Narrativat anti-BE përdorin epitete të pasakta për fashizëm dhe nazizëm

Published on:

Ilustrim: Vërtetmatës.mk

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Narrativa se Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe Perëndimi janë krijime naziste apo fashiste është historikisht dhe logjikisht e pasaktë, dhe shpesh pas këtyre kualifikimeve fshihet një motivim politik. BE-ja është krijuar pikërisht për të parandaluar përsëritjen e tragjedive të Luftës së Dytë Botërore, duke promovuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe paqen. Ndërsa NATO-ja është një aleancë mbrojtëse, që ka për qëllim mbrojtjen e anëtarëve të saj dhe parandalimin e agresionit. Ideologjitë e nazizmit dhe fashizmit bazohen në urrejtje, dhunë dhe ekspansionizëm, ndërsa institucionet perëndimore funksionojnë mbi parimet e bashkëpunimit, sundimit të ligjit dhe multilateralizmit.

Shkruan: Miroslava Simonovska

 

Narrativa që i paraqet BE-në dhe NATO-n si “nazistë” apo “fashistë” është e pranishme prej kohësh, veçanërisht në propagandën ruse dhe proruse. Pas vitit 2014 dhe aneksimit të Krimesë, kjo narrativë u forcua ndjeshëm. Mediat shtetërore ruse filluan masivisht të pretendojnë se vendet perëndimore po e mbështesin “regjimin neonazist në Kiev”. Që nga ai moment, termi “fashistë” u bë pjesë e rregullt e retorikës kundër Ukrainës, NATO-s dhe BE-së. Në kontekstin e luftës në Ukrainë, propaganda ruse e përdor sistematikisht këtë narrativë për të justifikuar veprimet agresive, për të mobilizuar popullsinë vendase dhe për ta përçarë opinionin ndërkombëtar.

 

Shembull nga rrjetet sociale në vendet fqinje

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ngjarje të ndryshme shërbejnë si “shkak” për rikthimin e narrativave të vjetra dhe të pavërteta – për “nazistët” dhe “fashistët” në BE dhe NATO. “Vërtetmatësi” ka analizuar disa shembuj dhe ka arritur në përfundimin se këto epitete të pavërteta, që përdoren për satanizim, janë gjithmonë të gatshme për përdorim; ndryshon vetëm arsyeja dhe tema përmes së cilës aktivizohen.

Akuzat shpërndahen njësoj si në gjuhën serbe, ashtu edhe në gjuhën maqedonase.

Në gjuhën serbe dhe maqedonase, NATO-ja dhe BE-ja akuzohen për gjithçka – nga nxitja e luftërave deri te shkatërrimi i Serbisë – duke u shoqëruar me epitetet “nazistë” dhe “fashistë”. Në gjuhën maqedonase, këto akuza përdoren edhe për të pohuar se BE-ja “dëshiron të na shkatërrojë si popull”. Megjithatë, temat janë të gjërësisht të përhapura: madje edhe në rastin e zgjedhjeve në Moldavi, në gjuhën serbe shfaqen postime që e akuzojnë BE-në se “i ka vjedhur zgjedhjet”. Në këtë mënyrë, edhe rrethanat e brendshme demokratike të disa shteteve, si dhe problemet e kahershme ndërfqinjësore, i atribuohen BE-së dhe NATO-s si përgjegjësi. Nazizmi dhe fashizmi, megjithëse janë ideologji të largëta dhe të kundërta me vlerat dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve demokratike perëndimore, në postimet propagandistike paraqiten si “etiketa” që u ngjiten atyre.

 

Shembull nga rrjetet sociale në gjuhën maqedonase me alfabet latin

Emërtimi i Perëndimit, BE-së dhe NATO-s në rrjetet sociale në rajon si “nazistë” dhe “fashistë” është i përhapur edhe për raste protokolare, kur raportohet në media për vizita të ministrave serbë në Rusi, duke mos lënë rast pa ofenduar institucionet evropiane dhe duke i lidhur ato me nazizmin dhe fashizmin.

