Me dezinformatat pro-Kremlinit, BE dhe NATO sërish akuzohen për luftën në Ukrainë

Published on:

Foto: Canva Collage

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Postimi, në përpjekje për të justifikuar pushtimin ushtarak rus në Ukrainë, në frymën e dezinformatave pro-Kremlinit, i shtrembëron tezat duke i akuzuar BE-në dhe NATO-n për luftën dhe duke i përshkruar si fashistë. Këto akuza nuk përputhen me faktet – është Rusia ajo që e ka nisur luftën, ndërsa BE dhe NATO vetëm po e ndihmojnë Ukrainën të mbrojë integritetin e saj territorial.

 

Po analizojmë një postim në Facebook që thotë:

“Bravo për të preferuarin tim Trump, luftëtar për paqe, e jo si këta neonacifashistë dhe pedofilë nga BE-ja dhe NATO që duan vetëm lot, gjak dhe vdekje.”

Nuk është e vërtetë se Bashkimi Evropian dhe SHBA janë neonazistë, siç dëshiron ta paraqesë ky postim. Kjo narrativ është në të njëjtën linjë me dezinformatat pro-Kremlinit që pretendojnë se të gjithë janë “nazistë”, përveç Rusisë.

Siç publikon EUvsDisinfo, për shumë vite mediat ruse të kontrolluara nga shteti kanë pohuar se shtete dhe entitete të ndryshme udhëhiqen nga nazistë ose ndjekin ideologjinë naziste. Shembujt janë të dokumentuar mirë në bazën e të dhënave të EUvsDisinfo që nga viti 2015. Aty, për shembull, thuhet se Moldavia udhëhiqet nga fashistë, po ashtu edhe shtetet baltike dhe Polonia. Më tej, pretendohet se Evropa “mbështet” fashizmin, përfshirë edhe Parlamentin Evropian.

Pretendimi se Bashkimi Evropian është nazist dhe lidhja e tij me fashizmin është plotësisht në kundërshtim me qëllimet dhe përpjekjet reale për të cilat është themeluar vetë Unioni. Bëhet fjalë për një bashkim politik dhe ekonomik prej 27 shtetesh anëtare të vendosura kryesisht në Evropë, me politika që sigurojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në tregun e brendshëm, si dhe politika të përbashkëta për tregtinë, bujqësinë dhe zhvillimin rajonal.

Më 25.10.2018, Parlamenti Evropian publikoi se është i shqetësuar për rritjen e trendit të normalizimit të fashizmit, racizmit dhe ksenofobisë, dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të ndalojnë grupet neofashiste dhe neonaziste.

Anëtarët e Parlamentit Evropian i inkurajojnë qeveritë kombëtare të ndalojnë në mënyrë efektive grupet neofashiste dhe neonaziste, si dhe të gjitha fondacionet dhe shoqatat e tjera që lavdërojnë nazizmin ose fashizmin. Parlamenti Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare që qartë të dënojnë dhe të sanksionojnë krimet nga urrejtja, si dhe gjuhën e urrejtjes nga figura politike që nxisin urrejtje dhe dhunë. Po ashtu, theksoi se është e nevojshme që vendet anëtare të kundërshtojnë përhapjen e racizmit, fashizmit dhe ksenofobisë përmes internetit, në bashkëpunim me kompanitë e rrjeteve sociale.

Nga kjo bëhet e qartë se përpjekjet e Bashkimit Evropian jo vetëm që nuk janë fashiste, por janë thellësisht të bazuara në politika, rekomandime dhe veprime antifashiste.

Sa i përket NATO-s, ajo nuk është aspak një organizatë fashiste, por përfaqëson një aleancë mbrojtëse me qëllimin kryesor për të mbrojtur anëtarët e saj nga kërcënimet e jashtme. Politikat zyrtare të NATO-s janë se ajo nuk kërkon konfrontim, por është e gatshme të mbrojë dhe të mbështesë aleatët e saj.

Më 1 mars 2007 në Bruksel, në një fjalim të mbajtur nga ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ai theksoi:

 

E drejta e grave për të shkuar në shkollë është një e drejtë universale. E drejta për të zgjedhur fenë në të cilën besoni dhe për të mos pasur frikë nga dënimi me vdekje për shkak të kësaj zgjedhjeje është një e drejtë universale. E drejta për të zgjedhur qeverinë tuaj përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është një e drejtë universale. Këto janë vlerat që i mbrojmë – nga Ballkani deri në Afganistan. Për to nuk ka negociata. Por ato nuk janë as ekskluzivisht perëndimore, as ekskluzivisht të krishtera. Unë me të vërtetë besoj se vendet nga të gjitha pjesët e botës dhe të gjitha besimet kryesore duhet të jenë në gjendje të bien dakord për to. Këto janë baza e vërtetë për mbijetesën njerëzore në shekullin 21, thotë ai ndër të tjera në fjalimin e tij.

 

Kjo do të thotë se edhe NATO, ashtu si Bashkimi Evropian, i mbështet dhe i promovon dallimet, identitetin kulturor të ndryshëm dhe të drejtat demokratike për të gjithë në mënyrë të barabartë. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk është fashizëm.

