Nga nisja e krizës dhe më pas luftës së Rusisë në Ukrainë, mediat kanë mbledhur qindra mijëra klikime duke i rënë “këmbanës” së një lufte të mundshme në Kosovë. Ndihmuar nga deklarata politkanësh, mediat abuzuan gjerësisht me efektin emocional që tituj të ekzagjëruar shkaktojnë tek lexuesit. Në rastin më të mirë kjo ndodh me qëllim mbledhjen e klikimeve për përfitime financiare. Në rastin më të keq, është rezultat i një fushate të porositur me qëllim përparimin e axhendave të caktuara.
Jona Plumbi
Trajtimi i temës së luftës në Kosovë preferohet nga mediat shqiptare për shkak të interesit të gjerë dhe patriotizmit që ngjall tek lexuesit. Fatkeqsisht gjatë viteve të fundit, kryesisht mediat online kanë përdorur këtë interes për “mbledhje klikimesh”, duke u kthyer në burim keqinformimi dhe shqetësimi emocional tek lexuesit.
Kontekst
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë në një konflikt të vazhdueshëm që prej fundit të luftës në 1999. Nga njëra anë Kosova vijon punën për njohjen e pavarësisë dhe pjesëmarrjen në organizata ndërkombëtare. Në anën tjetër është Serbia e cila bën përpjekjet e saj për të shtuar numrin e vendeve të cilat nuk e njohin Kosovën.
Pavarësisht ndërmjetësimit nga Bashkimi Europian dhe, viteve të fundit edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy liderët e këtyre shteteve, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç nuk kanë lëvizur nga pozicionimi i tyre politik. Kurti, i mbështetur nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, refuzon dialogun me Serbinë nëse qëllim përfundimtar nuk është njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia. Vuçiç në anën tjetër, edhe ai i mbështetur nga kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, deri tani e kanë refuzuar idenë e njohjes së shtetit të Kosovës.
Ky pozicionim politik shpesh herë çon në deklarata të ashpra apo edhe të pavërteta, qëllimi i të cilave është të nxisin patriotizmin dhe ndjenjën e sovranitetit tek të dy popujt.
Një tjetër faktor i rëndësishëm në ndërtimin e këtyre deklaratave politike është edhe konteksti historik dhe politik i vendit. Studiuesi Adri Nurellari shpjegon për Faktoje se kjo lidhet edhe me aspiratat e popujve për integrim në organizata ndërkombëtare.
“Sondazhet e fundit tregojnë se pas Shqipërisë, Kosova me 92% është vendi me nivelin më të lartë në Evropë për sa i përket mbështetjes për integrimin Euro-Atlantik apo pro-amerikanizmit. Nga ana tjetër 54% e popullsisë serbe është kundër integrimit në BE dhe ky numër shkon në 68% nëse parakusht për integrimin është heqja dorë nga Kosova. Ndaj është e kuptueshme që nevoja e Kosovës për të konservuar e kultivuar raporte të mira me partnerët perëndimorë është më e madhe. Për këto arsye edhe deklaratat gatuhen ndryshe.” – shpjegon Nurellari.
Lufta e Rusisë në Ukrainë riktheu vëmendjen tek konflikti i lënë pezull mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe shtoi këmbanat e alarmit për një luftë të mundshme në Kosovë edhe pse kjo nuk ka gjasa të ndodhë, sipas vlerësimit të Nurellarit.
“Nëse do të kishte përplasje me armë mes policisë e strukturave paralele të kontrolluara nga Beogradi, padyshim që do të ndërhynte KFOR-i duke marrë masa ndaj të dyja palëve që të mos përshkallëzohej konflikti në përmasat e 1998-99. Mirëpo një eventualitet i tillë do të shkatërronte përpjekjet e mëdha të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë për pajtim dhe bashkëjetesë.” – shpjegon Nurellari.
Retorika Politike
Në 16 janar 2023, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, në një konferencë për shtyp deklaroi se paqja në Kosovë dhe Metohi u ruajt ekskluzivisht falë Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
“Viti 2023 nisi jashtëzakonisht keq dhe vitin e kaluar paqja u ruajt me vështirësi” – tha Brnabiç për gazetarët.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përdor intervistat në gjuhë të huaj, për t’u përballur me retorikën politike të Serbisë. Kështu ndodhi në nëntor 2021, kur gazeta britanike “The Telegraph” njoftonte se kryeministri i Kosovës “paralajmëroi se Serbia po kërcënon me një luftë të tretë Ballkanike”.
