Inteligjenca artificiale si armë e re në fushatat dezinformuese ruse

Published on:

Foto: Kolazh Kanva

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Rasti me “dokumentet e rrjedhura” të sajuara, që kinse zbulojnë një komplot të fshehtë nga Franca, Britania e Madhe, Polonia dhe Rumania për ndarjen e Ukrainës në sfera ndikimi, e thekson rrezikun gjithnjë e më të madh nga fushatat dezinformuese të fuqizuara me inteligjencë artificiale. Teknologjia mundëson që për një kohë të shkurtër të krijohen përmbajtje të rreme bindëse dhe mesazhet të formësohen sipas audiencës specifike. Në shembullin me Rusinë, shihet se si IA mund të shfrytëzohet për krijimin e narrativave të synuara për shtete të ndryshme, duke mbajtur njëkohësisht një linjë të unifikuar propagande.

 

Shkruan: Ana Anastasovska

Luftën në Ukrainë, Rusia nuk e zhvillon vetëm në fushëbetejë, por edhe në sferën digjitale. Propaganda mediatike e Kremlinit gjithnjë e më shumë po e shfrytëzon inteligjencën artificiale për të mbjellë përçarje mes aleatëve të Ukrainës dhe për të ulur mbështetjen publike për kombin në konflikt.

Shembulli më i fundit i kësaj fushate dezinformuese të drejtuar nga inteligjenca artificiale u shfaq pas takimit të “Koalicionit të gatshëm” më 4 shtator, vëren DISA. Ky takim iu kushtua sigurimit të forcave paqeruajtëse për Ukrainën. Menjëherë pas takimit, burime pro-Kremlinit, përfshirë edhe grupin famëkeq të hakerëve Killnet, nisën një ofansivë të koordinuar dezinformuese. Ata shpërndanë “dokumente të rrjedhura” të sajuara, që kinse zbulonin një komplot të fshehtë nga Franca, Britania e Madhe, Polonia dhe Rumania për ndarjen e Ukrainës në sfera ndikimi. Kjo narrativ u përhap shpejt në platformat e mediave sociale si X (dikur Twitter), TikTok, Facebook, Instagram dhe Telegram.

Siç thekson Verdika, plani i supozuar që Perëndimi ta pushtojë Ukrainën, i paraqitur nga “Mash” (një grup pro-Kremlinit në Telegram), nuk ka asnjë bazë faktike. Ai është një shpikje e krijuar për ta ushqyer narrativin e Kremlinit se Perëndimi “dëshiron ta ndajë Ukrainën”. Në të vërtetë, “Koalicioni i gatshëm” – një term që përdoret për grupin e shteteve që mbështesin Kievin, ka një qëllim krejt tjetër: t’i ndihmojë Ukrainës të mbrojë sovranitetin e saj, të zmbrapsë agresionin rus dhe të sigurojë stabilitet rajonal pas përfundimit të fazës së nxehtë të konfliktit të armatosur me Rusinë.

Qëllimi përfundimtar i këtij mesazhi dezinformues është të promovojë një narrativ të përsëritur që e paraqet Ukrainën si një kukull të Perëndimit, ndërsa mbrojtjen e saj si një luftë ndërmjetëse kundër Rusisë. Ky mesazh synon të minojë ndihmën ndërkombëtare për vetëmbrojtjen e Ukrainës nga pushtimi rus dhe synon ta shmangë përgjegjësinë e Moskës për agresionin e saj, vëren EUvsDisinfo

Shpejtësia dhe sofistikimi i fushatës së dezinformimit ishin alarmues, vëren DISA. U shpërndanë video me cilësi të lartë, të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, me paraqitje të rreme të thella (deepfake) të zyrtarëve francezë, duke imituar stilin e lajmeve legjitime. Këto video i dhanë një vello autenticiteti narrativit të sajuar, duke rrezikuar t’i mashtrojnë shikuesit e pakujdesshëm. Gjithashtu, harta të rreme që paraqisnin planin e supozuar për ndarje u shpërndanë gjerësisht, duke kontribuar më tej në përhapjen e narrativit të rremë. Qëllimi ishte i qartë: të mbillej mosbesim mes aleatëve të Ukrainës dhe të krijohej përshtypja e një koalicioni ndërkombëtar të përçarë.

Qeveria franceze reagoi shpejt ndaj fushatës së dezinformimit. Përmes llogarisë së saj zyrtare në X, ajo mohoi se harta ishte autentike dhe theksoi se ajo përmbante gabime gramatikore dhe drejtshkrimore.

  • Bjellorusia (“Belarus”) në frëngjisht ishte përkthyer si “Biélarus”, gjoja në vend të formës së saktë “Biélorussie”.
  • Emri i ish-gjeneralit francez Thierry Burkhard ishte shkruar gabim.
  • Te titulli i hartës mungonte nyja “la” (“la carte…”), një gabim që, sipas Francës, zakonisht e bëjnë rusët.
  • Harta e trajtonte Krimenë si pjesë të territorit rus, gjë që është në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të Francës dhe të vendeve perëndimore, të cilat e konsiderojnë Krimenë territor ukrainas nën pushtim.

Sipas ekspertëve të inteligjencës që punojnë me të dhëna të hapura ose publikisht të disponueshme (“Open source intelligence”), harta për herë të parë është shpërndarë në llogarinë e Telegramit “Mash” më 9 shtator.

Ky rast e thekson rrezikun gjithnjë e më të madh nga fushatat dezinformuese të fuqizuara me inteligjencë artificiale. Teknologjia mundëson që për një kohë shumë të shkurtër të krijohen përmbajtje të rreme bindëse dhe mesazhet të formësohen sipas audiencës specifike. Në shembullin me Rusinë shihet se si IA mund të shfrytëzohet për krijimin e narrativave të synuara për shtete të ndryshme, ndërkohë që ruhet një linjë e unifikuar propagande. Shpejtësia dhe përmasat e këtyre operacioneve kërkojnë një reagim të menjëhershëm dhe të përbashkët nga qeveritë dhe kompanitë që menaxhojnë rrjetet sociale.