Nga bojkoti në rikthim: Lista Serbe ndez polemikat

Published on:

Foto: KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të mos e certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke nxitur menjëherë tensione politike dhe polemika të ashpra. Vendimi u ankimua nga ky subjekt në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili rrëzoi vendimin e KQZ-së dhe urdhëroi që Lista Serbe të certifikohet për zgjedhjet lokale. Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Supreme, duke e mbajtur pezull zyrtarizimin përfundimtar të pjesëmarrjes.

Tensionet rikthehen sa herë trajtohet çështja e Listës Serbe. Ato u pasqyruan edhe në mbledhjen e KQZ-së më 21 gusht, kur në rend dite ishte certifikimi i subjekteve. Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, Lista Serbe nuk mori mbështetjen e anëtarëve të KQZ-së.

Pro certifikimit votuan kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, dhe përfaqësuesja e Listës Serbe. Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa abstenimet ishin nga përfaqësuesit e partive të tjera- PDK, LDK, AAK.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e kësaj partie, tek publikuan dokumente që tregonin se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë mbajnë pozicione në organet paralele të Serbisë në Kosovë.

Kemi një parti politike që ka trashëgimi terroriste dhe një të tashme terroriste. Përveç kësaj ka elementë të tjerë, persona që kanë marrë pjesë edhe në sulme terroriste edhe në sulme të ndryshme. Tash i kemi edhe veprimet e institucioneve për ndjekje penale”, ka thënë Kurteshi.

Anëtari i Partisë Demokratike, Arianit Elshani, theksoi se informatat e tilla duhet t’i ofrohen KQZ-së në mënyrë institucionale përmes organeve të sigurisë.

S’jemi për certifikim, por abstenojmë nga votimi derisa nuk ka veprime konkrete nga institucionet e tjera të sigurisë që na tregojnë rrugën që duhet të ndiqet për këtë subjekt politik”, ka thënë ai.

Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike ka thënë se për t’ia ndaluar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje, ajo duhet të shpallet organizatë terroriste nga organet e shtetit.

Anëtari i Vetëvendosjes u ishte drejtuar edhe përfaqësuesve të shoqërisë civile gjatë mbledhjes së 21 gushtit, duke i kritikuar ata se po tallen me punën e KQZ-së.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), një nga zërat kritikë të vendimit për moscertifikimin e Listës Serbe, reagoi duke e cilësuar vendimmarrjen si “teatër politik”. Ai u shpreh i bindur se vendimi i KQZ-së do të rrëzohej nga PZAP-ja, siç edhe ndodhi, duke kritikuar Vetëvendosjen se “mbajtja gjallë e temave që disi ndërlidhen me Serbinë është oksigjeni i vetëm politik që u ka mbetur”.

PZAP-ja, në vendimin e publikuar më 24 gusht, konstatoi se Lista Serbe brenda afatit të paraparë me ligj ka paraqitur kërkesën për konfirmim të listës së kandidatëve për këshilltarë në 19 komuna dhe kandidatëve për kryetarë komune nga 11 komuna përmes platformës online, llogarisë së përdoruesit në Zyrën për Regjistrim, Certifikim, Konfirmim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRKKFSP).

Sipas PZAP-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka të drejtë të refuzojë ose të mos certifikojë në mënyrë arbitrare, pa shpjegime, një subjekt politik ose kandidat. Me këtë sjellje, siç konstatoi PZAP-ja, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkeli Nenin 31 të Kushtetutës, i cili përcakton të drejtën për një vendim të arsyetuar, si edhe Nenin 45, i cili parashikon se “1. Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe në ditën e zgjedhjeve, ka të drejtë të votojë dhe të zgjedhë, përveç nëse kjo e drejtë kufizohet me vendim gjykate”.

Zhvillimi i fundit në KQZ e ktheu temën e pjesëmarrjes së serbëve në qendër të debatit politik dhe diplomatik, duke nxitur reagime të menjëhershme nga ndërkombëtarët. Shtetet e QUINT-it, përmes një deklarate të përbashkët, theksuan se është jetike që komuniteti serb të ketë përfaqësim në procesin demokratik.

Çdo veprim i tillë për t’i përjashtuar disa komunitete minon parimet demokratike dhe dëmton besimin ndaj institucioneve të Kosovës”, thuhet në reagim.

Pak orë para mbledhjes së KQZ-së ku u vendos mos certifikimi i Listës Serbe, e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ishte takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Përmes një deklarate ajo tha se kishte ngritur shqetësimet për përpjekjet e Qeverisë dhe partisë në pushtet për të pamundësuar pjesëmarrjen e disa subjekteve serbe në zgjedhje.

