Ndeshja që u shndërrua në instrument propagande kundër Kosovës

Published on:

arrativat e disa mediave serbe kundër Kosovës

Pas fitores 2-0 të Kosovës në Lubjanë kundër Sllovenisë dhe rrugës së saj drejt play-off-it për Botërorin 2026, disa media serbe kanë reaguar me ton politik dhe narrative që shkojnë përtej sportit. Artikujt e publikuar nga NovostiKurirTelegraf e media të tjera përforcojnë një seri mesazhesh që minimizojnë legjitimitetin e Kosovës dhe e paraqesin fitore sportive si rrezik politik.

Në një artikull me titull “АЛБАНЦИ ЗАПАЊЕНИ: Ево шта се у Словенији десило навијачима лажне државе (“SHQIPTARËT MBETËN TË SHTANGUR: Ja çfarë u ndodhi tifozëve të shtetit të rremë në Slloveni” “, Novosti raporton me neveri se tifozë kosovarë – të cilët i quan “mbështetës të shtetit të rremë të Kosovës” – janë përfshirë në incidente me tifozët sllovenë. Sipas raportimit, tifozë sllovenë mposhtën Kosovën dhe se rezultati në fushën e blertë mbeti në plan të dytë, duke publikuar edhe një postim nga platforma “X” ku disa tifozë shkelin rekuizitat e tifozëve nga Kosova. Tutje akuzohet edhe FIFA që ia ka mundësuar Kosovës paraqitjen në garat ndërkombëtare.

Terminologjia “shtet i rremë” është narrativë klasike në disa media serbe për të delegjitimuar Kosovën si shtet. Kjo lloj gjuhe është pjesë e një diskursi mediatik që tenton të përforcojë qëndrimet se pavarësia e Kosovës është e paligjshme.

Në raportimin me titull “SLOVENCI U STRAHU: Tzv. Kosovo sprema prevaru za plasman na Mundijal, “SLLOVENAT NË FRIKË: E ashtuquajtura Kosovë po përgatit një mashtrim për t’u kualifikuar në Kupën e Botës”, Kurir pa u mbështetur në asnjë fakt pretendon se Kosova dhe Zvicra mund të kenë bërë një “pakt” rezultatesh që i favorizon të dyja ekipet, me qëllim që Kosova të shkojë më tej, nga grupi i njëjtë, ku ishin edhe Sllovenia e Suedia. Kurir pati edhe shkrime të tjera me referenca të tilla për Kosovën.

Ky është shembull tipik i propagandës sportive-politike. Ideja e konspiracionit për gjoja pakt rezultatesh është përdorur për të minuar meritën sportive të Kosovës duke e paraqitur suksesin e saj si rezultat manipulimi. Në realitet, kualifikimet për Kampionatin Botëror janë strukturuar sipas rregullave transparente të FIFA-së  dhe akuzat e “pakteve” pa prova konkrete janë narrativa me motive politik.

Mediumi tjetër Telegraf ka shkruar për një deklaratë të futbollistit të Përfaqësueses së Shqipërisë, Rei Manaj, para ndeshjes që tha se: “kosovarët janë vëllezërit tanë dhe se disa shqiptarë do të luajnë në Kupën e Botës”. Ky medium e kualifikoi si tendencioze deklaratën e Manajt, i cili kishte shënuar golin e fitores kundër Serbisë dhe së fundi edhe Shqipëria e siguroi një vend në plej-off.

Kjo nuk është hera e parë që sukseset e Kosovës në sport dhe anëtarësimi në federatat ndërkombëtare paraqiten si “provokim politik“. Është e njohur që mediat serbe nxisin shpesh diskurs që e lidhin sportin me çështje politike kur bëhet fjalë për Kosovën. Narrative të tilla lidhen ngushtë me luftën hibride ku suksesi në sport apo diplomaci përdoret si mjet për të sfiduar shtetësinë e Kosovës.

Raportimet që lidhen me ndeshjen nuk treguan për incidente të mëdha apo dallavere ashtu siç pretenduan disa mediume serbe. Pas ndeshjes pati një njoftim nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, lidhur me raportimet që kishin bërë disa tifozë për mungesën e targave në automjetet e tyre.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni njofton se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së futbollit Slloveni–Kosovë, ka pranuar disa thirrje telefonike nga shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët kanë raportuar mungesën e targave të veturave të tyre. Bazuar në raportimet e deritanishme, dyshohet se disa veturave u janë hequr targat. Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me disa prej shtetasve të prekur dhe u ka rekomanduar atyre që të mos i lëvizin veturat pa njoftuar paraprakisht Policinë e Sllovenisë dhe pa marrë një raport zyrtar”, shkruan në njoftimin e MPJD-së.

Po ashtu pak para fillimit të ndeshjes Slloveni–Kosovë, u raportua se tifozëve nga Kosova nuk u është lejuar të futin flamujt kuqezi brenda stadiumit. Një tifoz që ishte i pranishëm në ngjarje ka treguar se trupat e sigurimit kanë marrë një flamur nga një tifoz tjetër dhe e kanë hedhur në tokë.

 

*This article is published as part of the Western Balkans Regional Initiative against disinformation. “Western Balkans Anti-Disinformation Hub: exposing malign influences through watchdog journalism.”