Historia e antifashizmit si një faktor për propagandë 

Ballkani ka një lidhje të fortë historike (dhe emocionale) me Luftën e Dytë Botërore, fashizmin dhe luftën antifashiste. Në ish-Jugosllavi, antifashizmi ishte pjesë e identitetit shtetëror. Prandaj, akuzimi i dikujt për “fashizëm” ka një rëndësi të madhe simbolike dhe shkakton një reagim emocional të fortë. Ky kontekst e bën rajonin të ndjeshëm ndaj manipulimeve përmes këtij lloji retorike

Shembull i etiketimit edhe kur arsyeja është protokolare

Teza kryesore në këtë lloj narrativash është se BE-ja dhe/ose NATO-ja funksionojnë në mënyrë të centralizuar, shtypin interesat kombëtare, kontrollojnë dhe zvogëlojnë sovranitetin e shteteve dhe eliminojnë lirinë – krejt në kundërshtim me realitetin. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kjo shpesh promovohet përmes paralelizimeve me regjime “naziste” ose “fashiste” – për shembull, BE-ja përshkruhet si “Evropa naziste” ose “një formë e re e nazizmit”, ndërsa NATO-ja shihet si instrument i “agresionit ushtarak” dhe “mbizotërimit”.

“Fashistët” nga BE-ja dhe populli maqedonas

Konkretisht në Maqedoninë e Veriut, kjo narrativë dobëson besimin tek BE-ja dhe NATO-ja, rrit polarizimin në shoqëri dhe vështirëson procesin e eurointegrimit dhe ndërtimin e një kulture kritike mediatike.

Narrativa që i paraqet BE-në, NATO-n dhe Perëndimin si forca fashiste ose naziste në Ballkanin Perëndimor dhe në Maqedoninë e Veriut është një konstrukt retorik i fuqishëm që kombinon historinë, identitetin, ndjeshmëritë kombëtare dhe lojërat gjeopolitike. Ajo shërben si një mjet për rezistencë, mobilizim dhe pozicionim politik. Megjithatë, ajo sjell edhe rreziqe të konsiderueshme: pengon debatet publike, dobëson besimin në proceset e integrimit, lehtëson shfrytëzimin e frikës dhe rrit vulnerabilitetin ndaj dezinformatave. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, sfida është zhvillimi i kapaciteteve për shkathtësi mediatike, gjuhë politike të qartë dhe institucione të forta, për të mbrojtur sovranitetin e tyre dhe për të marrë pjesë me guxim dhe racionalitet në procesin euro-atlantik.

Në Maqedoninë e Veriut (dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor), narrativa se BE-ja dhe NATO-ja janë institucione “fashiste”, “naziste” ose “okupatore” nuk përdoret aspak në mënyrë arbitrare, por shpesh lidhet me tema të caktuara të ndjeshme.

Shembull për përdorimin e termit “fashistë” në kontekst të mbijetesës së popullit maqedonas

Konkretisht, ka shembuj ku pretendohet se “disa fashistë nga BE-ja kanë qëllim të na shkatërrojnë si popull”. Mesazhet që transmetohen në këtë mënyrë janë se BE-ja është diktator i së kaluarës dhe i së ardhmes dhe u tregon popujve të tjerë “çfarë të mendojnë”. Me këto mesazhe rritet disponimi anti-evropian për shkak të akuzave se “Brukseli po zbaton agjendën bullgare”.

Shembulli i Moldavisë në tentativë për të treguar një demokraci të komprometuar

Në vende të tjera, si p.sh Moldavia, vetë zgjedhjet e brendshme dhe proceset demokratike paraqiten si të komprometuara nga vetë BE-ja, sepse rezultatet e zgjedhjeve janë në favor të forcave pro-evropiane në vend. Qëllimi është të krijohet mosbesim ndaj proceseve demokratike evropiane. Nëse njerëzit mendojnë se BE-ja mund t’u vjedhë zgjedhjet, atëherë krijohet mosbesim edhe ndaj sistemit zgjedhor dhe ndaj pavarësisë së institucioneve. Kjo i shkon për shtat forcave politike të afërta me Kremlinin dhe përdoret si një mjet për të kundërshtuar integrimet në BE. Natyrisht, një tjetër pasojë e kësaj narrative është polarizimi i shoqërisë, sepse disa besojnë se zgjedhjet janë legjitime, ndërsa të tjerët se janë mashtrim. Gjithashtu, pasojat gjeopolitike për Moldavinë nga kjo narrativë ndikojnë në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian, Rusinë dhe aktorë të tjerë.

