NATO nuk është në luftë me Rusinë që të “dorëzohet”

Published on:

Ilustrim: Vërtetmatës.mk

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Nuk ka prova të besueshme se më 20 tetor 2025, saktësisht 10,000 ushtarë ukrainas iu dorëzuan Rusisë, siç thuhet në njoftimin e kësaj date, e cila është objekt i shqyrtimit tonë

 

Po recensojmë një postim në rrjetin social Facebook, në të cilin shkruhet:

Sot 10.000 ushtarë ukrainas iu dorëzuan forcave ruse. Kur të dorëzohet NATO, do ta shohim — unë mendoj, së shpejti.

Një dorëzim i tillë masiv (10,000 ushtarë) do të ishte raportuar gjerësisht në raportet e inteligjencës perëndimore, deklaratat ushtarake ukrainase ose ruse dhe në të gjitha mediat kryesore – por një gjë e tillë nuk ekziston. I vetmi rast i konfirmuar i një “dorëzimi” rreth asaj date përfshin një ushtar rus, jo një ushtar ukrainas. Konteksti i luftës gjatë asaj periudhe tregon luftime të ashpra, shkëmbime të të burgosurve dhe lëvizje taktike, por jo një dorëzim masiv të forcave ukrainase në numër të tillë dhe në një ngjarje të vetme.

Në kundërshtim me atë që thuhet në postim, NATO nuk është në luftë me Rusinë dhe, për pasojë, nuk mund të “dorëzohet”. Lidhur me pretendimin se “sot 10 mijë ushtarë ukrainas i janë dorëzuar forcave ruse”, Vërtetmatësi e gjeti të njëjtën deklaratë edhe në një tjetër postim në Facebook, në linkun vijues, ku nuk citohet asnjë burim.

Ndërkaq, bashkë me pretendimin e datës 19 tetor 2025, është shpërndarë një fotografi e supozuar që paraqet “dorëzimin”. Kur e kërkuam fotografinë me mjetin e kërkimit të kundërt, e gjetëm të publikuar që në vitin 2023 në një artikull të Zërit të Amerikës. Fotografia është e Reuters-it dhe përshkruhet si një shkëmbim i të burgosurve ukrainas gjatë një sulmi rus ndaj Ukrainës, në një vend të panjohur (pamje nga një video e publikuar më 16 prill 2023).

Nuk ekziston asnjë dëshmi e besueshme që më 20 tetor 2025, saktësisht 10.000 ushtarë ukrainas t’i jenë dorëzuar Rusisë, siç pretendohet në postimin e publikuar më atë datë, i cili është objekt i recensimit tonë.

Ka raportime se një ushtar rus është përpjekur t’u dorëzohet forcave ukrainase më 20 tetor 2025, por është vrarë nga një dron rus përpara se të arrinte ta realizonte këtë.

Disa media kanë paralajmëruar se, nëse Ukraina do të hiqte dorë nga disa pjesë të rajonit të Donbasit, kjo do të ishte e rrezikshme, sepse do t’i mundësonte Rusisë të përfitonte nga fortifikimet që ka ndërtuar atje – por këto janë analiza strategjike, jo raporte për dorëzim të ushtarëve.

Në vitin 2025 ka pasur shkëmbime të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës (p.sh. 1.000 rusë për 1.000 ukrainas), por këto janë shkëmbime, jo dorëzime masive të forcave ushtarake.

Një dorëzim i tillë në përmasa të mëdha (10.000 ushtarë) do të ishte raportuar gjerësisht nga shërbimet perëndimore të inteligjencës, nga njoftimet zyrtare ushtarake të Ukrainës apo Rusisë, si edhe nga të gjitha mediat e mëdha botërore – por asgjë e tillë nuk ekziston. Rasti i vetëm i konfirmuar i një “dorëzimi” rreth asaj date i përket një ushtari rus, jo ukrainas. Konteksti i luftës në atë periudhë tregon luftime të ashpra, shkëmbime të të burgosurve dhe lëvizje taktike, por jo një dorëzim masiv të forcave ukrainase në një ngjarje të vetme.

Veprimet e NATO-s janë mbrojtëse, të dizajnuara jo për të shkaktuar konflikt, por për ta parandaluar atë. Aleanca ka përgjegjësinë të sigurojë që kjo luftë të mos përshkallëzohet dhe të mos zgjerohet përtej Ukrainës, gjë që do të ishte edhe më shkatërruese dhe më e rrezikshme. Vendosja e një zone të ndaluar fluturimi ose dislokimi i trupave luftarake në Ukrainë do t’i fuste forcat e NATO-s në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë. Kjo do ta përshkallëzonte ndjeshëm luftën dhe do të çonte në vuajtje dhe shkatërrim edhe më të madh njerëzor për të gjitha vendet e përfshira, thuhet në faqen zyrtare të NATO-s. 

NATO nuk ka dislokuar trupa luftarake në Ukrainë. Dërgimi i trupave luftarake të NATO-s në Ukrainë do të nënkuptonte një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake me Rusinë, gjë që aleanca përpiqet ta shmangë.

Shumë vende anëtare të NATO-s janë të përfshira në trajnim, misione këshilluese, mbështetje logjistike dhe strategjike për Ukrainën. Megjithatë, dërgimi i trupave luftarake të NATO-s në Ukrainë nuk është konfirmuar publikisht dhe është mohuar zyrtarisht.

NATO nuk është në luftë me Rusinë dhe nuk është palë në luftën që Rusia po e zhvillon kundër Ukrainës. NATO mbështet Ukrainën në të drejtën e saj për vetëmbrojtje, siç garantohet në Kartën e OKB-së. Ne nuk kërkojmë konfrontim me Rusinë. Si përgjigje ndaj veprimeve agresive të Rusisë, ne vazhdojmë të forcojmë mekanizmat tanë të parandalimit dhe mbrojtjes, për t’u siguruar që të mos ketë keqkuptime se NATO është e gatshme të mbrojë dhe të mbështesë të gjithë aleatët e saj, thuhet në faqen zyrtare të NATO-s.

Për shkak të të gjitha fakteve të përmendura më sipër, postimi që po recensojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.