Lajme të rreme për frontin: Dezinformata ruse për ushtrinë ukrainase

Published on:

Ilustrim: Vërtetmatës.mk

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Moska vazhdimisht përhap narrativa propagandistike komplekse dhe të pandërprera për ushtrinë ukrainase. Të gjitha këto synojnë të minojnë moralin, të lëkundin besimin publik dhe të ulin mbështetjen nga Perëndimi. Përhapja e lajmeve të rreme për humbje masive, epidemi, mungesë armësh apo dezertime ka për qëllim të dobësojë motivimin luftarak të ushtarëve ukrainas dhe besimin e civilëve ndaj udhëheqjes ushtarake. Me manipulime se autoritetet “fshehin shifrat e vërteta të viktimave”, Moska synon të shkaktojë dyshim dhe pakënaqësi mes qytetarëve. Paraqitja e Ukrainës si “tashmë e mposhtur” ose “pa kapacitet për ofensiva” ka për qëllim t’i bindë qeveritë dhe opinionin publik perëndimor se dërgimi i parave dhe armëve është i kotë.

 

Shkruan: Ana Anastasovska

Në muajt e fundit, strukturat dhe mediat propagandistike ruse gjithnjë e më shumë e kanë intensifikuar fushatën e dezinformatave, e cila nuk është e re, por ka për qëllim të diskreditojë ushtrinë ukrainase, të nxisë panik mes popullsisë dhe të lëkundë mbështetjen nga Perëndimi.

Në shtator të vitit 2024, për shembull, disa kanale pro-ruse në Telegram shpërndanë një lajm të pavërtetë se në ushtrinë ukrainase po zhvillohej një epidemi tuberkulozi, “me humbje sanitare mbi 10% të personelit”, duke kërkuar evakuim urgjent. Qendra për Luftën kundër Dezinformatave pranë Këshillit për Siguri Kombëtare dhe Mbrojtje të Ukrainës (SNBO) e vlerësoi këtë informacion si dezinformatë me qëllim demoralizimin e ushtrisë.

Disa nga këto dezinformata nuk e anashkaluan as Maqedoninë e Veriut.

 

Të miturit nuk do të luftojnë në front

Në këtë kontekst, duke këmbëngulur se ushtrisë ukrainase po i mungojnë njerëz, vazhdimisht përhapen dezinformata se Ukraina do të rekrutojë të mitur në front kundër Rusisë.

Ukraina do të rekrutojë fëmijë 14-vjeçarë!!! Luftë deri te ukrainasi i fundit.
Pak veta janë të vetëdijshëm se kjo luftë është luftë kundër popullit në BE dhe Rusi… Varfërim masiv i klasës së mesme dhe rritje e numrit të korporatave jashtëzakonisht të pasura, thuhet në një postim në Facebook. 

Në një tjetër postim theksohet:

Zelenski tani po drejtohet te personat mbi 17 vjeç. Deri më 31 korrik, të gjithë djemtë e rinj ukrainas që mbushin 17 vjeç këtë vit janë të detyruar të regjistrohen për shërbim ushtarak, raporton TKC.

Faktet tregojnë se Ukraina nuk rekruton persona nën 18 vjeç, por ka ulur moshën për shërbimin ushtarak nga 27 në 25 vjeç.

Kufizime ligjore

Rekrutimi i fëmijëve në forcat e armatosura është i kundërligjshëm në Ukrainë.

Neni 15 i Ligjit për Shërbimin Ushtarak në Ukrainë thotë se ky ligj vlen vetëm për personat:

Qytetarët ukrainas meshkuj, të shëndetshëm, që kanë mbushur 18 vjeç deri në ditën e fillimit të shërbimit dhe që ende nuk kanë mbushur 27 vjeç, dhe të cilëve nuk u takon e drejta për përjashtim ose shtyrje. Qytetarët në moshë ushtarake mund të pranohen vullnetarisht në shërbim ushtarak me kontratë, sipas kushteve të parashikuara në pjesën e parë të Nenit 20 të këtij ligji dhe në mënyrën e përcaktuar nga rregulloret për shërbimin ushtarak të qytetarëve të Ukrainës.

Nuk ka dëshmi që dokumentojnë dhe mbështesin pretendimet se ka fëmijë ukrainas që luftojnë në vijat e para të frontit.

Ajo që është fakt është se Rada e Lartë e Ukrainës vitin e kaluar uli moshën për mobilizim ushtarak, duke e ulur shërbimin nga 27 në 25 vjeç.

“Kjo do t’i mundësojë ushtrisë ukrainase të thërrasë më shumë njerëz në radhët e saj, pasi numri i vullnetarëve është ulur. Zelenski në dhjetor tha se janë të nevojshëm edhe 500.000 ushtarë. Ky ligj u miratua në parlament që në maj 2023, por deri tani nuk ka hyrë në fuqi sepse Zelenski nuk e kishte nënshkruar,” sqarojnë mediat vendase.