“Ata [Serbia] duan të sillen sikur të jenë Gjermania mes dy luftërave botërore: ‘nëse nuk do të na kënaqni, ne do të bëjmë një tjetër’. Sepse ata kanë bërë një raund në vitet nëntëdhjetë.” – citohet të ketë thënë kryeministri Albin Kurti.
Qëndrimet e dy kryeministrave Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç, shpjegohen me llogaritë elektorale që ata bëjnë, sipas politologut Adri Nurellari. Këto llogari mbështeten edhe mbi karakterin politik të Kurtit dhe Vuçiçit, si mbrojtësit më të flaktë të të drejtave të nëpërkëmbura të popullit të tyre.
“Në njëfarë mënyre besoj se kanë përdorur gjuhë të ngarkuar për t’u justifikuar para ndjekësve e simpatizantëve të vet, që nuk janë duke u takuar me kundërshtarin me dëshirë, por si domosdoshmëri për të parandaluar një luftë.” – shpjegon për Faktoje Adri Nurellari.
Roli i Shqipërisë në retorikë
Studiuesi Adri Nurellari vlerëson se qeveritë e Shqipërisë në përgjithësi kanë luajtur rol konstruktiv sa i përket nxitjes së negociatave, që nga koha e bisedimeve në Vjenë për statusin final të Kosovës. Kjo traditë është humbur në vitet e fundit – thekson Nurellari – sepse raporti zyrtar Tiranë-Prishtinë është vënë në pikëpyetje shpesh edhe për inate personale mes kryeministrave të ndryshëm. Kjo “thyerje” u nxit edhe më shumë nga nisma e Ballkanit të Hapur.
Por ajo që bie në sy, lidhur me raportimit që mediat i bëjnë deklaratave të një zyrtari, marrim shembull kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, është se ato herë shpërndahen nga njëri kah dhe herë nga tjetri, duke përçuar mesazhe plotësisht të ndryshme nga rasti në rast.
Viti 2022 e gjeti kryeministrin Rama mes “dy zjarreve”. Kosova në një anë, refuzuese e projektit “Open Balkan” dhe Serbinë në anën tjetër, që mbështeti këtë nismë, por njëkohësisht refuzoi vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas nisjes së luftës në Ukrainë. Kjo solli artikulimin e disa deklaratave të Ramës, që herë u bënë “virale” në gjuhën serbe, e herë të tjera në gjuhën shqipe.
Kështu në qershor 2022, Kryeministri Rama, nga Prishtina, në përfundim të takimit të përbashkët të dy qeverive Shqipëri – Kosovë, në inaugurimin e librit të nënkryetarit të Kuvendit të kosovës, Enver Hoxhaj, bëri një deklaratë që bëri xhiron e rrjetit.
“Kosova ka vuajtur boll nga lufta, nga sakatime, nga flakë, nga shkatërrime e nuk ka nevojë më të shkojë në atë drejtim, përveçse nëse e detyrojnë natyrisht. Nëse e detyrojnë Kosovën, detyrojnë edhe Shqipërinë dhe patjetër që ne jemi një, por për sa kohë nuk na detyrojnë, ne nuk kemi pse i shkojmë asaj rruge fare.” – tha Rama.
Rezultati? Brenda 24 orëve, titulli “Edi Rama: Nëse Kosova detyrohet për luftë, bashkohemi edhe ne, jemi një” është shpërndarë nga mediat në rrjetin social Facebook, 67 herë duke arritur deri në mbi 30 mijë shikime për postim.
Situata u përmbys dy muaj më vonë, në Gusht 2022, kur Kryeministri Rama, mbështetjen e tij për Kosovën, që ndaloi qarkullimin e automjeteve me targa të ndryshme nga akronimi “RKS” në territorin e Kosovës, e ndërthuri me promovimin e projektit të “Ballkanit të Hapur”. Duke qenë se Kosova e refuzonte projektin “Ballkani i Hapur” pasi sipas saj ai mbivendoset me procesin e Berlinit të drejtuar nga Bashkimi Europian, kryeministri Rama tha këto fjalë:
“Këto situata tregojnë pikërisht pse duhet ‘Ballkani i hapur’ dhe pse Kosova duhet të vijë dhe të ulet në tryezën e ‘Ballkanit të hapur’. Njëra është rruga e kthimit mbrapa dhe e luftës nga e cila këtu nuk fiton askush, sepse nuk ka asgjë për të ndarë. Rruga tjetër është ndërtimi i paqes.” – tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, më 1 Gusht 2022
Deklarata u kthye në ushqim për mediat serbe.
