Foto ilustrim: PK
Më 10 gusht, në zonën malore mbi fshatin Vuçe të Leposaviqit, një zyrtar i Policisë Kufitare të Kosovës përdori armën gjatë ndjekjes së një personi që nuk iu bind urdhrave për t’u ndalur.
Sipas raportimit të Kallxo.com, që citoi Policinë e Kosovës, ngjarja ndodhi gjatë një operacioni kontrolli ku një individ nuk iu bind urdhrave për kontroll policor. Zyrtari policor që po e ndiqte përdori armën, ndërsa nuk pati të lënduar.
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka thënë se pas ndalimit të një automjeti “Golf” pa targa dhe kërkesës për dokumente, zyrtarët kanë kërkuar që dy personat brenda makinës të dilnin jashtë.
“Pas ndalimit të veturës, kërkimit të dokumenteve dhe kërkesës së policëve që 2 personat të dilnin nga vetura, njëri nga ta duke e shfrytëzuar terrenin ka ikur. Policia është vënë në ndjekje dhe pas një kohe ai ka ndaluar, ka nxjerrë diçka nga brezi dhe ua ka drejtuar policëve. Njëri polic ka shkrepur një të shtënë nga arma e tij, ndërsa personi ka ikur”, ka thënë Elshani. Ai shtoi se më vonë personi që iku është paraqitur në stacionin policor së bashku me avokatin e tij. Sipas Policisë, të dy personat janë të palënduar.
Hetimet lidhur me rastin janë duke u zhvilluar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Me tone të ngjashme për incidentin raportoi edhe portali në gjuhën serbe Kossev.info, duke theksuar se të shtënat ndodhën gjatë ndjekjes dhe se incidenti nuk rezultoi me viktima.
Menjëherë pas publikimit të lajmit, disa kanale serbe në Telegram e paraqitën ngjarjen në mënyrë të shtrembëruar. Kanali “Korridor” publikoi një version dramatik të rastit, duke pretenduar: “Sipas informacioneve që kemi, terroristët shqiptarë qëlluan drejt fëmijëve serbë që po piqnin në skarë mbi fshatin Vuče gjysmë ore më parë. Fëmijët po piqnin në skarë kur mbërritën, në atë moment ata kishin veshur bluza me simbole, filluan t’i rrihnin, një djalë iku me vrap në pyll dhe ata e qëlluan!”.

Kanali serb që e paraqiti incidentin në mënyrë të shtrembëruar
Ky rrëfim, i cili nuk mbështetet në asnjë burim zyrtar, u shpërnda në rrjetet sociale serbe, duke krijuar perceptimin e një sulmi të qëllimshëm ndaj civilëve serbë, në veçanti fëmijëve. Mohimi i faktit se incidenti rezultoi pa viktima, la të hapur perceptimin se dikush mund të jetë vrarë nga “terroristët”, duke mos e përmendur PK-në, gjë që nxiti komente në postimin e kanalit serb.
Reagimet politike nga Beogradi ishin në linjë me këtë narrativë. Srpska Lista, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cilësoi incidentin si një akt të paprovokuar të “policisë së Kurtit” ndaj qytetarëve serbë, duke thënë se ky është “vazhdim i politikës së frikësimit dhe dëbimit të serbëve nga veriu”.
“Policia në Vuçe veproi sot më keq se në një situatë lufte, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, shkruan në reagim.
Edhe Petar Petkoviq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, akuzoi se “forcat e vendosura nga Prishtina në veri të Kosovës dhe M nuk janë aty për t’u kujdesur për rendin dhe paqen, por për të shtypur, frikësuar dhe ushtruar terror”. Ai pretendoi se incidenti “është pjesë e një plani të qartë për frikësimin e serbëve dhe për t’i larguar ata nga Kosova”.
Kryetari i Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drequn, deklaroi për mediat serbe se “ka vazhdimësi në terrorizimin e serbëve” dhe se “qëllimi është spastrimi etnik”. Këto mesazhe u amplifikuan edhe nga mediumet e tjera që raportuan me tituj si: “Policia e Kurtit qëllon mbi serbët”.
Ky rast ilustron qartë dallimin mes raportimeve të mediave profesionale që bazohen në të dhënat e policisë dhe hetimet zyrtare dhe narrativave të amplifikuara në rrjete sociale e deklarata politike që e paraqesin incidentin, pa u zbardhur të gjitha rrethanat, si pjesë të një komploti të gjerë kundër komunitetit serb në Kosovë.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”



