Martesa e çiftit LGBT

Published on:

Nga Ben Andoni

Edhe 10 ditë (19 Maj) pasi dy vajzat shqiptare lidhën bashkëjetesën e tyre me martesë në tarracën e Bashkisë së Tiranës, nuk kanë reshtur shkrimet dhe emisionet televizive për këtë ngjarje. E celebruar nga dy pastorë britanikë në prani të 80 të ftuarve, ajo, mori edhe ngjyrën e ceremonialit të plotë. Në aktin ceremonial, çifti shoqërohej edhe nga dy vajzat e tyre 3-vjeçare, binjaket e ardhura në jetë me metodën invitro.

Prania e vajzave e toksikoi mjedisin, sepse në të gjithë këtë javë nuk kanë reshtur protestat në Shqipëri për Ligjin lidhur me surrogacinë dhe debati për familjen.

Edhe pse ligji shqiptar nuk i lejon martesat e së njëjtës gjini, 2 partneret Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj dorëzuan në gjendje civile kërkesën për t’u celebruar në martesë, pas 14 vitesh dashuri. Për sa i përket aktit të marrjes së tarracës për ceremoninë e martesës, Alba Ahmeti pohoi, e cituar nga media (Telegraf, 2024), se u aplikua fillimisht me emër të Edlirës dhe kërkesa u pranua. Gjithsesi pretendimi më logjik ishte se, gjithsecili taksapagues ka të drejtë ta përdorë tarracën e bashkisë.

A është nisja e një procedure të tillë për të legjitimuar dhe martesat?!

Duket se të tjera histori e presin median shqiptare. “U bë me zhurmë por nuk ishte ky qëllimi. Qëllimi ishte t’i tregonim të gjithëve, që të jesh LGBT dhe besimtar, është më se legjitime. Nuk ishte me ligjet shqiptare, por me fjalën e zotit. Dashuria është fjala e Zotit. Dasmat edhe pa celebrim janë tipike në Shqipëri”-shpreh Alba Ahmetaj, një nga protagonistet.

Dhe, zgjidhja e drejtimit të ceremonialit ishte e zgjuar. U zgjodh Andy Fitchet. Ai është kleriku i shumëpërfolur që pas martesës me një grua me të cilën ka edhe djalë, pohoi kohë më parë se nuk ndihej i plotësuar dhe deklaroi publikisht se ishte gej, çka solli përjashtimin nga Kisha dhe kalimin e tij në shërbesa të Kishës metodiste. “Unë jam pastor në Britani dhe administroj dy kisha. Jam i kredituar nga Bashkimi Baptist Anglez dhe i autorizuar me kishën metodistë”,- u shpreh ai. “Unë jam i krishterë dhe jam person LGBT dhe besoj se mund të jesh të dyja njëkohësisht pa dashur të zgjedhësh”, u shpreh pastori tjetër (Report, 2024).

Në fakt, nuk është kaq e thjeshtë dhe më mirë se cilido tjetër, këtë e dinë anëtarët e komunitetit shqiptar të LGBT. Duket se ceremonia është përpjekja e parë për të shkuar shumë më tej, në fakt, për të bërë atë që kanë bërë shumë vende, që do të thotë legjitimiteti, përmes një kauze. Por, kjo nuk zuri vend te media shqiptare.

E vërteta është se ka një reformim të kësaj kishe. Takimi i Konferencës së Përgjithshme të Kishës Metodiste të Bashkuar në Charlotte, Karolina e Veriut (23 prill – 3 maj 2024) ndërmori veprime për të hequr nga Libri i Disiplinës të gjithë gjuhën që kufizon ose veçon njerëzit joheteroseksualë për trajtim të ndryshëm (Edward, 2024)[1].

E gjithë kjo do të thotë se klerikët e bashkuar metodistë tani janë të lirë të kryesojnë ceremonitë e martesës ose bashkimit të të njëjtit seks, kur ato konsiderohen si të ligjshme dhe, ata janë po aq të lirë të mos e bëjnë këtë, kur nuk duhet (Ibid). Por, në Shqipëri, ndërsa media e ka kthyer në debatin e zakonshëm, që rend tek klikimet, kleri katolik nuk e ka sqaruar këtë pozicion të kishës metodiste.

Problemi duket sikur është tek procedurat. “Hapi i parë ishte prezantimi i kërkesës në gjenden civile, hapi i dytë dhe unë me partneren time do kërkojmë të njëjtën gjë. Pasi të marrim përgjigjen negative do të shkojmë në gjykatë për ta çuar më pas çështjen e në gjykatën e Strasburgut për të ndjekur shembullin e Greqisë, Italisë dhe shumë shteteve të tjera”-u shpreh e pyetur nga media Xheni Karaj, aktiviste e njohur nga komuniteti LGBT.

