Foto MM: Autoblindat e reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 18 gusht 2025
Sa herë që Kosova njofton plane për investime të reja në ushtri, në Serbi kjo prezantohet si një histori alarmante për “sulme të afërta” dhe “kërcënim ndaj serbëve”. Kjo u pa edhe pas njoftimit që bëri kryeministri në detyrë, Albin Kurti, lidhur me investimet në ushtri. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti mes tjerash, foli edhe për investimet që do të bëhen në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Për ushtrinë tonë në katër vitet e mandatit të ardhshme do të ndajmë buxhet mbi 1 miliardë euro. Do të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin ndërkombëtar bilateral dhe multilateral me shtetet anëtare të NATO-s”, tha Kurti.
Ai tutje shtoi se fuqizimi i ushtrisë do të realizohet përmes blerjes së armatimit, stërvitjes dhe edukimit brenda vendit, si dhe në bashkëpunim me Shqipërinë dhe akademitë ushtarake në vendet partnere.
Media të afërta me pushtetin në Serbi dhe të njohura për narrativa kundër Kosovës, e shtrembëruan qëllimin e blerjes së armatimit nga ana e Kosovës.

Pretendohet pa fakte se po përgatitet sulm ndaj Serbisë
Portali “Alo” publikoi një artikull me titullin: “Po përgatitet një sulm i përgjithshëm ndaj Serbisë”, duke pretenduar pa asnjë provë se qeveria e Kosovës po planifikon një ofensivë të përbashkët ushtarake. Më tej, artikulli e përshkruan kryeministrin si “të etur për gjakderdhje” – një etiketim emocional i ndërtuar për të ushqyer frikë dhe për të nxitur armiqësi. Në artikull po ashtu spekulohet lidhur me krijimin e ushtrisë së Kosovës, tek merret referencë rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, lidhur me mandatin e Misionit të NATO-së në Kosovë, KFOR. Por pavarësisht faktit se KFOR vazhdon të jetë prezent, Kosova e transformoi ushtrinë e saj përmes ligjeve të miratuara në vitin 2018, ndërmarrje kjo që u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera, me të cilat Kosova ka edhe marrëveshje ushtarake për armatosje.
Në të njëjtën linjë, edhe portali “Pravda” botoi një shkrim me titull provokues: “Ku po marshon Kurti? Një njësi pa kufij”. Aty ngrihen pyetje retorike mbi qëllimet e forcimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke krijuar përshtypjen se çdo hap drejt modernizimit ushtarak përbën rrezik për paqen në rajon.
Narrativa të ngjashme janë shpërndarë edhe nga “Sputnik Serbia”, duke e lidhur çdo investim ushtarak të Kosovës me kërcënimin e drejtpërdrejtë për serbët. Në të kaluarën, sa herë që Kosova ka blerë pajisje të reja, ka marrë mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë ose ka rritur buxhetin për mbrojtje, mediat pro-qeveritare në Serbi kanë ngritur alarmin për gjoja “përgatitje për luftë”. Ky model përsëritet me synimin që Kosova të përshkruhet si agresore dhe Serbia si viktimë.
Në realitet, investimet e Kosovës në ushtri janë pjesë e një procesi normal sipas Planit për Tranzicionin e FSK-së, në përputhje me vizionin e integrimeve euro-atlantike dhe të përkrahura nga partnerët ndërkombëtarë. Edhe pse asnjë prej deklaratave zyrtare nuk ka përmbajtur gjuhë kërcënuese ndaj Serbisë, media të caktuara në Beograd ndërtojnë narrativa që i kontribuojnë tensionimit të situatës politike, duke krijuar perceptimin se konfliktet janë të pashmangshme.
Duke i paraqitur shqiptarët e Kosovës si agresorë dhe udhëheqësit e saj si “të etur për gjak”, tentohet të forcohet ndjenja mobilizuese brenda opinionit publik serb. Për më tepër, narrativa të tilla i shërbejnë edhe qeverisë serbe për të legjitimuar pozicionet e saj të ashpra në raport me Kosovën dhe për të shmangur presionin ndërkombëtar për dialog dhe normalizim.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”



