Në mbrëmjen e 16 shkurtit 2025, një ditë para përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Kosovës, konspiracionisti Arianit Sllamniku, përmes një postimi në ”Facebook”, ka spekuluar se ka sulm në veri.
”Në veri ka sulm! Njësi speciale të Policisë janë nisur për në veri… Të shohim se si po zhvillohet ngjarja… Mbesim në kontakt!”, ka shkruar Sllamniku, pa ofruar asnjë të dhënë apo burim të besueshëm që do ta mbështeste këtë pretendim të tij.
Ky postim i Sllamnikut ka marrë 147 reagime dhe 20 komente, dhe në mesin e tyre pati edhe të shqetësuar lidhur me këtë paralajmërim. Disa të tjerë e kanë vënë në dyshim këtë pretendim, duke kërkuar më tepër fakte në lidhje me të.
Policia e Kosovës nuk ka pasur ndonjë njoftim lidhur me paralajmërimin për sulm të mundshëm në veri më 16 shkurt. Po ashtu, asnjë medium i besueshëm në vend nuk ka raportuar për një rrezik të tillë.
Kjo formë e dezinformimit, ku shfrytëzohen festat zyrtare sikurse Përvjetori i Pavarësisë, përdoret për të nxitur panik, frikë dhe pasiguri te qytetarët.
Kjo nuk është hera e parë që konspiracionisti Sllamniku spekulon për ngjarje të ndryshme. Më herët, ai ka ngritur pretendime të pabazuara se NATO-ja do ta pushtojë Serbinë. Në një rast tjetër ka dezinformuar se ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka vdekur dhe ai që paraqitej si president është “binjaku” i tij.
Teoritë konspirative janë hipoteza ose besime që sugjerojnë se situata apo zhvillime të caktuara janë rezultat i komplotit të një grupi të fuqishëm dhe të fshehtë. Teoritë e tilla zakonisht nuk bazohen në fakte të verifikuara, por në spekulime, dezinformata dhe interpretime të njëanshme të ngjarjeve.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”