Zyrtarë të Kremlinit propagandojnë kundër Kosovës
Sa herë që në arenën ndërkombëtare hapet një debat i madh gjeopolitik, diplomacia ruse përpiqet ta tërheqë Kosovën në mes të narratives, jo për të sqaruar realitetin, por për ta përdorur atë si mjet akuze ndaj perëndimit. Nga Ukraina te NATO, nga zgjerimi i BE-së te konfliktet e reja globale, Kosova shfaqet vazhdimisht si “argument” propagandistik në deklaratat e zyrtarëve rusë. Rasti më i fundit lidhet me Grenlandën.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e interpretoi deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, në mbështetje të sovranitetit të Danimarkës mbi Grenlandën, si një “refuzim të BE-së për të njohur pavarësinë e Kosovës”.
Kjo lidhje e ndërtuar artificialisht është jo vetëm e paqëndrueshme politikisht dhe juridikisht, por përbën edhe një shembull tipik të manipulimit narrativ rus- marrja e një deklarate të përgjithshme mbi parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe shndërrimi i saj në gjoja “provë” të dyfishtë standardesh.
Çfarë tha Kaja Kallas?
Duke komentuar zhvillimet rreth Grenlandës, pas emërimit nga presidenti amerikan Donald Trump të një të dërguari special për ishullin, Kaja Kallas deklaroi: “Ne vazhdojmë të qëndrojmë në solidaritet me Danimarkën dhe Grenlandën. Grenlanda është një territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës. Çdo ndryshim i këtij statusi varet ekskluzivisht nga grenlandezët dhe danezët. Ne presim që të gjithë partnerët tanë të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të tyre dhe t’u përmbahen angazhimeve të tyre ndërkombëtare, të sanksionuara, ndër të tjera, në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Traktatin e Atlantikut të Veriut”.
Deklarata nuk përmend Kosovën. Nuk flet për njohje apo mosnjohje shtetesh as nuk krijon analogji mes rasteve të ndryshme historike. Ajo riafirmon një parim bazik të rendit ndërkombëtar- mosndryshimin e kufijve përmes presionit ose aneksimit.
Megjithatë, Zakharova e interpretoi këtë deklaratë si një qëndrim të BE-së kundër pavarësisë së Kosovës duke e nxjerrë atë jashtë kontekstit dhe duke i atribuuar asaj një kuptim që nuk ekziston. Deklarata e saj u shpërnda gjerësisht edhe nga mediat në Serbi, të njohura për narrativa kundër Kosovës.
Analogjia e rreme
Krahasimi i Grenlandës me Kosovën është i paqëndrueshëm për disa arsye.
Grenlanda është territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës, që kishte marrë vetëqeverisjen në referendumin e vitin 1979, por pa status shteti dhe pa një proces ndërkombëtar shpalljeje pavarësie. Në referendumin e vitit 2008, banorët e Grenlandës votuan për më shumë autonomi, kontroll më të madh mbi burimet e energjisë dhe dhënien e statusit të gjuhës zyrtare Kalaallisut ose Grenlandës Perëndimore në vend të gjuhës daneze.
Në anën tjetër, Kosova është shtet i pavarur i shpallur më 2008-ën dhe i njohur nga më shumë se 120 shtete anëtare të OKB-së. Pavarësia u shpall pas një procesi të gjatë ndërkombëtar, nën administrimin e OKB-së dhe pas shkeljeve masive të të drejtave të njeriut nga Serbia të cilat kulmuan me luftën e vitit 1998-1999.
Pavarësia e Kosovës erdhi pas luftës, spastrimit etnik dhe gati një dekade administrimi ndërkombëtar. Rasti i Kosovës u trajtua si sui generis nga shumica e vendeve perëndimore. Pretendimi rus se çdo deklaratë mbi sovranitetin territorial bie ndesh me pavarësinë e Kosovës është një narrativë e përsëritur, por juridikisht e pabazë.
Manipulimi i rolit të Bashkimit Evropian
Një tjetër element i rëndësishëm i manipulimit është pretendimi i Zakharovës se BE-ja “nuk e njeh Kosovën”.
Ky pretendim është i pasaktë pasi Bashkimi Evropian, si organizatë, nuk njeh shtete.
Njohja e shteteve është kompetencë ekskluzive e vendeve anëtare. Aktualisht, 22 nga 27 shtete të BE-së e njohin Kosovën, ndërsa 5 anëtare- Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja, nuk e njohin.
Megjithatë, BE-ja ka marrëdhënie kontraktuale me Kosovën, kryesorja është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, ka prezencë me misionin EULEX, e ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi si dhe në disa raste e ka konfirmuar perspektivën evropiane të Kosovës, njësoj si me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Pretendimi se deklarata e Kallasit për Grenlandën “rrëzon” pavarësinë e Kosovës është një shtrembërim i qëllimshëm i realitetit institucional të BE-së.
Grenlanda, Trump dhe tensionet diplomatike
Debati për Grenlandën u nxit pas emërimit të guvernatorit të Luizianës, Jeff Landry, si i dërguar special amerikan për ishullin dhe deklaratave të tij për aneksim. Këto deklarata shkaktuan tensione diplomatike mes SHBA-së dhe Danimarkës.
Rusia, e cila ka aneksuar Krimenë dhe territore të tjera të Ukrainës pas pushtimit në shkallë të gjerë, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare i shfrytëzoi këto raportime për të akuzuar BE-në për “standard të dyfishtë”, duke e futur Kosovën si element propagandistik.
Qëllimi i vërtetë i narrativës ruse
Kjo nuk është hera e parë që Kosova përdoret për propagandë nga diplomacia ruse. Qëllimi është diskreditimi i perëndimit, relativizimi i agresionit rus në Ukrainë, mbajtja gjallë e narrativës se “perëndimi shkel rregullat kur i konvenon” si dhe ushqimi i audiencës së brendshme dhe asaj në Ballkan me narrativë viktimizuese.
Në këtë kuptim, Kosova shndërrohet në simbol propagandistik jo për atë që është, por për atë që Rusia dëshiron ta paraqesë. Dhe sa herë që Rusia ka nevojë për një “shembull” që të akuzojë Perëndimin, Kosova mbetet një nga objektivat më të shpeshta për t’u instrumentalizuar.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”