Bashkia i është shmangur me kujdes, aktit të dhënies së mjediseve për ceremonialin, por Drejtoria e Gjendjes Civile deklaroi se në Regjistrin e Gjendjes Civile nuk është shënuar asnjë akt martese e, të dy shtetasve/ese të së njëjtës gjini. Kurse, sërish nga Gjendja Civile u konfirmua se nuk ka pasur asnjë lidhje martese mes dy vajzave të së njëjtës gjini. Fakti është se nuk parashihet martesa ligjore brenda gjinisë në Kodin e Familjes dhe Bashkia, në këtë rast, duhet të ishte më e kujdesshme. Nga ana tjetër, Bashkia për shkak të legjislacionit mbi të cilin  funksionon “për vetëqeverisjen vendore”, 139/2015 nuk mund të parashikojë mbi Kodin e Familjes, sipas ligjit.

Hipokrite e ka quajtur media reagimin e religjionit në vendin tonë, duke e lidhur përfshirjen e klerikëve në aktivitetet e kryebashkiakut Veliaj, por edhe sa ka gjetur objekt ndaj kreut të Tiranës. Në fakt, Kisha Katolike e dënoi e para martesën mes dy vajzave në Bashkinë e Tiranës dhe madje hodhi poshtë faktin, që klerikët e saj kishin mandat për të celebruar martesë. Kisha Katolike u shpreh se martesa mes personave të së njëjtës gjini është e papranueshme dhe kategorikisht e ndaluar sipas doktrinës së saj. Zëdhënësi, Dom Mark Pashkja konfirmoi faktin se: mbetet i palëkundur qëndrimi i Kishës Katolike që është kundër martesës së personave brenda të njëjtës gjini.

Komuniteti Mysliman, me anë të një reagimi për mediat i bënë thirrje bashkisë së Tiranës që “të jenë të kujdesshëm ndaj ngjarjeve të tilla” dhe shtoi se: “zhvillimi i një procedure të tillë në kundërshtim me ligjin shqiptar dhe Kodin e Familjes së Republikës së Shqipërisë është një veprim i rrezikshëm për të legalizuar dhe normalizuar një proces që tenton të imponohet pa dëshirë përmes shkatërrimit të familjes dhe kulturës tonë kombëtare”.

Anastas Janullatosi, nga Kisha Ortodokse ka qëndruar i larguar, por të paktën ka bërë nëpërmjet strukturave të tij ankimimin për këtë akt.

Nga zhvillimet duket se është shumë larg edhe akti i komunitetit fetar më 19 gusht 2009, kur ish-kryeministri Berisha shpalli një ligj të ri kundër diskriminimit, i cili i jepte njohje ligjore dhe mbrojtje të të drejtave të njerëzve LGBTI në vend. Me një letër drejtuar qeverisë, asokohe kleri shkroi se: e konsideronin zgjerimin e të drejtave familjare për personat LGBT si një kërcënim për familjen dhe shoqërinë shqiptare. E konsideronin homoseksualitetin një zakon të importuar nga vendet perëndimore dhe i kërkuan kryeministrit të asaj kohe: “Të bësh atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe jo atë që është e drejtë në sytë e botës moderne”.

Problemi më i madh, që është vënë re në të gjithë raportimin mediatik, ka qenë kakofonia e zërave dhe mbi të gjitha mungesa e arsyetimit për statusin ligjor të komunitetit. Debatet televizive më shumë janë marrë me përfaqësues të religjionit dhe mbrojtës të kauzës së LGBT-ve, kurse media e shkruar online u ka lënë hapësirë shumë shkrimeve goditëse, deridiku stigmatizuese për ta. Kuptohet se nuk kanë munguar panegjirikët dhe moralistët, por edhe njerëzit që e duan tollovinë mediatike.

Debati u shtri edhe në momentin e protestës së fundit të opozitës, dy ditë pas celebrimit para bashkisë, kur aktori Mehdi Malkja shprehu shqetësimin e tij për martesën homoseksuale që u bekua më 19 Maj në tarracën e bashkisë së kryeqytetit dhe kumti i ndoq prej disa qytetarëve, që hodhën molotovë në drejtim të derës kryesore të Institucionit.

