Manipulime me deklaratën e Trump dhe paraqitja e regjimeve agresive si “viktima të pafajshme”

Published on:

Foto: Shtëpia e Bardhë

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Postimi e kritikon deklaratën e Trump se Rusia, Kina dhe Korea e Veriut kishin komplotuar kundër SHBA-së, por në vend që të argumentojë pse Trump nuk ka të drejtë, ai rendit disa mëkate që vendet perëndimore kanë kryer nëpër botë (në Afganistan, Irak etj.), por kjo nuk është mënyra për të dëshmuar se deklarata e Trump është e pabazë. Për më tepër, Afganistani ishte nën sundimin e Talibanëve, ndërsa Iraku – nën Sadam Huseinin, pra këto regjime agresive nuk ishin aspak “viktima të pafajshme” të “Perëndimit të kalbur”, ashtu siç i paraqet postimi. Ai e akuzon gjithashtu për qëndrim të keq ndaj Palestinës, por disa vende perëndimore e kanë njohur ose janë në rrugë për ta njohur atë, prandaj nuk ekziston ndonjë “Perëndim kolektiv” ku të gjitha shtetet anëtare mendojnë njësoj.

 

 

Po recensojmë një postim në rrjetin social Facebook, i cili thotë:

Trump: Rusia, Kina dhe Korea e Veriut (gjoja) kishin komplotuar kundër SHBA-së?!

Po çfarë “altruizmi” po zbatojnë Perëndimorët ndaj tyre, Maqedonisë, Palestinës, Irakut, Iranit, Afganistanit…?!

Ky është një postim propagandistik pro-rus, dhe disa nga vendet e përmendura në të nuk kanë qenë aspak “viktima të pafajshme të imperializmit perëndimor” – ashtu siç dëshiron t’i paraqesë ai.

Dhe, interesant është fakti se postimi aspak nuk ngre zërin kundër pushtimit të Afganistanit nga BRSS (pjesë e të cilit ishte edhe Rusia) në vitin 1979 dhe luftës që ai zhvilloi atje deri më 1989, por përqendrohet vetëm tek ajo që ka bërë Perëndimi.

Është e vërtetë se SHBA dhe shumica e aleatëve të saj kryen pushtimin e Afganistanit në vitin 2001, por arsyeja ishte se ai ishte nën sundimin e lëvizjes islamiste të Talibanëve dhe strehë për organizatën terroriste Al-Kaeda dhe liderët e saj Osama Bin Laden dhe Ayman al-Zawahiri, të cilët kryenin sulme kundër SHBA-së.

Këtu veçohet sulmi ndaj Kullave Binjake në Nju Jork më 11.09.2001, por edhe sulmi ndaj ambasadave të SHBA-së në Afrikë më 07.08.1998 dhe ndaj anijes luftarake amerikane në portin e Adenit, Jemen, më 12.10.2000. Në gusht të vitit 1998 në Afganistan u vranë diplomatë dhe gazetarë nga Irani, gjë që pothuajse e çoi edhe me këtë shtet në luftë.

Talibanët terrorizonin edhe vetë afganët. Çdokush që nuk ishte i përshtatshëm mund të vritej, gjë që veçanërisht vlente për etninë Hazara, të cilët në kuptimin fetar janë shiitë. Të gjithë ata që nuk ishin pashtunë në aspektin etnik dhe sunitë në atë fetar, si Talibanët, diskriminoheshin ose vriteshin. Kundër Talibanëve luftonin edhe vetë afganët në lëvizjen e Aleancës së Veriut.

Talibanët shtypnin sidomos gratë, të cilat detyroheshin të mbanin burka, nuk lejoheshin të arsimoheshin dhe rriheshin me gurë publikisht deri në vdekje për “mëkate” të vogla. Autorja e postimit është grua, por për këtë nuk tregon aspak interes, dhe në vend të kësaj vajton për regjimin taliban, të cilin SHBA dhe aleatët e tyre e rrëzuan

Megjithatë, ai Afganistan i ri nuk arriti ta pengojë kthimin e Talibanëve në pushtet në vitin 2021. SHBA dhe aleatët e tyre atëherë u tërhoqën, ndërsa autorja e postimit si duket u gëzua për këtë, për çka dëshmojnë postimet e saj të atëhershme: këtukëtukëtu dhe këtu.

Diçka më i orientuar drejt sekularizmit, por aspak më paqësor, ishte diktatori irakian Sadam Husein, të cilin SHBA dhe disa nga aleatët e tyre e rrëzuan ushtarakisht në vitin 2003. Siç kemi shkruar tashmë, në vitin 1980 Huseini filloi luftë kundër Iranit me synim të pushtonte rajonin Huzestan, e cila zgjati deri në vitin 1988. Veçse në vitin 1990 ai sulmoi edhe Kuvajtin dhe e aneksoi atë, duke shkaktuar një ndërhyrje ushtarake të SHBA-së dhe aleatëve të saj (Lufta e Gjirit), gjatë së cilës përdori civilë të huaj si mburojë të gjallë.

Në atë luftë pushtoi qytetin saudit Hafji dhe bombardoi Izraelin, të cilit i kërcënohej me armë kimike, ndërsa ato i përdori në operacionin Anfal në vitin 1988 në gjenocidin kundër kurdëve në Irak.