Të paktën 52 herë është publikuar në gjuhën serbe titulli “Edi Rama flet pas tensioneve në veri të Kosovës dhe Metohisë: Ka vetëm dy rrugë për zgjidhjen e situatës, dhe njëra prej tyre është lufta”.
“Telefonin e prishur” e vijuan mediat shqiptare, të cilat lajmin e pasqyruan përmes këndvështrimit të medias serbe Kurir.
Roli i Medias
Mungesa e seriozitetit në raportimin e lajmeve mbi Kosovën është e ndjeshme në vendin tonë, jo vetëm në median online, por edhe atë tradicionale. Pedagogu i gazetarisë prof. Dr. Lutfi Dervishi thekson mungesën e gazetarëve korrespondent në Kosovë për mediat e mëdha tradicionale, si ndikuese në raportimin jo të saktë të ngjarjeve.
“Konflikti raportohet bazuar mbi ngjarjet e ditës dhe ka shumë pak analizë dhe kontekst për të shpjeguar procesin që ka shpënë deri në ‘ngjarjet e ditës’.” – shpjegon zoti Dervishi.
Më pas, janë mediat online ato të cilat e shumëfishojnë lajmin, duke e kopjuar dhe publikuar atë të gatshëm, pa “vrarë mendjen” për informacionin që po ofrojnë.
“Ka portale që model biznesi kanë click-bait (karrema klikimesh). Media më “serioze” e ka në dorë të bëjë një betejë afatgjatë të fitojë besueshmërinë e lexuesit/përdoruesit apo të fitojë klikimin e radhës.” – shpjegon dr. Dervishi.
Lajm apo “karrem” klikimesh
Platforma si Facebook po mundohen të kufizojnë tituj të gënjeshtërt apo që shkaktojnë shqetësim tek lexuesit, për të përmirësuar eksperiencën e përdoruesve të këtyre rrjeteve sociale. Por, dinamika ekonomike e këtyre mediumeve nxit konkurrencën në nivel lajmesh individuale. Ndaj, krijimi i titujve që tërheqin vëmendjen kthehet në qëllim parësor. Një nga strategjitë më të përhapura për arritjen e këtij qëllimi është shkruajtja e lajmeve që i flasin drejtpërdrejt identitetit të lexuesve, përmes mekanizmave të ngacmimit emocional.
Por në kontekstin politik, këto identitete priren të jenë partiake apo të njëanëshme. Një hulumtim i Projektit të Universitetit të Standfordit mbi Demokracinë dhe internetin, doli në konkluzionin se titujt që synojnë klikimet emocionale të njëanëshme, përfshijnë sugjerime të qarta se si lexuesit duhet të ndihen në përgjigje të lajmit.
Shembuj të kësaj strategjie gjen edhe në titujt e mediave shqiptare dhe kosovare si:
– Serbët dhe rusët po përgatisin luftë në Kosovë? Kryeministri Kurti ka zbuluar detaje të frikshme – Gazeta Sinjali
– Prag lufte në Kosovë! Bota në alarm/ Tensione me Serbinë, shpërthime e të shtëna në veri – Top News
Ky fenomen ka prekur edhe mediat tradicionale.
“Lufta është ‘kryengjarje’ dhe nuk mund të trajtohet si një aksident që ndodh në kanalin e vaditjes në Lushnjë. Që do të thotë, nëse i referohesh shtypit perëndimor për këtë konflikt ka një qasje krejt tjetër.” – tha për Faktoje profesor Lutfi Dervishi.
Shembull për këtë është artikulli i publikuar nga New Europe në 16 Dhjetor 2021 dhe i shpërndarë më pas në mediat shqiptare. Titulli origjinal i artikullit ishte “Conflict in Ukraine and Kosovo are connected (Konfliktet në Ukrainë dhe Kosovë janë të lidhur)”.
Në mediat shqiptare artikulli mori titullin: “Serbia po përgatitet për luftë, konfliktet në Kosovë dhe Ukrainë janë të ndërlidhura – JOQ Kosova”. Ajo që bie në sy është vendosja e fjalës “luftë” në thuajse të gjithë titujt e mediave shqiptare që shpërndanin analizën e artikullit të New Europe.