Paradoksi është se në studiot televizive dhe këtë situatë politikanët e kanë kthyer në modul politik, duke u bërë qesharakë, se nuk e dinë që ata e kanë trasuar udhën për LGBT-itë. Nga PD-ja, këto ditë, kur po diskutohet për “Surrogacinë” kanë revokuar sërish vlerat e familjes duke këmbëngulur se janë parti konservatore (në fakt PD është e Djathtë e Qendrës) dhe kundër këtyre akteve të tilla zyrtare. Kurse PS-ja ka qenë më e kujdesshme edhe pse gjatë drejtimit të tyre ka një lulëzim të aktiviteteve të LGBT, ndërkohë që çdo vit mbahet dhe Gay Parade Tirana, ku pjesëmarrës veç komunitetit vendas është edhe ai i huaj.

Komuniteti LGBT në Shqipëri përballet me probleme sociale, por në fakt, duhet thënë se nga viti në vit janë më të çlirët na aktivitetet e tyre. Për këtë politika ka dhënë ndihmesën e vet për kuadrin ligjor (paçka se në shumë momente ka qenë i imponuar prej detyrimeve evropiane), kurse media vazhdimisht i shfrytëzon ngjarjet e komunitetit për klikimet e rrjetit, por pa shtruar probleme reale që e mundojnë këtë komunitet dhe ecurinë e procedurave ligjore.

Personat LGBT në Shqipëri mbrohen nga legjislacioni gjithëpërfshirës kundër diskriminimit. Qysh nga viti 1995, aktivitetet seksuale të të njëjtit gjini si meshkuj ashtu edhe femra janë të ligjshme në Shqipëri. Shqipëria ka ratifikuar Protokollin nr. 12 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Po ashtu, vendi ynë ishte nënshkrues i Deklaratës së OKB-së të vitit 2007 për Orientimin Seksual dhe Identitetin Gjinor. Në kohën e kushtetutës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë aktiviteti seksual brenda gjinisë së njëjtë u kriminalizua duke e kthyer jo vetëm në vepër penale të dënueshme me vite të gjata burgimi, por edhe bullizëm dhe izolim social.

Madje, neni 137 i krimeve kundër moralit shoqëror në Kodin Penal theksonte: Veprat e pederastëve janë të dënueshme deri në 10 vite heqje lirie. Fjala pederast përdorej si kod për marrëdhënien seksuale midis dy personave të gjinisë së njëjtë ose të një personi maxhoren me një minoren, ky i fundit i cilësdo gjini. Shqipëria e rregulloi disi kuadrin ligjor në vitin 1994, kur propozoi një draft ligjor në Kodin Penal në të cilin homoseksualiteti do të vijonte të mbetej ilegal, por me dënimin ligjor të reduktuar në tre vite nga 10 vite heqje lirie që ishte më përpara!

Fushata e drejtuar nga shoqata ‘‘Gay Albania Society‘‘ brenda Shqipërisë, si edhe presioni i vazhdueshëm nga ndërkombëtarët si shoqata ILGA, në të cilën Këshilli i Evropës luajti një rol të rëndësishëm, solli tërheqjen mbrapsht të këtij drafti ligjor. Dhe, në 20 janar 1995 parlamenti shqiptar legalizoi aktivitetin seksual të personave brenda së njëjtës gjini në Shqipëri, duke i dhënë fund Nenit famëkeq 137 të Kodit Penal të vjetër.

A mund t’i ngjajë Shqipëria në ditët tona Hungarisë?!

Ka pak gjasa të ndodhi me qeverinë socialiste të Z. Rama, që është shumë e bindur ndaj BE-së. Komisioni Evropian e çoi Hungarinë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në fund të vitit të kaluar për të ndryshuar ligjin që kufizon aksesin në informacion mbi çështjet LGBTQ. Ndryshimet ligjore të propozuara ndalojnë “shfaqjen dhe promovimin e homoseksualitetit” tek moshat nën 18 vjeç. Ndalimi zbatohet për diskutimet dhe shpërndarjen e informacionit në shkolla që konsiderohet nga autoritetet se promovon homoseksualitetin dhe ndryshimin gjinor. Ndalimi zbatohet gjithashtu për reklamat duke ndaluar reklamat që mendohet se synojnë personat nën 18 vjeç nëse shihen si solidaritet me homoseksualët.

