Millosh Bikoviq, i ftuari i kryeministrit Mickoski, bartës i “fuqisë së butë” ruse

Published on:

Foto: Profili i Instagramit i kryeministrit Mickoski

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

I ftuari i kryeministrit, përveçse me origjinë nga Berova, në vitin 2021 u pajis me pasaportë dhe shtetësi ruse dhe u dekorua personalisht nga Putini për kontributin e tij në kulturën ruse. “Fuqia e butë” e Millosh Bikoviq-it është me rëndësi për Rusinë – ai shërben si një fytyrë e njohur dhe e pëlqyeshme që nuk e kritikon Rusinë, gjë që në epokën e izolimit ndërkombëtar ka shumë vlerë. Popullariteti i tij e bën kulturën ruse “të qasshme” dhe “miqësore” për publikun ballkanik. Ukraina, nga ana tjetër, e akuzon se ka marrë pjesë në produksione dhe filma të xhiruar në Krime – gadishulli ukrainas që Rusia e aneksoi në vitin 2014 – dhe se ka mbështetur pushtimin rus të vendit.

 

Shkruan: Miroslava Simonovska

 

Kryeministri Hristijan Mickoski këtë javë në Instagram, me fotografi, e “kurorëzoi” takimin e tij me aktorin serb (dhe rus) Milosh Bikoviq. Mickoski publikoi se e kishte pritur Bikoviq-in për një bisedë rreth investimeve të ardhshme në një kompleks hotelierik dhe rekreativ në Berovë, prej nga Bikoviq e ka origjinën.

 

 

I ftuari i kryeministrit, përveçse me origjinë nga Berova, në vitin 2021 u pajis me pasaportë dhe shtetësi ruse dhe u dekorua personalisht nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, për kontributin e tij në artin dhe kulturën ruse. Dhe jo vetëm kaq – emri i tij është objekt debatesh, pasi Ukraina e cilëson si person përmes të cilit Rusia realizon të ashtuquajturën “fuqi të butë”. Ky është një koncept sipas të cilit shtetet – në këtë rast Rusia – e përdorin kulturën dhe ndikimin e saj për të fituar simpati jashtë vendit dhe në këtë mënyrë për të realizuar interesat e veta. Prandaj, për Ukrainën nuk ishte e parëndësishme kur në vitin 2024 televizioni HBO shpalli se Bikoviq do të ishte aktor në sezonin e tretë të serialit popullor “The White Lotus”.

Atëherë, përmes kanaleve zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ukraina shpërndau një mesazh proteste, duke e pyetur televizionin HBO “nëse është në rregull për produksionin e tyre të punojnë me një njeri që mbështet gjenocidin dhe shkel të drejtën ndërkombëtare”, duke iu referuar Bikoviq-it.

Aktori serb Milosh Bikoviq, i cili e mbështet Rusinë që nga fillimi i pushtimit, tani do të luajë një rol në sezonin e tretë të serialit të HBO-së “Lotusi i bardhë”. “HBO, a është në rregull për ju të punoni me një njeri që mbështet gjenocidin dhe shkeljen e së drejtës ndërkombëtare?”, shkruan Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës.

Më pas, HBO e hoqi Bikoviq-in nga lista e aktorëve për serialin.

Vetë Bikoviq nuk e fsheh lidhjen e tij me Rusinë, ndërsa në paraqitjet publike flet edhe për afrimin e kulturës ruse dhe asaj serbe dhe për “kodin kulturor të përbashkët” të të dy popujve. Në fjalimet e tij ai flet për “botën ruse” – të cilën e përshkruan si botë që nuk u përket vetëm rusëve dhe ortodoksëve, por “përfaqëson një botë që e kërkon dhe e krijon njeriu i formuar shpirtërisht me karakter, ndërgjegje dhe sistem tradicional vlerash”. Në paraqitjet e tij në Serbi, për Putinin nuk ka kritika, por justifikime.

Unë jetoj dhe punoj në Rusi prej 7 vitesh dhe ndiej se jam pjesë e këtij realiteti dhe kësaj jete kulturore. Këtu menjëherë u ndjeva si në shtëpi, një ndjenjë shumë logjike. Kjo është vetëm një dëshmi se jam pjesë e kësaj kulture dhe se kjo kulturë është pjesë e imja. Rusia u bë shtëpia ime. Do të vazhdoj të jetoj si gjithmonë, do të vazhdoj të krijoj si në Serbi, ashtu edhe në Rusi, të zhvilloj projektet e përbashkëta që i lidhin kulturat dhe popujt tanë të afërt. Madje nuk mendoj se ‘të afërt’ është fjala e duhur – nuk i shoh dy popujt si të ndryshëm, ky është një kod kulturor i vetëm. Duhet ta kuptojmë këtë dhe të luftojmë për kulturën. Kultura si në Rusi, ashtu edhe në Serbi, është nën kërcënim. Sistemi ynë i vlerave është nën kërcënim. Madje më shumë, ekziston një proces i zëvendësimit të fakteve kulturore dhe historike. Duhet të krijojmë një kulturë që do ta forcojë identitetin e këtyre dy kombeve. Ky është kuptimi i ‘popujve të afërt’, kur e njeh historinë dhe si rezultat i saj ndihesh më afër, – deklaroi Bikoviq për marrjen e shtetësisë së tij ruse. 

Si yll në shumë produksione ruse, Bikoviq flet rregullisht për entuziazmin e tij ndaj kulturës ruse. Kievi raportoi se ai kishte xhiruar filma në Krime – gadishullin ukrainas që Rusia e aneksoi në vitin 2014 – dhe se nuk kishte dënuar pushtimin rus të Ukrainës. Pak pasi Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt 2022, Bikoviq ndau një sondazh që tregonte se besimi te presidenti rus Vladimir Putin ishte më i lartë se në presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski. Aktori ka një lidhje të qartë dhe pozitive me Vladimir Putinin, veçanërisht përmes çmimeve kulturore dhe shtetësisë që ka marrë.

“Fuqia e butë” e Millosh Bikoviq-it është me rëndësi për Rusinë dhe përfshin disa elemente përmes të cilave ai ndikon në opinionin publik dhe diplomacinë kulturore në favor të Rusisë – pa përdorur forcë ose mjete politike. Në kontekstin perëndimor, refuzimi i tij për të dënuar agresionin rus (siç bënë shumë personalitete publike) interpretohet si mbështetje pasive. Për Rusinë, kjo ka vlerë të madhe: ai shërben si një fytyrë e njohur dhe simpatike që nuk e kritikon Rusinë, gjë që në epokën e izolimit ndërkombëtar është shumë e vlefshme. Fama e tij, lidhja me Rusinë dhe retorika e kujdesshme i mundësojnë të jetë një përçues i heshtur, por me ndikim, i perceptimeve pro-ruse në rajon dhe më gjerë. Popullariteti i tij e bën kulturën ruse “të qasshme” dhe “miqësore” për publikun ballkanik, ndërsa Ukraina e akuzon për pjesëmarrje në produksione dhe filma të xhiruara në Krime dhe për mbështetje të pushtimit rus të vendit.