Manipulim: Deklarata e Zelenskit në të cilën ai flet për një situatë hipotetike, e nxjerrë jashtë kontekstit

Published on:

Në postimin që po shqyrtojmë është nxjerrë një fjali jashtë kontekstit e cila keqinterpreton atë që tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në konferencën për shtyp në përvjetorin e pushtimit ushtarak rus në Ukrainë. Nga e gjithë përgjigja e Zelenskit në pyetjen e gazetarit të ABC News, çfarë do t’u thoshte amerikanëve që mendojnë se Amerika po i jep shumë ndihmë Ukrainës, duket qartë se ai flet për një situatë hipotetike në të cilën Ukraina humbet luftën dhe Rusia më pas sulmon ushtarakisht shtetet balltike anëtare të NATO-s

Po shqyrtojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook në të cilin pretendohet se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të duhet të dërgojnë djemtë dhe vajzat e tyre të luftojnë dhe të vdesin për Ukrainën.

Zelensky: Shtetet e Bashkuara do të duhet të dërgojnë djemtë dhe vajzat e tyre të luftojnë dhe të vdesin për Ukrainën, thuhet në postimin në Facebook, i cili përfshin një video 19 sekondëshe.

Videoja në postimin që po shqyrtojmë është shkëputur nga një transmetim i drejtpërdrejtë dy orësh i një konference për shtyp që shënon përvjetorin e pushtimit ushtarak rus të Ukrainës. Në video, Zelensky shpjegon se nëse Rusia sulmon vendet anëtare të NATO-s, të cilat janë aleatë amerikanë, atëherë Shtetet e Bashkuara ndoshta do të dërgojnë trupa për të mbrojtur ato vende. Ai nuk sugjeron se amerikanët do të duhet të luftojnë në Ukrainë.

Konteksti i plotë i videos së konferencës zbulon se presidenti ukrainas po flet për një situatë hipotetike në të cilën Rusia sulmon vendet e NATO-s, jo se ai po u bën thirrje amerikanëve të luftojnë në Ukrainë. Kur shikoni këtë video, do të vini re se Zelensky po i përgjigjet një pyetjeje (1 e 37 minutë të videos) se cili është mesazhi i tij për amerikanët që besojnë se Shtetet e Bashkuara po i japin shumë mbështetje Ukrainës. Zelensky fillimisht falënderon amerikanët për ndihmën e tyre të vazhdueshme dhe më pas flet se çfarë mund të ndodhë nëse Ukraina humbet luftën:

SHBA nuk do të heqë dorë kurrë nga vendet anëtare të NATO-s. Nëse ndodh që Ukraina të humbasë për shkak të mendimeve të ndryshme dhe dobësimit, për shkak të mbështetjes dhe ndihmës së dobët, atëherë Rusia do të hyjë në vendet baltike, vendet anëtare të NATO-s, dhe më pas Shtetet e Bashkuara do të duhet të dërgojnë djemtë dhe vajzat, në të njëjtën mënyrë si ne i dërgojmë djemtë dhe vajzat tona në luftë. Dhe ata do të duhet të luftojnë. Sepse ne po flasim për NATO-n. Dhe pastaj, do të vdisnin, Zoti na ruajt, është diçka e tmerrshme. (rreth orës 1 e 40 minutash të videos).

Është e qartë nga e gjithë përgjigja e Zelensky ndaj pyetjes së gazetarit të ABC News, çfarë do t’u thoshte ai amerikanëve që besojnë se Amerika po i jep shumë ndihmë Ukrainës, se ai po parashikon një situatë hipotetike në të cilën Ukraina humbet luftën dhe Rusia më pas ushtarakisht sulmon shtetet balltike anëtare të NATO-s. Në një skenar të tillë do të aktivizohej neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut, sipas të cilit sulmi ndaj një anëtari të NATO-s konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve dhe më pas të gjitha vendet dërgojnë, nëse është e nevojshme, ndihmë ushtarake për anëtarët e sulmuar.

Konkludojmë se në postimin që po shqyrtojmë është nxjerrë jashtë kontekstit vetëm një fjali, nga e cila keqinterpretohet ajo që tha presidenti ukrainas në konferencën për shtyp në përvjetorin e pushtimit ushtarak rus ndaj Ukrainës. Në fakt është prerë një pjesë e deklaratës së Zelenskit (përgjigja e pyetjes së gazetarit), e cila fliste për një situatë hipotetike, gjatë së cilës manipulohet qëllimisht dhe krijon një imazh të gabuar në opinion. Prandaj, ne e konsiderojmë këtë postim si jashtë kontekstit.

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari