Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov | Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse, mid.ru, 22.07.2022.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov gjatë konferencës së përbashkët me presidentin e entitetit serb të Bosnjë dhe Hercegovinës, të sanksionuarin Milorad Dodik, e përmendi disa herë Kosovën, në kontekst të ndërhyrjes perëndimore dhe të gjoja “dështimit” të rendit ndërkombëtar në Ballkan. Mesazhet e dhëna më 9 shtator 2025 u përqendruan në tri pika kryesore- mënyra e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, krahasimi me referendumin në Krime dhe paralajmërimi për destabilizim të rajonit.
Lavrov e përshkroi shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 si një “grusht shteti”, duke pretenduar se kjo ishte një shkelje flagrante e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një sulm ndaj sovranitetit të Serbisë. Me këtë retorikë, Kremlini synon të paraqesë ndërhyrjen ndërkombëtare si të padrejtë dhe ilegale, duke krijuar narrativën përmes së cilës Serbia shihet si viktimë e Rusia si mbrojtëse e saj.
“Duke folur për rajonin tonë të përbashkët, grushti i parë i shtetit ndodhi në vitin 2008, kur pavarësia e Kosovës u shpall në mënyrë të njëanshme në shkelje flagrante të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Çfarë është kjo nëse jo një grusht shteti? Këshilli i Sigurimit, organi më i lartë ligjor ndërkombëtar, përcaktoi parametrat e shtetësisë së Serbisë, dhe vendet perëndimore e shkatërruan këtë shtetësi, duke kryer kështu një grusht shtet”, tha Lavrovi.
Por realiteti ndërkombëtar është ndryshe. Pavarësia e Kosovës është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Procesit i kanë paraprirë negociata të gjata deri në propozimin e ish-Presidentit të Finlandës, Marti Ahtisaari për fillimisht pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Rezoluta 1244 kishte vendosur një administrim të përkohshëm ndërkombëtar dhe nuk pengonte një zgjidhje finale për statusin, duke lënë hapësirë për shpalljen e pavarësisë sipas të drejtës ndërkombëtare.
Lavrov po ashtu pretendoi se Kosova po shtyp komunitetin serb, tek foli për rëndësinë e ekuilibrimit të interesave mes tri entiteteve që përbjnë Bosnje dhe Hercegovinën.
“Minimi i këtij konsensusi, mbi të cilin u themelua Bosnja dhe Hercegovina, është, në fakt, një krim, një ftesë për konflikt të ripërtërirë në Ballkan. Është një përpjekje për të destabilizuar situatën, për të provokuar një skenar të dhunshëm dhe pastaj (nuk kam asnjë dyshim – në fakt, kjo mezi fshihet) për të përdorur forcën për t’i shtypur serbët, siç po shohim të ndodhë sot në Kosovë”, tha ai.
Përmes kësaj narrative, Lavrov përpiqet ta paraqesë Kosovën si një terren i destabilizuar, ku serbët janë nën kërcënim të vazhdueshëm. Megjithatë, kjo nuk korrespondon me realitetin. Kosova ka krijuar mekanizma përfaqësues për komunitetet pakicë, duke përfshirë Serbët, dhe ka shënuar përparime të rëndësishme në mbrojtjen e të drejtave të tyre politike dhe kulturore. Po ashtu nuk ka fakte për dhunë sistematike nga institucionet shtetërore kundër komunitetit serb, megjithë tensionet e kohëpaskohshme në veri të vendit. Po ashtu përfaqësimi i serbëve në Kuvend dhe institucione të tjera garanton pjesëmarrjen e tyre aktive në qeverisje.
Një tjetër pjesë e fjalimit të Lavrovit ishte krahasimi me referendumin në Krime.
“Perëndimi nuk i do referendumet. Pavarësia e Kosovës u shpall pa referendum. Referendumi në Krime, të cilin të gjithë patën mundësinë ta shihnin dhe monitoronin, dhe i cili ishte jashtëzakonisht transparent, nuk u njoh”, u shpreh ai.
Me këtë, Lavrov tenton të delegjitimojë shtetësinë e Kosovës dhe të paraqesë ndërhyrjen ruse në Krime si të domosdoshme për “stabilizimin” e rajonit. Por krahasimi nuk qëndron. Ndryshe nga Krimeja, ku Rusia ndërhyri pa miratimin e Ukrainës dhe perëndimit, Kosova veproi brenda kornizave ndërkombëtare që aplikohen nga shtetet perëndimore demokratike.
Qëllimi strategjik i deklaratave të Lavrovit është i qartë. Ai përpiqet të delegjitimojë Perëndimin dhe institucionet ndërkombëtare, të forcojë narrativat pro-serbe dhe pro-ruse në Ballkan dhe ta ndryshojë perceptimin mbi shtetësinë e Kosovës. Këto deklarata, të cilat janë të shpeshta përdoren si strategji për të ruajtur ndikimin rus në rajon si dhe për të penguar integrimin euro-atlantik të shteteve të Ballkanit.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”



