Jo, Ukraina nuk do të rekrutojë fëmijë 14-vjeçarë

Published on:

Ushtar ukrainas Foto: Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, CC BY-SA 2.0, nëpërmjet Wikimedia Commons

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Përkundër asaj që është thënë në publikim, përgatitja e Ukrainës për rezistencë kombëtare nuk do të thotë se “fëmijët 14-vjeçarë do të rekrutohen”. Qasja e paralajmëruar do të thotë se cikli fillon në moshën 14-vjeçare, konkretisht përmes pjesëmarrjes në lojëra ushtarako-patriotike si “Sokil”, “Jura”, si dhe nëpërmjet mësimit të lëndës së përditësuar “Mbrojtja e Ukrainës”, e cila tashmë po zbatohet në shkolla dhe në arsimin profesional.

 

Po bëjmë një recensim të një postimi në rrjetin social Facebook, në të cilin shkruhet:

Ukraina do të rekrutojë fëmijë 14-vjeçarë!!!
Luftë deri te ukrainasi i fundit.
Vetëm pak vetë janë të vetëdijshëm se kjo luftë është një luftë kundër popujve në BE dhe në Rusi… Varfërim masiv i klasës së mesme dhe pasurim i madh i korporatave më të fuqishme.

Në postimin që po recensojmë, shpërndahet një fragment nga një tekst ku thuhet se “Ukraina do të fillojë trajnim ushtarak për adoleshentët nga mosha 14-vjeçare”.

Por për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë dhe a do të rekrutojë Ukraina fëmijë 14-vjeçarë?
Kjo nuk është e vërtetë. Bëhet fjalë për një deklaratë të ushtruesit të detyrës së shefit të Departamentit për Politikën e Rezistencës Kombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Ukrainës, Igor Hort.

Megjithatë, deklarata e Hort nuk thotë se fëmijët 14-vjeçarë do të rekrutohen, siç pretendohet në mënyrë të pasaktë në postimin që po recensojmë.

Rekrutimi do të thotë përfshirje e detyrueshme në shërbimin e forcave të armatosura të shtetit.
Ndërsa Hort paralajmëroi diçka krejt tjetër – trajnim ushtarak për të rinj që janë 14 vjeç. Këta adoleshentë do të marrin pjesë në lojëra ushtarako-patriotike, si dhe do të mësojnë një lëndë të përditësuar në shkolla të quajtur “Mbrojtja e Ukrainës”.

Deklarata e Hort lidhet me një reformë të madhe në sistemin e trajnimit ushtarak në Ukrainë – për të rinjtë dhe për studentët. Mediat ukrainase raportojnë se do të prezantohet një cikël i ri trajnimi për rezistencën kombëtare, i cili do të fillojë që në moshën 14-vjeçare Siç shpjegoi Hort, në vend të trajnimit tradicional bazë ushtarak, Ukraina planifikon të prezantojë një program të ri – “Bazat e rezistencës kombëtare”, që do të përfshijë të gjithë qytetarët duke filluar nga mosha shkollore, dhe që synon jo vetëm aftësimin, por edhe zhvillimin e gatishmërisë për të kontribuar në mbrojtjen kombëtare. Pra, bëhet fjalë për arsimim dhe edukim patriotik, jo për rekrutim ushtarak.

Trajnimi do të fillojë me pjesëmarrje në ngjarje ushtarako-patriotike si “Sokil” dhe “Jura”, si dhe me mësimin e lëndës së përditësuar “Mbrojtja e Ukrainës”, e cila tashmë mësohet në shkolla.
Por kjo nuk do të thotë që nxënësit 14-vjeçarë do të jenë pjesë e ushtrisë, siç pretendon në mënyrë të pavërtetë postimi që po recensojmë. Sipas njoftimeve nga institucionet e arsimit të lartë, do të prezantohet lënda “Bazat e rezistencës kombëtare”. Sipas Igor Hort, ndryshe nga sistemi i mëparshëm, modeli i ri do të fokusohet në aftësi praktike: përdorimi i armëve, taktikat dhe trajnimi me armë zjarri. Qëllimi është të rritet niveli real i aftësisë luftarake.

Pas përfundimit të studimeve në institucionet arsimore, qytetarët do të kryejnë shërbim ushtarak bazë, i cili do të bëhet pjesë e detyrueshme e sistemit të përgjithshëm të trajnimit.
Siç shpjegon një përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes, ky model synon të bëjë aftësinë mbrojtëse të vendit më masive dhe më të qëndrueshme.