Por as Irani nuk është më i mirë. Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, atje u vendos regjimi brutal i ajatollahut Ruhollah Khomeini, i cili SHBA-të i quante “Satani i Madh” dhe slogani i tij ishte “Vdekje Amerikës”. Irani ka sponsorizuar organizata terroriste si Hezbollahu në Liban, Hamasi dhe Xhihadi Islamik në Rripin e Gazës, Huthët në Jemen dhe paraushtarakët shiitë në Irak dhe Siri, ku edhe vetë ka marrë pjesë në luftë, ndërsa disa herë ka lëshuar raketa kundër Izraelit.

Postimi sugjeron gjithashtu se Perëndimi sillet keq ndaj Palestinës, por Britania, Franca, Belgjika, Kanadaja dhe Australia kanë shprehur gatishmëri për ta njohur atë, gjë që së fundmi e kanë bërë Norvegjia, Spanja, Sllovenia dhe Irlanda. Këto janë anëtare të BE-së dhe/ose NATO-s, çka tregon se nuk ekziston ndonjë “Perëndim kolektiv” në të cilin të gjithë mendojnë njësoj, edhe pse postimi krijon një përshtypje të tillë.

Këtë e dëshmon edhe fakti se jo të gjitha vendet perëndimore e mbështetën pushtimin e Irakut në vitin 2003. Kundër tij u shprehën Franca, Belgjika, Gjermania dhe shtete të tjera.

Postimi i referohet deklaratës së mëposhtme të Donald Trump, dhënë lidhur me paradën ushtarake që u mbajt në Pekin më 03.9.2025, ku foli lideri kinez Xi Jinping dhe ku ishin të pranishëm homologu i tij rus Vladimir Putin dhe Kim Jong Un i Koresë së Veriut:

Presidenti Xi dhe populli i mrekullueshëm i Kinës, ju uroj një ditë festive të madhe dhe të qëndrueshme. Ju lutem përcillni përshëndetjet e mia më të ngrohta për Vladimir Putinin dhe Kim Jong Unin, ndërsa komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Postimi e kritikon Trump për pohimin se Rusia, Kina dhe Korea e Veriut kishin komplotuar kundër SHBA-së, por në vend që të argumentojë pse Trump nuk ka të drejtë, postimi kalon në të ashtuquajturin “whataboutism” (një teknikë ose praktikë e përgjigjes ndaj një akuze ose pyetjeje të vështirë duke ngritur një kundërakuzë ose duke hapur një çështje tjetër) për shembull: “Po Afganistani? Po Iraku?”.

Fakti që Perëndimi ka mëkate në politikën ndërkombëtare nuk dëshmon aspak se Rusia, Kina dhe Korea e Veriut nuk kanë të tyret dhe se nuk kanë qëllime të këqija ndaj SHBA-së, se janë paqësore dhe se deklarata e Trump është e pabazë. Kjo nuk është mënyra për të dëshmuar se është e pabazë, sepse kjo bëhet me argumente.

Këtu do të rikujtonim edhe se Rusia (dmth. BRSS), Kina dhe Korea e Veriut kanë qenë aleate në Luftën Koreane (1950–53), e cila filloi me agresionin e Koresë së Veriut kundër Koresë së Jugut, së cilës me miratimin e OKB-së iu erdhën në ndihmë SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore, gjë që i jep gjithë çështjes edhe një bazë historike.

Rusia dhe Korea e Veriut tani luftojnë së bashku kundër Ukrainës dhe kanë bërë kërcënime bërthamore ndaj SHBA-së (këtukëtukëtu dhe këtu), ndërsa edhe pse Kina nuk është aq e ashpër, ajo gjithashtu di të kërcënojë dhe të demonstrojë forcë, siç ishte edhe në paradë, ndaj mosbesimi i Trump ndaj këtyre vendeve është megjithatë i bazuar.

Asistenti i Putinit, Jurij Ushakov mohoi që aty të jenë kurdisur komplotet, por shtoi edhe se deklarata e Trump mund të ketë qenë ironike, gjë që, duke e njohur stilin e tij të pazakontë, nuk përjashtohet dhe që krijon dilemë nëse kjo deklaratë duhet marrë fare seriozisht.

E ndoshta postimi dëshiron të përcjellë këtë mesazh: edhe sikur Rusia, Kina dhe Korea e Veriut me të vërtetë të kurdisin komplot kundër SHBA-së, Trump nuk ka të drejtë të ankohet për këtë dhe të presë trajtim më të mirë prej tyre, duke pasur parasysh të keqen që Perëndimi u ka shkaktuar vendeve të ndryshme në botë. Por, disa nga ato vende nuk kanë qenë aspak viktima të pafajshme dhe “lule për t’u nuhatur”, gjë që tashmë e kemi shpjeguar.

Jemi të vetëdijshëm gjithashtu se shumëkush te ne është i revoltuar nga integrimi i ngadalshëm euroatlantik, ndryshimi i emrit kushtetues, ndjenja se perëndimi i favorizon fqinjët tanë përpara nesh etj., dhe është normale që qytetarët tanë të shprehin mendimin e tyre për të gjitha këto, por çfarë kërkojmë ne si vend në të njëjtin listë me Afganistanin dhe Irakun në këtë postim – është vërtet e paqartë dhe e papërshtatshme.

Megjithatë, në postim ka edhe disa fakte të pakundërshtueshme. Trump ka dhënë një deklaratë të tillë siç i atribuon postimi, ndërsa vendet perëndimore kanë ndërmarrë ndërhyrje si ato në Afganistan, Irak etj., prandaj vlerësimi i përgjithshëm do të ishte se postimi është pjesërisht i pavërtetë