Sipas draft-ligjit, mosha për rekrutimin do të ndryshojë nga 27 në 25 vjeç. Qytetarët në moshë nga 25 deri në 60 vjeç i nënshtrohen mobilizimit. Gjatë mobilizimit, meshkujt nga mosha 18 deri në 60 vjeç janë të detyruar të mbajnë me vete vazhdimisht dokumentin e regjistrimit ushtarak, shkruanin atëherë “Lajmet Kombëtare Ukrainase.

Gjithashtu, theksohet se gjatë regjimit ligjor të gjendjes së luftës në Ukrainë, nuk ka nevojë që qytetarët nën 27 vjeç të regjistrohen në ushtri për një kohë të gjatë.

 

Rusia gjithashtu përhap dezinformata lidhur me numrin e dezertorëve ukrainas

Duke iu referuar deklaratave të deputetëve ukrainas kritikë ndaj qeverisë së Zelenskit, por pa asnjë informacion të verifikuar, disa media maqedonase përhapën narrativin rus se ushtria ukrainase ka 400,000 dezertorë.

Pothuajse 400,000 ushtarë ukrainas kanë braktisur njësitë e tyre pa leje, dhe shumë prej tyre – përfshirë vullnetarët – nuk kanë plane të kthehen, thuhet në një postim në Facebook. 

Në artikujt që i shqyrtuam lidhur me numrin e dezertorëve ukrainas, nuk gjetëm asnjë shifër prej 400,000 ushtarësh.

Nexus News Feed kujton një raport të gazetarit ukrainas Vladimir Bojko, i cili në korrik 2025 njoftoi se autoritetet kishin dorëzuar më shumë se 107,000 padi penale për dezertime dhe largim nga ushtria në gjysmën e parë të vitit 2025. Ai theksoi se numri total i rasteve kishte kaluar 230,000 që nga eskalimi i konfliktit ukrainas në 2022, dhe numri real i incidenteve mund të jetë edhe më i madh. Numri më i përmendur drejt fundit të vitit të kaluar ishte rreth 100,000, vlerëson revista e respektuar Defense Post.

Dojçe Vele” raporton se në fillim të vitit, Ukraina kishte regjistruar rreth 123,000 hetime për ushtarë që mungonin pa leje ose braktisnin njësitë e tyre. Por njëkohësisht, ka shumë dezertorë që, përballë zgjedhjes për t’u ndëshkuar ose për t’u kthyer në front, zgjedhin të kthehen në front; ky numër vetëm në mars 2025 arrinte 21,000 ushtarë.

Pas më shumë se tre vjet luftë intensive me Rusinë, Ukraina humb shumë ushtarë çdo ditë dhe ka një nevojë të jashtëzakonshme për forca shtesë në front. Në muajt e parë të luftës kishte shumë vullnetarë. Me kalimin e kohës, numri i njerëzve që regjistrohen vullnetarisht ka rënë ndjeshëm, prandaj shteti duhet të kalojë në mobilizim të detyrueshëm. Dezertimi është një problem, por sipas shifrave që mund të gjenden dhe krahasohen, ai është shumë larg 400,000 ushtarëve, siç pretendonte deputetja në parlamentin ukrainas Ana Skorohod. Në 2024, Lajmet Kombëtare Ukrainase raportuan lajme lidhur me rritjen e pasurisë së saj personale dhe të ish-bashkëshortit të saj, një rus me shtetësi ukrainase.

 

Dezinformata për oficerë të NATO-s të arrestuar

Disa media maqedonase përhapën dezinformata se ushtria ruse kishte arrestuar oficerë të NATO-s.

Forcat speciale të Federatës Ruse, sipas pretendimeve, kanë kapur disa oficerë të NATO-s në qytetin ukrainas Ochakov, të cilët ndihmonin forcat e armatosura ukrainase të qëllonin raketa dhe dronë drejt objektivave civile ruse, njoftoi kanali në Telegram “Na Marshe”, dhe këtë e publikuan edhe disa media ruse, siç raportoi një media maqedonase. 

Siç ka analizuar tashmë Vërtetmatësi, disa media ruse vërtet raportuan për një ngjarje të tillë, por lajmi është i rremë dhe bëhet fjalë për media shumë propagandistike ruse si GlavniyInfo24 dhe Bloknot. Disa prej tyre përdorën si burim kanale po ashtu propagandistike në Telegram, si Na Marshe ose kanali i ngjashëm Militarist, por të dyja këto kanale pranojnë se lajmi nuk është i konfirmuar, megjithatë e përhapin. Ata i atribuojnë lajmin burimeve të paemëruara perëndimore, që është një argument shumë i dobët.

Portali i pavarur britanik për siguri dhe mbrojtje, UK Defence Journal (UKDJ), konfirmoi se bëhet fjalë për dezinformatë.

Lajmi, i cili mungon çdo verifikim të pavarur, vjen nga burime të lidhura me Rusinë dhe përfshin foto të fabrikuara dhe identitete fiktive, thuhet në verifikimin e UKDJ-së.

