Prepared by: Ridona Berisha
Zyrtarë të Serbisë kanë tentuar të dezinformojnë në përpjekjen e tyre për ta mohuar sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, duke ngritur dyshime mbi pamjet e publikuara nga autoritetet e Kosovës. Ato fillimisht u nxorrën në media ndërkombëtare përmes të cilave u konfirmua se pjesë e grupit ka qenë edhe ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq. Të armatosur me armë të gjata, granata e minahedhës, grupi terrorist ishte filmuar në hyrjen e një bujtine, afër Manastirit të Banjskës.
Dy ditë pas sulmit, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në e publikoi një video ku në grupin prej rreth dhjetë vetësh fokusohet Milan Radojçiqi, i cili përveç se ndiqet nga organet e rendit të Kosovës prej disa vitesh, ai është pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, ka shkruar Sveçla, duke ia bashkëngjitur postimit edhe pamjet e xhiruara me dron nga Policia e Kosovës më 24 shtator.
Por Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq në një intervistë për televizionin publik serb RTS, duke komentuar videon tha se ajo nuk është bërë ditën kur ndodhi sulmi. “Videoja nuk është e asaj dite dhe mund ta shihni borën”, tha Daçiq.
Deklaratën e ndryshoi pak ditë më vonë dhe vetëm pasi Radojçiqi e pranoi se ka qenë pjesë e grupit sulmues në ditën kritike, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Më 29 shtator 2023, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiqi, përmes avokatit të tij, konfirmoi se e ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin e 24 shtatorit.
Duke u munduar të arsyetohet se videon e vjetër ia kishte dërguar dikush tjetër, Daçiq e pranoi gabimin. ”Dikush më tha se ishte një video më e vjetër, nuk e kontrollova”. Gabimi im. Nuk kam dashur ta shfajësoj Radoiçiqin”, tha shefi i diplomacisë serbe. Më tej, ai shtoi se ngjarja në Banjskë ishte një nga situatat më të vështira që nga viti 2004. Megjithëkëtë njësoj sikurse presidenti serb Vuçiq, ai e mohoi se Serbia është e përfshirë në planfikimin dhe organizimin e sulmit terrorist. Por pas ikjes së grupit sulmues në drejtim të Serbisë, autoritetet e Kosovës konfiskuan armatimin e rëndë dhe dokumentaconin, që sipas tyre, dëshmon se lloji i armatimit i takon armatës së Serbisë. Po ashtu edhe stërvitjet ky grup prej muajsh i kishte kryer në qendrat stërvitore brenda territorit të Serbisë.
*This article is published as part of the Western Balkans Regional Initiative against disinformation. Western Balkans Anti-Disinformation Hub: exposing malign influences through watchdog journalism