NATO mohon tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova

Published on:

Në muajt e fundit, disa media kanë spekuluar mbi mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR), duke ngritur shqetësime për stabilitetin rajonal.

Këto raportime morën intensitet pas rikthimit të Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë të fundit, Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta. Ajo ka theksuar angazhimin e palëkundur të Aleancës për paqen dhe sigurinë në Kosovë.

“Ka pasur pretendime të tilla, por ato janë dëshmuar të jenë të rreme. Është e rëndësishme që Aleanca ka demonstruar përkushtimin e saj ndaj misionit dhe aleatët kanë vendosur së fundi trupa shtesë. Askush nuk duhet të dyshojë në përkushtimin dhe vendosmërinë e Aleancës. Së fundmi vizituam KFOR-in, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, unë dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të Atlantikut të Veriut – si një shenjë e qartë e mbështetjes të të gjithëve në dialog, zgjidhje paqësore dhe stabilitet rajonal”, tha Shekerinska.

Ajo shtoi se pavarësisht retorikës shqetësuese dhe tensioneve të kohëve të fundit, NATO ka forcuar praninë e saj në terren, veçanërisht në veri të Kosovës, për të siguruar stabilitetin dhe për të inkurajuar dialogun politik si rrugën e vetme drejt zgjidhjes së problemeve.

Më 19 shkurt 2025, mediumi gjerman “Bild” publikoi një artikull me titull, “Europa në frikë! Agjencitë e inteligjencës kanë frikë nga tërheqja e trupave amerikane”. Në përmbajtje të këtij artikulli, “Bild” ka shkruar se, “sipas informacioneve të BILD, Italia po përgatitet edhe për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova. Atëherë aleatët evropianë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq, si dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”.

Media tjetër që raportoi për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane është Türkiye Today, e cila në një artikull të datës 20 shkurt 2025, analizoi pasojat e mundshme të një tërheqjeje të tillë për Ballkanin. Artikulli sugjeronte se një tërheqje e tillë mund të rriste ndikimin e Rusisë në rajon dhe të krijonte një vakuum sigurie.

Këto raportime janë hedhur poshtë edhe nga zyrtarë të Kosovës. Më 25 shkurt 2025, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës i cilësoi këto pretendime si të pabazuara dhe theksoi se SHBA-ja vazhdon të luajë një rol themelor në rajon.

Media në Serbi dhe Rusi prej kohësh kanë ndërtuar një narrativë të koordinuar anti-NATO dhe anti-Kosovë, duke shfrytëzuar çdo mundësi për të fryrë tensionet dhe për të paraqitur Kosovën si një shtet të dështuar, ndërsa NATO-n si një aktor destabilizues në Ballkan.

Spekulimet rreth tërheqjes së mundshme të trupave amerikane nga Kosova nuk kanë bazë faktike. Deklaratat zyrtare nga NATO dhe institucionet e Kosovës konfirmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të Aleancës për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Pas tërheqjes së Serbisë nga Kosova, në qershor të ’99-ës, NATO-ja zbarkoi me misionin e saj paqeruajtës KFOR. Shtetet e Bashkuara kanë pasur rol kryesor në çlirimin e Kosovës dhe ruajtjen e paqes me bazën e saj në Bondsteel.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”