Përveç kësaj, janë planifikuar qendra të veçanta trajnimi për rezervistë, studentë dhe vullnetarë nga mosha 18 deri në mbi 60 vjeç. Çdokush do të mund të trajnohet, të mësojë të përdorë armë dhe të vlerësojë nivelin e gatishmërisë së tij luftarake.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë specializim ushtarak. Bëhet fjalë për motivim dhe përgatitje për mbrojtjen e vendit. Lënda “Bazat e rezistencës kombëtare” do të jetë e detyrueshme si për djemtë, ashtu edhe për vajzat. “Nëse nuk doni ta përfundoni këtë lëndë, atëherë hiqni dorë nga shkolla,” theksoi Hort. 

Përkundër asaj që thuhet në postimin që po recensojmë, përgatitja e Ukrainës për rezistencë kombëtare nuk nënkupton se “fëmijë 14-vjeçarë do të rekrutohen”. Qasja e paralajmëruar nënkupton se cikli i trajnimit fillon që në moshën 14-vjeçare, konkretisht përmes pjesëmarrjes në lojëra ushtarako-patriotike, si dhe nëpërmjet mësimit të lëndës së përditësuar “Mbrojtja e Ukrainës”, e cila tashmë është pjesë e arsimit të mesëm dhe profesional.

Hort kujtoi se pas përfundimit të studimeve në institucionet arsimore, qytetarët do të kryejnë shërbim ushtarak bazë i cili do të bëhet pjesë e trajnimit të përgjithshëm.
Qëllimi i këtij modeli të ri është që mbrojtja e vendit të bëhet masive dhe e qëndrueshme.

Ndërkohë, që nga muaji mars i këtij viti, ushtria ukrainase ka filluar të rekrutojë vullnetarisht persona nga mosha 18 deri në 24 vjeç, për shkak të mungesës serioze të ushtarëve që të ndihmojnë në mbrojtjen e vendit nga pushtimi i forcave ruse.

Në postimin e recensuar është përsëritur narrativa e propagandës ruse se kjo është një “luftë deri te ukrainasi i fundit”, por nuk përmendet se bëhet fjalë për vetëmbrojtjen e një shteti sovran, të pavarur, me pushtet legjitim dhe të zgjedhur në mënyrë demokratike, i cili në vitin 2022 u sulmua nga Rusia përmes një invazioni të paprovokuar.Në postim gjithashtu pretendohet se kjo është një “luftë kundër popullit në BE dhe Rusi”, duke aluduar se për shkak të luftës, popullsia në Ukrainë po varfërohet. Por mbi të gjitha, siç është injoruar në postim, kjo është një luftë kundër popullit të Ukrainës, i cili po lufton vullnetarisht për vendin e vet, për mbrojtjen e tij, dhe ndodhet nën një agresion të vazhdueshëm nga Rusia.

Rusia është ajo që e sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, ndërsa Ukraina, si shtet i pavarur, ka të drejtë të mbrohet dhe të përdorë mjetet në dispozicion të siguruara si ndihmë nga miqtë e saj. NATO po dërgon ndihmë ushtarake për Ukrainën, pa qenë pjesëmarrëse direkte në luftë. Perëndimi e ndihmon Ukrainën të mbrohet nga agresioni ushtarak rus dhe të ruajë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Gjatë këtij procesi të vetëmbrojtjes janë shfaqur narativa të ndryshme, të cilat e paraqesin Ukrainën si të okupuar nga vendetperëndimore ose si një marionetë e tyre për të luftuar kundër Rusisë. Por kjo është larg nga realiteti, sepse pushteti në Ukrainë është sovran, demokratik dhe i zgjedhur përmes zgjedhjeve të lira, ndërsa qytetarët e Ukrainës kanë të drejtë sovrane të vendosin për të ardhmen e tyre dhe për aleancat drejt të cilave duan të orientohen.

Verifikuesit e fakteve të “Observador” në mars 2025 kanë hedhur poshtë dezinformimin sipas të cilit “Parlamenti i Ukrainës po përgatit një ligj që do t’u mundësonte të gjithë djemve mbi 14 vjeç të rekrutohen në forcat e armatosura”.
Një ligj i tillë nuk ekziston dhe Ukraina nuk rekruton 14-vjeçarë në ushtri.

Edhe burime ukrainase raportojnë se deklarata e Igor Hort e dhënë më 4 gusht 2025 për agjencinë Ukrinform, gjatë një tryeze të rrumbullakët për ndryshimet në edukimin patriotik në shkolla dhe universitete, është keqpërdorur nga propaganda ruse.

Politika e re e sigurisë ka për qëllim vetëm mbrojtjen e atdheut dhe ndërtimin e rezistencës kombëtare, e jo rekrutimin e fëmijëve 14-vjeçarë në forcat e armatosura të Ukrainës.

Për shkak të të gjitha fakteve të përmendura më lart, postimi që po recensojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.