Të paktën 92 herë është shpërndarë në rrjetin social Facebook titulli “Serbia po përgatitet për luftë”.
Situata bëhet më serioze kur keqinformimi përhapet nga media tradicionale, të cilat ndër vite kanë arritur një shikueshmëri të lartë në publik.
Titujt e mëposhtëm, nuk janë të disa portaleve online, por janë publikuar nga një burim i vetëm, një media tradicionale kombëtare.
- Serbia armatoset nga Rusia për luftë! / Kurti jep alarmin, Kosova sa më shpejt në NATO!
- Serbia kërkon luftë në Kosovë? Breshëri plumbash e dinamit, sulmohet sërish policia!
- Kush po kërkon luftë në Kosovë? Hapet zjarr mbi automjetin e policisë, sërish tensione!
- Serbia, akuza Kosovës për shpallje lufte!/Beogradi në alarm pas reciprocitetit në kufi
- “Lojëra lufte” në kufirin Kosovë-Serbi/FSK trajnon ushtarët për sisteme të reja armatimi
- Ushtria serbe përgatitet për luftë! / Vuçiç vendos ushtrinë në gatishmëri për Kosovën
- Serbia, 1 mijë ushtarë në Kosovë / Prag lufte…! Beogradi po shqyrton dërgimin e trupave
- Prag lufte në Kosovë! Bota në alarm/ Tensione me Serbinë, shpërthime e të shtëna në veri
- Policia e Kosovës ‘luftë’ me serbët në veri/Bombë shokuese kundër EULEX, rrugët e bllokuara
- Lufta e Tretë Botërore nis në Kosovë! Eksperti ukrainas: Konflikt i përmasave globale
- KFOR-i, “prova lufte” në veri të Kosovës! Misioni i NATO-s nis stërvitjet ushtarake
- ‘Kosova, prag luftë për shkak të BE’!/Shpërthen Rusia- Tensionet pas samitit në Tiranë!
- Mbyllet Merdarja, Serbët duan luftë! Policia e Kosovës: Bllokimi, i kundërligjshëm
- Gjermania “përgatitet” për luftë në Kosovë, mediat: Në veri, përshkallëzim i rrezikshëm
- Kosovë-Serbi, shtyhet ‘lufta’ / Përshkallëzimi u frenua, por çfarë do ndodhë në 2023?
Pra, në harkun kohor të 9 muajve, kjo media njoftoi ardhjen e luftës në Kosovë më shumë se 15 herë. “Duket që redaktori as që e ka menduar qoftë edhe për një sekond se çfarë do të thotë Lufta e Tretë Botërore. Këto lajme janë thjesht për klikime.” – vlerëson pedagogu i gazetarisë Lutfi Dervishi.
Përfundim
Gjuha e përdorur nga politika kur flitet për konfliktin Kosovë – Serbi, ndërtohet bazuar mbi llogaritje elektorale dhe patriotike që ndryshojnë në varësi të kontekstit ku ato artikulohen. Por ndërsa Kosova dhe Serbia janë palë në konflikt, ndaj dhe i kanë pozicionet të qarta, roli i Shqipërisë në këtë marrëdhënie është lëkundur gjatë viteve të fundit, duke mos u pozicionuar qartazi kah Kosovës.
Ashpërsimi i gjuhës politike është pritur mirë nga mediat vendase. Mediat online, por edhe ato tradicionale, me apo pa dëshirë, shpesh përhapin propagandë të huaj dhe lajme të rreme, me qëllim përfitime financiare, duke lënë mënjanë misionin gazetaresk të informimit të publikut.
Si rezultat, lexuesi përballet gjithmonë e më shumë me tituj keqinformues, artikuj të paverifikuar dhe të shpërndarë duke ‘injoruar’ burimin nga është marrë ky informacion. Mediat çdo ditë bëjnë betejën e mbledhjes së sa më shumë klikimeve, gjë të cilën e arrijnë përmes titujve të bujshëm dhe jo përmes ofrimit të informacionit të plotë dhe të saktë. Ndaj dhe lufta Kosovë – Serbi vërtetë nuk nuk ka të ngjarë të ndodhë, por lufta e mediave për klikime vijon çdo ditë.