u kënduan këngë nacionaliste kundër Kosovës, e njëri prej tyre provokoi qytetarë që ishin ulur në kafene. Për të parandaluar eskalimin dhe përplasjen eventuale, intervenuan pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Videot shfaqin edhe përplasjen mes policisë dhe maturantit që u pretendua së është gjakosur në fyt.
Në rrjetet sociale u shpërnda me shpejtësi fotografia e të riut serb me një njollë të kuqe në qafë, duke lënë të nënkuptohej se kishte ndodhur sulm fizik nga një pjesëtar i Policisë. Disa faqe në Facebook dhe përdorues të tjerë e paraqitën pamjen si dëshmi të dhunës etnike, duke shkruar për “përgjakje në fyt” and “rrezikim të jetës së të rinjve serbë”.
In a recent video tjetër të shpërndarë në Facebook u dramatizua situata, duke përforcuar narrativën se qytetarët serbë janë nën sulm të vazhdueshëm në Kosovë, pa ofruar ndonjë fakt apo verifikim nga autoritetet përkatëse.
Gjatë manifestimit, disa pjesëmarrës, sipas autoriteteve, kanë filluar provokimet ndaj qytetarëve që ishin ulur në kafe në shesh, me simbole nacionaliste dhe thirrje: “Kosova është zemra e Serbisë.”
Pamje nga ndërhyrja e Policisë
Versioni i Policisë së Kosovës
Sipas Policisë së Kosovës, incidenti nuk përfshiu dhunë fizike apo plagosje, siç u raportua nga media dhe faqe të ndryshme në gjuhën serbe. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në konferencën e mbajtur lidhur me rastin në veri, ka thënë se në pjesën ku pretendohet se ka pasur gjak si pasojë e dhunës nga zyrtari policor, “ka pasur vizatim me ngjyrë”, gjë që e ka deklaruar edhe vetë maturanti në Polici në prezencë të prindit. PK-ja ka vënë në dispozicion edhe fotografitë që i janë bërë maturantit në të gjitha profilet e kokës, me rastin e intervistimit në Polici.
“Në pjesën ku pretendohej të kishte gjak, ishin vizatime me ngjyrë. Edhe vetë pala në deklaratën në Polici, në prezencë e prindit të tij, ka thënë se kanë qenë vizatime me marker dhe ka thënë që është traditë e maturantëve të ngjyrosen ashtu. Maturanti nuk ka shenja dhune në qafë. Bazuar në fakte dhe dëshmi, nuk ka pasur gjakosje të maturantit nga Policia”, ka thënë Hoxha. Ai ka folur edhe për, siç ka thënë, përndjekjen që po ia bën Serbia policit të Kosovës, i cili ishte i përfshirë në rast, e ku në video shihet duke e tërhequr të riun serb.
Fotografia e maturantit që u pretendua se është gjakosur, e publikuar nga Policia e Kosovës
Sipas Hoxhës, veç përndjekjes ndaj policit, ka pasur edhe kërcënime me jetë.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pretendimet për dhunë ndaj maturantit i quajti propagandë të Serbisë.
Rreziku i përshkallëzimit të situatës
Por, politikanë serbë që bëjnë pjesë në Qeverinë e Kosovës bënë thirrje për hetimin e plotë të rastit nga instanca të tjera.
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, e ka dënuar incidentin në Mitrovicën e Veriut, duke thënë se përdorimi i mundshëm i forcës kundër të rinjve, “veçanërisht në momente simbolike siç janë festimet e diplomimit, paraqet një goditje serioze ndaj vlerave themelore demokratike dhe përkeqëson më tej marrëdhëniet tashmë të brishta në veri të Kosovës”. Rasiqi paralajmëroi se do t’i drejtohet Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) për hetim të plotë.
Reaguan edhe politikanë të tjerë nga veriu për mënyrën se si polici ndërhyri gjatë defilimit të maturantëve. Aleksander Arsenijeviq publikoi edhe një video në të cilën shihet intervenimi i zyrtarit të Policisë, pasi njëri prej tyre ua ngriti gishtin e mesëm qytetarëve që ishin në kafene. Polici dëgjohet tek i thotë të mos ketë provokime. Në footage po ashtu shihet edhe një person që bën shqiponjën nga kafeneja ku ishte ulur.
Shqetësim me incidentin ka shprehur edhe shefi i Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano,
“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj përdorimin e tepërt të forcës të shfaqur sot nga një anëtar i Policisë së Kosovës kundër një djali të ri në veri të Mitrovicës. I kam shprehur shqetësimet e mia udhëheqjes së Policisë së Kosovës dhe jam i bindur se ata që janë përgjegjës për këtë akt të papranueshëm do të mbahen përgjegjës në përputhje me sundimin e ligjit”, ka shkruar ai.
Serbia ka lëshuar fletarrestim ndaj një zyrtari policor që ndërhyri në incidentin e së premtes në Mitrovicë të Veriut.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka paralajmëruar se polici do të arrestohet kurdo që të jetë e mundur dhe se fletarrestimi ndaj tij nuk do të shfuqizohet.
Ky incident është shembull tipik se si mund të përshkallëzojnë tensionet duke manipuluar me emocionet veçanërisht në kontekste etnike të ndjeshme. Fotografia e shkëputur nga konteksti dhe e shpërndarë pa verifikim, me pretendimin se një i ri serb u gjakos brutalisht, u kthye brenda pak orëve në një armë propagandistike. Siç ndodh zakonisht në rastet e tilla, ajo u përdor për të mobilizuar ndjenja nacionaliste, sidomos në kanalet e Telegramit që mbështeten nga Serbia e Rusia.
*This article is published as part of the Western Balkans Regional Initiative against disinformation. “Western Balkans Anti-Disinformation Hub: exposing malign influences through watchdog journalism.”






