Zyrtarë të lartë serbë dhe media pro-qeveritare ditët e fundit kanë shtyrë përpara një narrativë të koordinuar që synon të paraqesë serbët si viktima të një shtypjeje të organizuar, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Kjo qasje u intensifikua pas një incidenti në Beograd që përfshiu disa studentë serbë. Strategjia e tillë përdoret sa herë ka zhvillime në Serbi dhe paraqet shembull tipik të ngatërrimit të qëllimshëm të ngjarjeve nga pushteti atje për të ndërtuar ndjenjën e viktimizimit kombëtar të serbëve.
Në një postim të fundit në “X”, Drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, bëri lidhje provokuese me zhvillimet në Kosovë, duke e paraqitur si pjesë të një konspiracioni të gjerë anti-serb.
“Terrori që përjetojnë të rinjtë serb nga policia e Kurtit në Kosovë ka të njëjtën fytyrë me dhunën e bllokuesve kundër studentëve që duan të mësojnë. Milos Pavlović dhe kolegët e tij janë viktima të asaj dhune. A kemi arritur në pikën ku kushdo që dëshiron të studiojë dhe të ndjekë universitetin do të linçohet? E njëjta matricë si veprimet e Kurtit ndaj serbëve! Nuk duhet të harrojmë kurrë se Kurti mbështeti protestat dhe bllokuesit!”, ka shkruar Petkoviq.
Ky deklarim përpiqet të bashkojë dy ngjarje të ndara nën një narrativë të vetme të viktimizimit serb, duke futur zhvillimet e brendshme gjatë protestave në Serbi dhe operacionet policore në veri të Kosovës. Pretendimi i Petkoviqit për terror ndaj serbëve në Kosovë nuk mbështetet me ndonjë fakt të qëndrueshëm nga institucionet përkatëse. Policia e Kosovës ka ndërmarr aksione në veri për mbylljen e strukturave paralele të cilat u kundërshtuan nga serbët dhe ndërkombëtarët, por nuk ka pasur “terror” ndaj serbëve siç pretendon Petkoviq.
Miloš Pavlović, përfaqësues i një grupi studentësh që po kundërshtojnë bllokimin e fakulteteve në Serbi, tha se ai dhe shokët e tij u sulmuan të mërkurën në mbrëmje ndërsa ishin ulur në një kafene pranë Qytetit të Studentëve, në Beogradin e Ri. Ai, këtë e deklaroi për mediat pro-qeveritare, të cilat i dhanë tone nacionaliste raportimit, duke i quajtur fashistë protestuesit të cilët prej muajsh janë ngritur kundër regjimit të Vuçiqit.
Në një postim në “Instagram”, Vuçiç që takoi studentin i cili u sulmua tha se “shteti nuk do ta tolerojë më dhunën” dhe i krahasoi studentët në bllokadë me “nazistët”. Autoritetet në Serbi janë duke e hetuar rastin.
Universitetet publike në Serbi nuk janë rihapur që nga fundi i nëntorit 2024, kur studentët organizuan bllokada duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për aksidentin në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.
Mediume e politikanë serbë në disa raste i kanë ndërlidhur protestat studentore me kinse mbështetjen që po u ofron Kosova të gjithë atyre që duan “shkatërrimin” e Serbisë. Këtë e kanë bërë në përpjekjen për ta fajësuar perëndimin për përkrahje të protestuesve, në disa raste duke pretenduar rrejshëm se ato po nxiten edhe nga Kosova.
Në raportimin për sulmin e pretenduar ndaj Pavloviqit, mediat pro qeveritare në Serbi nuk ofruan kontekstin e ngjarjes apo perspektivat e tjera. Vetëm e cilësuan incidentin si një sulm ndaj “serbëve të vërtetë” dhe vlerave kombëtare.
Të njëjtat media në raportimet e tyre, portretizojnë komunitetin serb në Kosovë si të rrethuar nga një regjim represiv në Prishtinë, duke përdorur pretendime të paqarta, të paverifikuara dhe pamje dramatike për të nxitur frikë dhe zemërim. Përmes kësaj qasjeje synohet krijimi i narrativës se serbët pavarësisht nga vendndodhja gjeografike, janë nën kërcënim të vazhdueshëm.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”