Është shumë me rëndësi që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces dhe jemi të shqetësuar për çdo tentim që kufizon zgjedhjet e tyre. Ia kam bërë të qartë këto pika kryeministrit në detyrë dhe kam nënvizuar vëmendjen e SHBA-së për këtë çështje”.

Nga Misioni i OSBE-së në Kosovë thanë se po minohet pluralizmi demokratik.

Përjashtimi i akterëve politikë minon pluralizmin demokratik, dobëson besimin në institucione dhe zvogëlon mundësitë për të gjitha komunitetet që të përfaqësohen në mënyrë të drejtë. Misioni thekson se pjesëmarrja e plotë dhe e vërtetë e të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor është thelbësore për qëndrueshmërinë, integritetin dhe stabilitetin afatgjatë demokratik”, thuhet në reagim.

Reagime për moscertifikimin e Listës Serbe pati edhe nga Serbia, ku u rikthyen pretendimet se ky veprim ka për qëllim përjashtimin e serbëve nga jeta demokratike.

Është një tjetër shembull flagrant i inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike. Duke refuzuar kandidaturat e paraqitura siç duhet, që plotësojnë plotësisht të gjitha kërkesat ligjore, autoritetet në Prishtinë kanë shkelur përsëri sundimin e ligjit dhe kanë zbuluar qëllimin e tyre të vërtetë – ta heshtin zërin legjitim të serbëve në Kosovë dhe M.”, ka shkruar në “X” ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq.

Lista Serbe është subjekti i vetëm politik në Kosovë të cilin e mbështet Beogradi zyrtar. Përpjekjen për t’ia pamundësuar pjesëmarrjen në zgjedhje ky subjekt mund ta përdorë si mekanizëm për viktimizim politik, duke e paraqitur mos certifikimin fillestar si një tentim për t’i margjinalizuar serbët nga jeta institucionale në Kosovë. Duke e promovuar këtë narrativë tek elektorati i vet, ata mund të pretendojnë se vetëm Lista Serbe ka forcën dhe kapacitetin për të mbrojtur interesat e komunitetit serb dhe për të ruajtur lidhjet politike e kulturore me Serbinë. Në këtë mënyrë, çdo pengesë institucionale apo vendim i kontestuar mund të përdoret si provë se serbët janë të rrezikuar pa përfaqësimin e tyre, duke e shndërruar partinë në “mburojën e vetme” të komunitetit dhe duke mobilizuar më tej elektoratin në veri të Kosovës. Lista Serbe ka përdorur herë pas here strategji të ngjashme të viktimizimit për të mobilizuar elektoratin, veçanërisht në periudha të tensionuara politike. Për shembull, gjatë zgjedhjeve lokale të mëparshme, çdo përplasje me KQZ-në apo vendim i kontestuar është paraqitur si dëshmi e tentativave për të minuar përfaqësimin e komunitetit serb.

Në të kaluarën, ambientin zgjedhor në veri e ka karakterizuar klima e tensionuar dhe shpesh frikësuese për kandidatët që guxuan ta sfidojnë Listën Serbe. Edhe raportet ndërkombëtare kanë evidentuar se zgjedhjet janë shoqëruar me presione ndaj kundërshtarëve të Listës Serbe, me qytetarë që janë frikësuar të mbështesin partitë e tjera, për shkak të lidhjeve të thella të Listës Serbe me autoritetet në Beograd.

Vendime të ngjashme nga KQZ-ja për këtë subjekt ishin marrë edhe në zgjedhjet e kaluara, por që pastaj u rrëzuan pas ankesave në instancat e tjera.

Kërkesa për refuzimin e certifikimit të Listës Serbe vjen edhe për shkak të aktivitetit të saj viteve të fundit, sidomos pas dorëheqjeve masive nga institucionet në veri. Ish-nënkryetari i këtij subjekti, Milan Radoiçiq, ishte organizator i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023. Ai vazhdon të strehohet në Serbi, megjithëse ka aktakuzë ndaj tij për sulm terrorist dhe procesi gjyqësor është duke u zhvilluar në Prishtinë.

Polemikat rreth Listës Serbe pritet të vazhdojnë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të 12 tetorit. Ky subjekt kishte bojkotuar zgjedhjet e fundit lokale në katër komunat veriore, duke bërë që për herë të parë në krye të tyre të zgjidhen kryetarë shqiptarë. Vendosja e tyre në objektet komunale ishte shoqëruar me protesta të dhunshme, ku ishin lënduar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarët që raportonin prej veriut.

Ndërsa ndërkombëtarët dhanë mesazhin e tyre të qartë për gjithëpërfshirje, sfidë për institucionet mbetet ofrimi i një ambienti zgjedhor të sigurt, legjitim dhe të pranueshëm për të gjitha komunitetet.

 

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”