Mediat serbe spekulojnë se FSK-ja u trajnua në Kroaci për ta sulmuar Serbinë

Published on:

Burim i fotos: FSK

Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është trajnuar gjatë muajit nëntor në Kazermën “Croatia” në Zagreb, në kuadër të Planit të bashkëpunimit bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes së Kroacisë.

Qëllimi i trajnimit ka qenë ngritja profesionale për pjesëtarët e PU të FSK-së.

Mirëpo, këtë aktivitet të përbashkët mes FSK-së dhe Ushtrisë Kroate, disa media serbe e kanë keqinterpretuar si përgatitje për t’i sulmuar serbët.

Më 13 nëntor 2023, portali serb Kurir publikoi artikullin me titull:“PRAKTIKA KROATE DHE SHQIPTARE PËR SULM NDAJ SERBËVE? Stërvitja ‘policore’ e Kurtit në Zagreb (FOTO)”.

Të njëjtin artikull e shpërndau edhe Informer, me titull: ”Po bëjnë prova për sulm ndaj serbëve?! Kroacia po stërvit “policinë” e Kurtit!”

Image

Foto: Shkëputur nga postimi i portalit serb Kurir.

Mirëpo, këto portale nuk kanë ofruar asnjë provë për ta mbështetur pretendimin e tyre.

Madje, Kurir dhe Informer kanë ngatërruar edhe institucionin i cili është duke u stërvitur në Kroaci, duke iu referuar Policisë së Kosovës në vend të FSK-së.

Forca e Sigurisë së Kosovës, përmes një deklarate zyrtare, ka thënë se një skuadër e Policisë Ushtarake të FSK-së (PU) ka ndjekur trajnimin “MP Electroshock Stun Gun Training and MP Drug Test Training”.

“Trajnimi është udhëhequr nga instruktorët e Policisë Ushtarake Kroate dhe ka plotësuar të gjithë objektivat dhe qëllimin në kuadër të përgatitjeve profesionale për pjesëtarët e PU të FSK-së,” thuhet në njoftimin e FSK-së në Facebook.

Aktivitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës përbëjnë njërën prej temave kryesore për të cilat në disa raste kanë dezinformuar mediumet e afërta me pushtetin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Serbi.

Në të kaluarën është tentuar të shkaktohet frikë në mesin e qytetarëve serbë në Kosovë, duke thënë në disa raste se FSK-ja planifikon të ndërmarrë edhe inkursione në veri.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”