E nisur në Rusi, si fushatë, ajo u përcoll në Hungari dhe ka gjasa që të shkojë edhe në Rumani. Kryeministri hungarez Viktor Orban tha se vërejtjet e von der Leyen në lidhje me ligjin ishin “të turpshme” dhe të bazuara në gënjeshtra. Rumania po shqyrton një projekt-ligj që do t’i ndalonte të miturit të ekspozohen ndaj të ashtuquajturës “propagandë homoseksuale” në shkolla dhe në jetën publike, pavarësisht paralajmërimeve nga grupet e të drejtave se do të “ushqente fushatat e propagandës ruse dhe dezinformimit” dhe do të rivendoste censurën në vendin ish-komunist . Nga ana e saj, pavarësisht kësaj, qeveria e Orbanit, e cila krenohet me promovimin e agjendës kristiane-konservatore dhe vlerave familjare, e rriti zbatimin e saj.

Në Shqipëri mungon predispozita për ligje të tilla, por ndërkohë Opozita, përfaqësuar nga ish-kryeministri Berisha dhe ish-presidenti Meta kanë paralajmëruar në javët e fundit se vendi mund të bëhet “fasoneri” apo “fermë uterusi” në rast se ligji i propozuar nga qeveria për rregullimin e surrogacisë do të miratohet, duke i shkuar një linje të ashpër që po shfaqet në Evropë. Edhe pse deklaratat sinjalizojnë një lloj zhvendosje drejt së djathtës konservatore të këtyre dy partive, ato kanë treguar shpesh se dinë të pozicionohen edhe jashtë boshtit ideologjik të tyre. Problem mbetet në narrativën e ngritur dhe konfondimin e çështjes së familjes, që opozita e merr si kauzë në momentet që maxhoranca shkon përpara me axhendat e veta të BE-së.

Peticioni i inicuar nga “Pro Familjes dhe Jetës” me firma të qytetarëve që kërkojnë ndalimin  lejimit të surrogacinë në Shqipëri, ndërprerjen e shtatzënisë në javën e 16 pa dijeninë e prindërve apo sterilizimin e vajzave dhe djemve të moshës 18 dhe 23 vjeç do t’i dërgohet Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.

Ndërkohë që Ligji për Shëndetit Seksual e Riprodhues vijon të konsultohet zv.Ministrja e Shëndetësisë sqaron se, surrogacia do të lejohet vetëm ndërmjet të afërmve dhe këmbëngul se ligji ende nuk ka formë dhe, disa pika mund të rishikohen.

Sot më 1 qershor një marshim i organizuar nga Koalicioni “Pro Familjes dhe Jetës” me prindër, fëmijë dhe gjyshër, synon jo thjesht t’i ndalojë pikat në projektligj dhe zhvillimeve më të fundit, si martesa ndërmjet dy vajzave apo projektligji për njohjen e identitetit gjinor, por edhe do kërkojë disa MORATORIUME për ndalimin e ndryshimeve ligjore, që i hapin rrugë martesave brenda së njëjtës gjini si dhe krijimin e hapësirës për birësimin e fëmijëve për personat LGBTQIA+. Ndalimin e ndryshimeve ligjore që krijojnë hapësirë për njohjen dhe identifikimin e gjinive përtej atyre binare të lindur (mashkull, femër), ndalimin e organizatave dhe subjekteve që promovojnë direkt ose indirekt apo janë të përfshira në axhendat dhe propagandën LGBQ, që të operojnë direkt ose indirekt në institucionet arsimore parauniversitaredhe parashkollore për fëmijët dhe adoleshentët, ndalimin e përfshirjes në programet shkollore dhe parashkollore për fëmijët dhe adoleshentët të çështjeve që kanë të bëjnë me orientimin seksual, seksualizimin dhe dexhenderizimin e fëmijëve dhe adoleshentëve.

Duket se organizimi i komunitetit LGBT, që kulmoi me martesën e dy vajzave në ditët e fundit, do të ndjekë rrjedhën e zakonshme deri në Strasburg dhe me shumë gjasë do të jetë obligativ për Shqipërinë dhe kuadrin e saj ligjor. Por, ky debat, sot që duhet të përfshijë procedurën dhe sensin në është e gatshme apo jo shoqëria jonë, zhvillohet me shumë paragjykime, por edhe me mosnjohjen e thellë të realitetit të LGBT-ve, tashmë një status, që nuk mund t’i shmangemi…prej detyrimeve, që politika ka marrë përsipër t’i realizojë. Provat deridiku po i jep dhe me mungesën e një debati të thellë për surrogacinë dhe shëndetin e familjes shqiptare, ku si pasojë, në orët e fundit dhjetëra janë mbledhur në protestë kundër ligjit të ri të surrogacisë në Shqipëri.


[1] https://www.umc.org/en/content/ask-the-umc-what-is-the-churchs-position-on-homosexuality