NATO nuk rekomandon dhe nuk përgatitet për luftë, është Rusia ajo që ka kryer një pushtim ushtarak të Ukrainës

Published on:

NATO nuk rekomandon dhe nuk përgatitet për luftë. NATO është një aleancë mbrojtëse dhe është një mit që kjo organizatë është në luftë me Rusinë ose dëshiron të provokojë një konflikt me Rusinë, siç dëshiron të portretizojë propaganda e Kremlinit.

 

Po analizojmë një postim në rrjetin social Facebook ku pretendohet se NATO rekomandon dhe dëshiron luftë.

NATO rekomandon dhe dëshiron luftë: “JENI GATI PËR LUFTË”. Sa më afër të jenë NATO dhe Rusia me njëra-tjetrën, aq më e madhe është MUNDËSIA E LUFTËS!!! Rusia nuk mund të ndryshojë vendndodhjen e saj, por NATO MUND, thuhet në njoftim.

Duke mbështetur pretendimin, postimi ndau një deklaratë nga kreu i komitetit ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer, në të cilin ai këshilloi qytetarët të përgatiteshin për konflikt dhe të grumbullonin gjërat thelbësore që do t’i ndihmonin ata të mbijetonin 36 orët e para në rast të një lufte.

Mirëpo, deklarata e Bauer-it e përcjellë në njoftimin që po analizojmë është e paplotë dhe është paraqitur në atë mënyrë që duket sikur Bauer, pra NATO po përgatitet për luftë. Narrativa se NATO po rekomandon dhe po përgatitet për luftë nuk është e re dhe është produkt i propagandës së Kremlinit. Rusia, që nga fillimi i pushtimit ushtarak të Ukrainës, për të justifikuar sulmin e saj, vazhdimisht është justifikuar se po mbrohet nga NATO dhe se është në luftë me NATO-n, megjithëse kjo nuk është e vërtetë.

Deklarata e Bauer gjithashtu nuk është e re dhe daton në janar 2024. Në deklaratën e plotë mund të dëgjoni se si Bauer thekson qartë se NATO nuk po kërkon ndonjë konflikt, as nuk po përgatitet për të sulmuar, por rekomandon që qytetarët të bëjnë përgatitjet elementare nëse dikush i sulmon, në mënyrë që të mbijetojnë ditët e para.

Ju duhet të keni ujë, duhet të keni një radio me bateri dhe duhet të keni një dritë dore me bateri për t’u siguruar që mund të mbijetoni 36 orët e para. Gjëra të tilla, janë gjëra të thjeshta. Ne nuk mund të planifikojmë gjithçka, jo gjithçka do të jetë e mundshme në 20 vitet e ardhshme. Nuk po them se nesër do të shkojë keq. Por duhet të kuptojmë se nuk na është dhënë opsioni të jemi të qetë. Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi plane. Kjo është arsyeja pse ne po përgatitemi për një konflikt me Rusinë dhe grupet terroriste. Nëse bëhet fjalë për këtë, nëse na sulmojnë, ne nuk kërkojmë ndonjë konflikt, por nëse na sulmojnë, ne duhet të jemi gati, thotë Bauer. 

Pra ai thekson qartë: “Nëse na sulmojnë, ne nuk kërkojmë asnjë konflikt”.Por këto fjalë të tij në videon e shpërndarë në njoftimin që po analizojmë janë lënë qëllimisht për të bërë të tingëllojë sikur NATO dëshiron të provokojë një luftë dhe po përgatit qytetarët për të.

NATO nuk është në luftë me Rusinë, por Rusia kreu një pushtim ushtarak të Ukrainës në të cilin një numër i madh civilësh dhe ushtarësh vdiqën dhe po vdesin ende në territorin ukrainas.

Më 24 shkurt 2022, Rusia nisi sulme me raketa në vende në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë kryeqytetin, Kiev. Forcat tokësore ruse hynë në territorin ukrainas, pas së cilës presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski u përgjigj duke vendosur ligjin ushtarak, duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë dhe me mobilizim të përgjithshëm. Pushtimi është sulmi më i madh ushtarak në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka qenë objekt i dënimit të gjerë ndërkombëtar, si dhe sanksioneve kundër Rusisë.

Rusia sulmoi Ukrainën dhe Ukraina ka të drejtë të mbrohet. NATO dënon agresionin ushtarak brutal dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, e cila është një shtet i pavarur dhe demokratik dhe një partner i ngushtë i NATO-s. NATO dhe aleatët vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në të drejtën e saj të padiskutueshme për vetëmbrojtje.

NATO ndihmon në koordinimin e kërkesave të Ukrainës për ndihmë dhe mbështet aleatët në dhënien e ndihmës humanitare. Neni 5 si garanci sigurie mundëson mbrojtjen kolektive dhe lejon Aleancën të dërgojë armë në Ukrainë pa rrezikuar sigurinë e saj. Për më tepër, struktura e vendosur mirë e Aleancës për standardet e përbashkëta dhe sistemet e ndërveprueshme i lejon Aleancës të dorëzojë pajisje me besimin se dërgesat në Ukrainë mund të plotësohen me pajisje të përputhshme nga aleatët e tjerë. Anëtarët individualë të NATO-s dërgojnë armë, municione dhe shumë lloje të pajisjeve të lehta dhe të rënda ushtarake, duke përfshirë sisteme antitanke dhe të mbrojtjes ajrore, drone dhe tanke, thuhet në uebsajtin e NATO-s. 

Se NATO nuk kërkon konfrontim theksohet qartë në faqen zyrtare të Aleancës.

NATO nuk kërkon konfrontim dhe nuk përbën kërcënim për Rusinë. Aleanca do të vazhdojë t’i përgjigjet kërcënimeve dhe veprimeve ruse në mënyrë të bashkuar dhe të përgjegjshme. Ne po forcojmë ndjeshëm parandalimin dhe mbrojtjen tonë, po mbështesim partnerët tanë dhe po forcojmë qëndrueshmërinë tonë. Kjo përfshin dënimin e veprimeve të Rusisë dhe kundërshtimin e dezinformatave. NATO nuk është në luftë me Rusinë. Ne nuk kërkojmë konfrontim me Rusinë. NATO mbështet Ukrainën në të drejtën e saj për vetëmbrojtje, siç parashikohet në Kartën e OKB-së. Në përgjigje të veprimeve agresive të Rusisë, ne vazhdojmë të forcojmë mbrojtjen tonë për të siguruar që nuk ka vend për keqkuptim se NATO është e gatshme të mbrojë çdo aleat, shkruan NATO, duke demaskon dezinformatat ruse se Aleanca është në luftë me Rusinë. 

Nga të gjitha faktet më sipër, mund të konkludojmë se NATO nuk rekomandon dhe nuk përgatitet për luftë. NATO është një aleancë mbrojtëse dhe është një mit që kjo organizatë është në luftë me Rusinë ose dëshiron të provokojë një konflikt me Rusinë, siç dëshiron të portretizojë propaganda e Kremlinit. Prandaj  postimin që po e vlerësojmë si të pasaktë.