 

Shembull i etiketimit propagandistik për shkak të urimit nga BE-ja për popullin moldav për rezultatet e zgjedhjeve.

Narrativat e rreme se BE-ja dhe NATO-ja janë fashiste dhe se kontrollojnë zgjedhjet kanë vetëm një qëllim: të krijojnë dyshim për legjitimitetin e zgjedhjeve. Akuzat, siç kemi shkruar më parë, shkojnë dorë për dore me pavërtetësinë se Bashkimi Evropian përcakton rezultatet e zgjedhjeve të brendshme në shtete, edhe pse në realitet ndodhi e kundërta, pra kishte tregues për një komplot rus në zgjedhjet moldave.

Shembulli në Rumani

Demokracia perëndimore udhëhiqet nga vlera universale e respektimit të të drejtave dhe lirisë së njeriut, dhe politikisht bazohet në zgjedhje demokratike dhe të ndershme pa ndikim të huaj, që pasqyrojnë dëshirat dhe aspiratat e qytetarëve të vendit. Pikërisht ky postulat politik u shkel në zgjedhjet presidenciale në Rumani për shkak të ndërhyrjes së konstatuar ruse.

Gjatë një periudhe të gjatë pas rrethit të parë të zgjedhjeve të anulura, ku kryesonte kandidati pro-rus Kalin Georgescu, u përdor si shkak për propagandë dhe etiketim propagandistik për diktaturë, fashizëm dhe nazizëm të ushtruar nga BE-ja dhe NATO-ja.

 

BE-ja dhe liderët perëndimorë të paraqitur në një postim në rrjetet sociale si fashistë.

Ne kemi vërejtur edhe pretendime të pabesueshme, relativizime – se BE-së nuk i kanë penguar fashistët, Al Kaeda-n, ISIS-in, gjenocidet etj. Në realitet, BE-ja dhe vendet anëtare janë aktive në luftën kundër terrorizmit, përfshirë edhe kundër Al Kaedës. Bashkimi Evropian lufton kundër Al Kaedës, ISIS-it dhe organizatave të tjera terroriste përmes një kombinimi masash ligjore, sigurie, financiare dhe diplomatike, dhe jo përmes veprimeve direkte ushtarake (përveç operacioneve të NATO-s ose aleancave tjera). BE-ja vendos sanksione kundër individëve dhe organizatave të lidhura me terrorizmin (ngrirje të pasurisë, ndalim udhëtimesh), ndërsa vendet anëtare të BE-së kanë ligje të harmonizuara për parandalimin e financimit të terrorizmit, krimit dhe pastrimit të parave.

Europol koordinon hetime ndërmjet vendeve anëtare dhe siguron shkëmbimin e informacionit inteligjent, ndërsa Eurojust koordinon bashkëpunimin gjyqësor ndërmjet shteteve anëtare dhe të tjerëve në luftën kundër krimit. Perëndimi gjithashtu fokusohet në programe për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, veçanërisht te të rinjtë dhe në internet, pra lufton kundër radikalizimit.

Prandaj, narrativa se BE-ja, NATO-ja dhe Perëndimi janë nazistë ose fashistë është historikisht dhe logjikisht e pasaktë, dhe shpesh e motivuar politikisht. BE-ja u krijua pikërisht për të parandaluar përsëritjen e tragjedive të Luftës së Dytë Botërore, duke promovuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe paqen. NATO-ja është një aleancë mbrojtëse me qëllim mbrojtjen e anëtarëve të saj dhe parandalimin e agresionit, jo për përhapjen e terrorit ose totalitarizmit.

Ideologjitë e nazizmit dhe fashizmit bazohen në urrejtje, dhunë dhe ekspansionizëm, ndërsa institucionet perëndimore funksionojnë mbi parimet e bashkëpunimit, sundimit të ligjit dhe multilateralizmit. Prandaj, krahasimi i këtyre strukturave moderne me regjimet historike jo vetëm që është i gabuar, por edhe i rrezikshëm, pasi dobëson vetëdijen publike për kërcënimet reale nga grupet totalitare dhe terroriste.