Maya Sandu, Presidente e Moldavisë | Privesc.Eu Moldova, CC BY 3.0, nëpërmjet Wikimedia Commons
Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.
Para votimit që do të mbahet të dielën (28 shtator), disa grupe online për monitorim kanë ndjekur fushata propagandistike dhe dezinformuese që i atribuohen Rusisë. Qëllimi i tyre është të ulin mbështetjen për partinë në pushtet, pro-evropianen PAS, në votimin e 28 shtatorit, të cilin shumëkush e konsideron si një zgjedhje gjeopolitike midis Lindjes dhe Perëndimit.
Shkruan: Miroslava Simonovska
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, në një fjalim të paprecedentë dha një paralajmërim shqetësues se Rusia ka shpenzuar “qindra miliona euro” për të minuar zgjedhjet parlamentare në vendin e saj, të cilat do të mbahen fundjavën e ardhshme.
Kremlini hedh qindra miliona euro për të blerë qindra mijëra vota në të dyja brigjet e lumit të Nistrës dhe jashtë vendit. Njerëzit dehen çdo ditë me gënjeshtra. Qindra individë janë të paguar për të provokuar trazira, dhunë dhe për të përhapur frikë. Nëse Rusia merr kontrollin mbi Moldavinë, pasojat do të jenë të menjëhershme dhe të rrezikshme për vendin tonë dhe për tërë rajonin. Çdo moldav do të vuajë, pa marrë parasysh për kë ka votuar, tha ajo, duke përmendur rreziqet për stabilitetin rajonal, financimin evropian dhe lëvizjen e lirë.
Policia në Moldavi kreu bastisje masive dje në mbarë vendin dhe arrestoi 74 persona për shkak të një komploti të dyshuar të mbështetur nga Rusia para zgjedhjeve – të dyshuar se po përgatitnin trazira. Arrestimet ndodhën 6 ditë para zgjedhjeve parlamentare kyçe, për të cilat presidentja moldave, Maia Sandu, nga partia pro-evropiane PAS, tha se ka frikë se do të ketë ndërhyrje ruse, ndërkohë që Moska përpiqet ta largojë vendin nga rruga pro-evropiane.
Moldavë në trajnim në Serbi
Hetimi filloi në qershor, pasi prokurorët zbuluan shtetas të Moldavisë, të moshës ndërmjet 19 dhe 45 vjeç, të cilët kishin udhëtuar në Serbi për trajnim, në këmbim të parave. Sipas prokurorëve, rekrutët atje ishin trajnuar nga përfaqësues të shërbimeve speciale ruse se si të thyejnë kordonët policorë, si t’u kundërvihen forcave të rendit dhe si të përdorin shufra gome, pranga dhe në disa raste edhe armë zjarri.
Disa nga këta persona, me sa duket, nuk kanë qenë të vetëdijshëm për destinacionin e tyre të saktë në Serbi, pasi u ishte thënë se do të vizitonin objekte fetare. Megjithatë, pasi kanë mbërritur atje, ata kanë pranuar të marrin pjesë në trajnimet dhe janë paguar nga persona të lidhur me shërbimet speciale ruse, transmeton “Balkan Insight”.
Këshilli i Lartë i Sigurisë i Moldavisë, para 2 muajsh, identifikoi të paktën 10 mjete kryesore për ndërhyrje në procesin zgjedhor, duke përfshirë përdorimin e kriptovalutave me vlerë rreth 100 milionë euro, së bashku me përhapjen e videove deepfake, protestat e paguara dhe klerin e lidhur me Kremlinin për manipulimin e opinionit publik.
Në listën e kërcënimeve përfshihen edhe fushatat e manipulimit me informacion përmes përhapjes së dezinformatave, videove deepfake dhe dokumenteve të rreme të drejtuara kundër besimit publik te institucionet shtetërore, si dhe dezinformata të promovuara si në nivel lokal, ashtu edhe ndërkombëtar, me qëllim përhapjen e frikës, mosbesimit dhe urrejtjes. Këto fushata përfshijnë edhe fushata shpifjeje dhe sulme personale, duke përfshirë përgatitjen e materialeve shpifëse kundër liderëve pro-evropianë, gazetarëve dhe figurave të tjera publike, theksuan nga Këshilli i Lartë i Sigurisë i Moldavisë.
Policia njoftoi se bastisjet ishin të lidhura me veprën penale “përgatitja e trazirave masive dhe destabilizimit”, të cilat ishin “koordinuar me Federatën Ruse përmes elementeve kriminale”. Prokuroria raportoi se shumica prej tyre kishin marrë trajnim në Serbi.
Imitim i gazetarisë hulumtuese me Inteligjencë Artificiale (IA)
Organizata globale jofitimprurëse “Reset Tech”, e cila monitoron kërcënimet digjitale ndaj demokracisë dhe operacionet e ndikimit rus, ka hetuar një platformë në gjuhën angleze të gjeneruar me inteligjencë artificiale, “Restmedia”, e cila imiton gazetarinë hulumtuese me artikuj seriozë dhe grafikë të dizajnuar mirë. Rreth një e katërta e përmbajtjes së saj ishte e fokusuar në Moldavi.