Kjo nuk është hera e parë që përhapen dezinformata të tilla. Për shembull, në vitin 2022 u përhap një lajm i rremë se gjatë marrjes së qytetit ukrainas Mariupol, rusët kishin kapur një gjeneral amerikan, dhe “dëshmia” për këtë ishte një video e arrestimit të një personi të zakonshëm në Krime, i përshkruar gabimisht.

Ilustrim: Vërtetmatës.mk

 

Dezinformata ruse lidhur me viktimat ushtarake ukrainase

Së fundmi janë bërë aktuale pretendimet e pabazuara lidhur me viktimat e ushtrisë ukrainase. Duke u bazuar në grupe pro-ruse “haktiviste” dhe duke u përhapur shpejt përmes platformave të mediave sociale dhe mediave të sponsorizuara nga shteti, narrativa propagandistike pretendon se një numër i pabesueshëm prej 1.7 milion ushtarësh ukrainas janë vrarë ose kanë humbur që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022. Kjo shifër nuk ka asnjë mbështetje të besueshme, të pavarur dhe mban shenjat e një fushate të koordinuar dezinformuese, orkestruar nga aktorë pro-Kremlini, analizon Aleanca për Dezinformatat DISA.

Analistë të pavarur, përfshirë Petros Andriushchenko, drejtues i Qendrës për Studimin e Okupimit me seli në Mariupol, e hodhën poshtë këtë pretendim si “qartësisht të rremë”. Andriushçenko lidh këtë fushatë dezinformuese me pretendime të mëparshme të rreme, sipas të cilave qeveria ukrainase kishte refuzuar të pranonte 1,000 ushtarë të kapur në shkëmbim të të burgosurve, duke paraqitur përpjekjen e përbashkët si një sulm ndaj moralit. Qendra për Luftën kundër Dezinformatave në Ukrainë gjithashtu e dënoi fuqishëm shifrën prej 1.7 milionësh si “një gënjeshtër absolutisht absurde”, duke theksuar se madhësia totale e ushtrisë ukrainase, duke përfshirë rezervistët, është dukshëm më e vogël se numri i pretenduar i viktimaveraporton DISA.

Vlerësimet e besueshme për viktimat e forcave ushtarake ukrainase tregojnë një pamje krejt tjetër nga shifrat e ekzagjeruara që propagandojnë burimet pro-Kremlini. As Ukraina dhe as Rusia nuk duan të publikojnë shifrat zyrtare për viktimat, megjithatë presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski ka dhënë disa vlerësime. Në shkurt 2025, Zelenski vlerësoi viktimat e forcave ukrainase në rreth 46,000, me mbi 390,000 të plagosur. Ai gjithashtu hodhi poshtë raportet mediatike që sugjeronin një numër shumë më të madh viktimash, duke pranuar vështirësinë e regjistrimit të saktë të viktimave gjatë konfliktit aktual dhe shkëmbimit të të burgosurve.

Vlerësimet e pavarura nga organizata si Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) ofrojnë një gamë më të gjerë, duke vlerësuar numrin e ushtarëve të vrarë ukrainas midis 60,000 dhe 100,000, me viktima totale, pra të plagosur, që arrijnë deri në 400,000. Edhe pse këto shifra janë padyshim tragjike dhe të mëdha, ato mbeten dukshëm më të ulëta se shifra e trilluar prej 1.7 milionësh.

 

Propaganda është më e lirë se lufta klasike

Moska vazhdimisht përhap narrativa komplekse dhe të pandërprera propagandistike për ushtrinë ukrainase. Të gjitha këto synojnë të minojnë moralin, të lëkundin besimin publik dhe të ulin mbështetjen nga Perëndimi. Përhapja e lajmeve të rreme për humbje masive, epidemi, mungesë armësh apo dezertime ka për qëllim të dobësojë motivimin luftarak të ushtarëve ukrainas dhe besimin e civilëve ndaj udhëheqjes ushtarake. Me manipulime se autoritetet “fshehin shifrat e vërteta të viktimave”, Moska synon të shkaktojë dyshim dhe pakënaqësi mes qytetarëve. Paraqitja e Ukrainës si “tashmë e mposhtur” ose “pa kapacitet për ofensiva” ka për qëllim t’i bindë qeveritë dhe opinionin publik perëndimor se dërgimi i parave dhe armëve është i kotë.

Rusia përhap dezinformata për ushtrinë ukrainase sepse kjo është më e lirë dhe më e lehtë se lufta klasike, por mund të sjellë një efekt të madh: dobësim i moralit, ndarje brenda Ukrainës dhe ulje e mbështetjes nga aleatët perëndimorë. Me fjalë të tjera — dezinformata është një armë që synon të arrijë përfitime strategjike pa veprim të drejtpërdrejtë ushtarak. Autoritetet dhe mediat ukrainase punojnë aktivisht për t’i zbuluar dhe për të nxjerrë në pah gjendjet faktike.