Më datë 1 mars 2025, “Euronews.rs” ka publikuar një artikull me titull, “Zakharova: Qëndrimi i Rusisë për çështjen e Kosovës dhe M nuk ka ndryshuar”.
Ky artikull paraqet deklaratat e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila theksoi se Moska vijon të mbajë të njëjtin qëndrim ndaj statusit të Kosovës, duke u bazuar në historinë dhe të drejtën ndërkombëtare.
Sipas saj, pozicioni rus mbetet i pandryshuar pasi bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila, sipas narrativës së Kremlinit, vë në pikëpyetje shtetin e Kosovës.
“As historia dhe as ligji ndërkombëtar nuk kanë ndryshuar, kështu që pse do të ndryshonte pozicioni ynë”, tha Zakharova.
Deklarata e saj u shpërnda edhe nga mediume tjera si: Naslovi.net, Alo.rs, Politika.rs, Kosovo Online, Vreme.com.
Narrativa ruse vazhdimisht i referohet Rezolutës 1244 si argument kryesor kundër shtetësisë së Kosovës, por interpretimi i saj nuk përputhet me realitetin e zhvillimeve politike dhe juridike.
Rezoluta 1244, miratuar më 10 qershor 1999, vendosi një prani civile dhe ushtarake në Kosovë, duke përcaktuar se një zgjidhje përfundimtare do të duhej të merrte parasysh vullnetin e qytetarëve shumicë të Kosovës. Ajo e vendosi Kosovën në një proces kalimtar drejt vetëqeverisjes dhe përjashtoi qartësisht kthimin e saj në kuadër të Serbisë.
Me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe njohjen e saj nga shumica e vendeve demokratike, pastaj opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vitin 2010 e vlerësoi shpalljen e pavarësisë si të ligjshme, roli i Rezolutës 1244 ka humbur peshë. Përkundër narrativës së Rusisë, kjo rezolutë nuk përcakton se Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë, por synonte krijimin e kushteve për një zgjidhje të qëndrueshme, që tashmë është konkretizuar me pavarësinë e Kosovës
Strategjia e Rusisë në raport me Kosovën nuk ka të bëjë vetëm me Serbinë, por me interesat e saj strategjike në arenën ndërkombëtare.
Rusia e shfrytëzon çështjen e Kosovës për të sfiduar ndikimin e SHBA-ve dhe BE-së në Ballkan, duke përhapur narrativën se Perëndimi “shkel të drejtën ndërkombëtare” dhe “zbaton standarde të dyfishta”.
Duke përhapur narrativa destabilizuese, Rusia synon të nxisë edhe përplasje ndëretnike dhe të parandalojë integrimin e plotë të Ballkanit në BE dhe NATO.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”