Narrativa të rreme rreth vendimeve të gjyqësorit nga zyrtarët serbë

Published on:

Dënimi i tre serbëve për sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës dhe një dënim i shqiptuar për krime lufte, shërbyen si pikënisje e një fushate të koordinuar dezinformuese nga zyrtarë të Beogradit, Listës Serbe dhe mediat pro-qeveritare. Vendimet e gjykatës i paraqitën si politike tek përhapën pretendime të pabazuara se proceset gjyqësore janë të montuara dhe të motivuar etnikisht, pavarësisht se vendimet u bazuan në prova konkrete dhe procedura ligjore transparente.

Dejan Pantiq, Aleksandar Milenkoviq dhe Milan Vllajiq, u dënuan për sulmin terrorist në dhjetor 2022 ndaj zyrave të KQZ-së. Milenkoviq dhe Vllajiq janë dënuar me nga 5 vjet burgim, ndërsa Pantiq me 2 vjet. I akuzuari i katërt, Zoran Vakiq, është liruar nga akuza për mungesë provash. Ky vendim erdhi pas një procesi të gjatë gjyqësor që përfshiu dëshmi, prova materiale dhe seanca të hapura. Sipas aktakuzës, të pandehurit me veprimet e tyre kishin për qëllim të pengonin dhe frikësonin përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës gjatë përgatitjeve për zgjedhjet lokale në veri të vendit.

Prokuroria Speciale e ka mirëpritur aktgjykimin fajësues duke paralajmëruar se pas pranimit të aktgjykimit të plotë, prokurori i rastit do ta shqyrtojë të drejtën e ankesës.

Sipas Prokurorisë, ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe dërgon një mesazh se aktet e dhunës dhe kërcënimet ndaj institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të tolerohen.

Pas shpalljes së vendimit, zyrtarët serbët përfshirë Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe subjektin politik Lista Serbe, nisën një fushatë propagandistike kundër vendimit gjyqësor duke pretenduar se verdikti u dha “pa dëshmitarë e pa prova” dhe se procesi ishte i montuar politikisht. Në reagimin e Listës Serbe pretendohej se “gjykimi është bërë me urdhër të Albin Kurtit” dhe se ky është një hap tjetër në drejtim të dëbimit të serbëve nga KosovëPërmes këtyre deklaratave jo vetëm që tentohet të mohohet pavarësia e sistemit gjyqësor në Kosovë, por shtrembërohet realiteti duke e vendosur drejtësinë brenda një narrative politike, sikur vendimet merren nga pushteti ekzekutiv dhe jo nga organet e drejtësisë. Tentativa për t’i delegjitimuar vendimet e gjyqësorit dhe për t’i paraqitur ato si “urdhra të Kurtit” është pjesë e një tendence më të gjerë të autoriteteve serbe për të minuar institucionet e Kosovës dhe për të prodhuar ndjesinë e një gjoja “persekutimi sistematik” të serbëve.

Mediat pro-qeveritare serbe transmetuan të njëjtat narrativa pa e verifikuar vendimin e gjykatës ose faktet e paraqitura gjatë procesit.

Pretendimet se gjykimi është bërë pa dëshmitarë dhe prova bien ndesh me të dhënat zyrtare nga procesi. Në seancat gjyqësore janë prezantuar dëshmi, përfshirë prova filmike dhe materiale të tjera të siguruara nga vendngjarja, që sipas raportimeve e bazuan vendimin e gjykatës. Kosovë.

Arrestimi i Dejan Pantiqit në dhjetor të 2022-ës ishte një nga shkaqet që nxitën ngritjen e barrikadave në veri të vendit, duke bllokuar rrugët që çonin drejt pikave kufitare me Serbinë. Ndonëse autoritetet e prezantuan arrestimin si pjesë të përpjekjeve për ruajtjen e rendit dhe zbatimin e ligjit, Beogradi e përdori situatën për të nxitur tensione dhe për të shfaqur Kosovën si vend që shtyp minoritetin serb.

Reagime të ngashme pati edhe pas dënimit të Millosh Pleskoviq nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 15 vjet burgim për krime lufte në Prizren. Sipas gjykatës, i akuzuari Pleskoviq në bashkëkryerje me persona të tjerë i ka vrarë tre civilë shqiptarë dhe i ka plagosur disa të tjerë.

Gjykatat politike të Kurtit vazhdojnë të japin vendime drakoniane të paligjshme dhe politike në dëm të serbëve, të cilat nuk bazohen në prova, dëshmitarë të besueshëm, ligj apo drejtësi, por ekskluzivisht në motive etnike me qëllim hakmarrjeje kundër popullit tone”, pretendon Zyrë për Kosovë në qeverinë e Serbisë.

Narrativa e paraqitur nga zyrtarët serbë nuk synon vetëm mbrojtjen e të dënuarve por përdoret vazhdimisht si mjet për të fuqizuar fushatën e diskreditimit të institucioneve të Kosovës, përfshirë gjyqësorin.

 

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”