Mashtrime përmes mesazheve telefonike, PK-ja apelon për kujdes

Published on:

Foto: Printscreen

Metoda e mashtrimit përmes dërgimit të mesazheve në telefon me qëllim përfitimin e të hollave, ka ngritur shqetësim tek qytetarët. Së fundi, përdoruesve të telefonive mobile në Kosovë u janë dërguar mesazhe duke u pretenduar se kinse janë nga Posta e Kosovës.

“Klient i nderuar, Pakoja juaj u dëmtua gjatë transportit, duke shkaktuar humbjen e numrit të shtëpisë. Ju lutëm përditësoni detajet e dorëzimit këtu”, shkruan në mesazh. Aty jepet edhe një link me domenin “post-kosoves.xyz”, që në fakt klikimi mbi të, çon të dhënat personale tek keqëpërdoruesit. Përdoruesit joshen duke u thënë se pakoja do tu dorëzohet brenda 24 orëve pasi të përditësohen të dhënat.

Pas shqetësimeve të ngritura, ka reaguar Policia e Kosovës përmes një postimi në “Facebook” duke apeluar për kujdes nga mashtrimi përmes SMS-ve.

Jemi duke vërejtur një rritje të ankesave të qytetarëve për raste të mashtrimeve përmes mesazheve telefonike (SMS), ku qytetarët pranojnë mesazhe që përmbajnë Link-e të dyshimta dhe duke klikuar në këto linke, mashtruesit mund të fitojnë qasje në llogaritë bankare të qytetarëve ose të dhëna tjera personale me ë’rast nga llogarit bankare në mënyrë të paligjshme të dyshuarit përfitojnë të holla”, shkruan në njoftimin e PK-së.

Tutje PK-ja, ka kërkuar nga qytetarët të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë që u dërgohet përmes mesazheve (SMS) telefonike, të mos jepen të dhënat personale si fjalëkalime apo informacione bankare përmes faqeve të panjohura, të verifikohet çdo mesazh i dyshimtë duke kontaktuar drejtpërdrejtë institucionin ose kompaninë që pretendohet se ka dërguar mesazhin, si dhe të raportohet rasti tek autoritetet përkatëse ose te banka.

Ka reaguar edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke  u bërë thirrje qytetarëve rreth mashtrimeve përmes mesazheve SMS, të ndjekin udhëzimet e Postës së Kosovës.

Raste të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën, ku qëllimi është mashtrimi i qytetarëve dhe vjedhja e të dhënave personale dhe bankare përmes përmbajtjeve të rreme, për disa prej të cilave ka reaguar edhe Posta e Kosovës, duke njoftuar publikun që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve.

Para disa muajsh, në të njëjtën mënyrë përdoruesve të telefonive mobile u ishin dërguar mesazhe duke u paraqitur kinse janë nga Posta e Kosovës, ku kërkoheshin edhe llogaritë bankare.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”