Sa i përket narrativës në postim për një “BE pedofile”, ajo lidhet me dezinformata dhe propagandë që përhapet nga Kremlini, e cila i drejtohet Perëndimit në përpjekje për të justifikuar agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, siç raportoi gazeta franceze Le Monde (më 02.03.2023), në fjalimin e tij drejtuar kombit më 21 shkurt (2023), e akuzoi Perëndimin se e ka bërë pedofilinë një “normë”. 

Një sulm i egër, tipik për liderin rus, por që përputhet me atë të komunitetit QAnon, i cili shpërndan dezinformata për elita pedofile në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Le Monde.

Ajo që është e vështirë, është të bëhet dallimi mes propagandës së prodhuar në “kuzhinën” dhe strategjitë e Kremlinit, dhe morisë së qarqeve konspirative ruse dhe franceze që gravitojnë rreth tyre dhe mund të manipulohen, deklaroi Pierre-André Taguieff, studiues politik dhe autor i disa librave për teoritë e konspiracionit.

Nuk ekziston as ndonjë iniciativë e përafërt në BE për të legalizuar pedofilinë, e cila konsiderohet vepër penale. Direktiva për luftën kundër abuzimit seksual dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe kundër pornografisë me fëmijë është vetëm një dokument që përfaqëson luftën e palëkundur të BE-së kundër krimit të pedofilisë.

Në fund, postimi pretendon se BE dhe NATO janë ata që duan “gjak, lot dhe vdekje”. Edhe kjo është në përputhje me dezinformatat pro-Kremlinit, sipas të cilave Rusia nuk është fajtore për luftën në Ukrainë, por se luftën e kanë nisur BE dhe NATO, ndërsa Rusia thjesht po mbron veten.
Më 24 shkurt 2022, trupat ruse nisën një sulm ndaj Ukrainës me urdhër të presidentit Putin, i cili shpalli një “operacion të veçantë ushtarak” në orët e hershme të mëngjesit, pavarësisht paralajmërimeve nga liderët botërorë se ky veprim mund të çonte në luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

Sulmit i parapriu vendimi i presidentit rus Putin më 21 shkurt 2022 për njohjen e pavarësisë së ashtuquajturave republika popullore në Donetsk dhe Luhansk, të cilat nga viti 2014 janë nën kontrollin e separatisteve prorusë. Ky vendim i Putinit i mundësoi atij të dërgojë drejtpërdrejt njësi ushtarake ruse në Ukrainën Lindore, ku tashmë kishin filluar përplasje të rastësishme midis forcave ukrainase dhe separatisteve prorusë.

Që nga fillimi i agresionit të ushtrisë ruse ndaj Ukrainës, shumë herë propaganda e Kremlinit ka tentuar të përmbysë argumentet dhe të imponojë një sërë justifikimesh për sulmet e tij. E vërteta është se Rusia ishte ajo që realizoi një invadim të pa provokuar ushtarak ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022.

BE-ja i ofron Ukrainës ndihmë ushtarake dhe financiare, duke i njohur të drejtën për t’u mbrojtur nga invazioni ushtarak rus dhe për të mbrojtur integritetin e saj territorial.

Që nga shkurt 2022, Këshilli i Evropës dhe Këshilli i Bashkimit Evropian mblidhen rregullisht për të diskutuar situatën në Ukrainë nga këndvështrime të ndryshme.

Rusia duhet ta ndalojë menjëherë këtë luftë të tmerrshme. Bashkimi Evropian do të qëndrojë pranë Ukrainës me mbështetje të fortë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, thuhet në përfundimet e Këshillit të Bashkimit Evropian të datës 9 shkurt 2023. 

Liderët e BE-së kërkuan disa herë që Rusia menjëherë të ndalojë veprimet e saj ushtarake, të tërheqë pa kushte të gjitha forcat dhe pajisjet ushtarake nga Ukraina dhe të respektojë plotësisht integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Ata theksuan të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur fatin e saj dhe e lavdëruan popullin e Ukrainës për guximin e treguar në mbrojtjen e vendit të tyre.

BE-ja ka treguar unitet dhe forcë dhe i ka ofruar Ukrainës mbështetje humanitare, politike, financiare dhe ushtarake.

Po ashtu, NATO ka dënuar agresionin brutal dhe të pa provokuar ushtarak rus ndaj Ukrainës, një shtet të pavarur dhe demokratik dhe një partner të ngushtë të NATO-s. NATO dhe aleatët i japin Ukrainës mbështetje në të drejtën e saj të pa kontestueshme për vetëmbrojtje. Ndihma ushtarake përfshin armë, pajisje dhe ndihmë financiare për ushtrinë ukrainase. Ndihma humanitare përfshin produkte mjekësore, ushqimore dhe të tjera për civilët, ndërsa ndihma financiare vjen në formë grantesh, kredish dhe garancish.

Nga e gjithë kjo, mund të përfundojmë se postimi që po analizojmë është i pavërtetë.