Ilustrim: Vërtetmatës
Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.
“Nuk ekzistojnë prova të disponueshme publikisht apo të verifikuara në mënyrë të pavarur për të konfirmuar asnjë nga këto pretendime. Deri në këtë moment, nuk ka asnjë akuzë, çështje gjyqësore apo kallëzim penal ndaj Denis Jermeikut, as nga autoritetet ukrainase, turke, moldave apo ato ndërkombëtare.”
Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook, në të cilin shkruhet:
Ja cila bandë po na çon në Luftën e Tretë Botërore.
Në kuadër të postimit është shpërndarë një tekst në gjuhën serbe që i referohet medias ruse “Sputnik”, në të cilin thuhet se “Denis Jermak, vëllai i shefit të kabinetit të presidentit të Ukrainës, Andrij Jermak, ka udhëtuar në Afganistan për të sjellë drogë të destinuar për udhëheqjen ukrainase”. Në tekst nuk ka asnjë provë, por i njëjti i referohet “burimeve të mirëinformuara” dhe përmban një incizim audio, në të cilin një zë mashkulli (për të cilin nuk është konfirmuar se është i Denis Jermakut) kërkon “rezervim të biletave të avionit për Kabul, dhoma të veçanta hoteli dhe që në kthim të kenë bagazh të regjistruar”.
Vetë incizimi, në të cilin një person për të cilin pretendohet se është Denis Jermaku – por kjo nuk është e konfirmuar – flet për një udhëtim (pa u përmendur se për ku), për gjëra të zakonshme si rezervimi i dhomave apo bagazhi i kontrolluar, nuk mund të përbëjë asnjë provë se “ai person ka shkuar për të sjellë drogë për udhëheqjen ukrainase” nga Afganistani.
Disinfo Watch ka publikuar se Kremlini ka trilluar akuza për kontrabandë droge kundër rrethit të afërt të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Një fushatë dezinformuese, e mbështetur nga RIA Novosti dhe Sputnik, pretendon se Denis Jermak, vëllai i kreut të administratës presidenciale të Ukrainës, është i përfshirë në kontrabandë narkotikësh në Ukrainë në emër të zyrtarëve ukrainas. Raporti bazohet vetëm në burime anonime “të mirëinformuara” dhe nuk ofron prova që mund të verifikohen. Sputnik është një hallkë kryesore e propagandës së shtetit rus dhe shpesh i shënjestron ata që i konsideron armiq të Kremlinit, si pjesë e një lufte më të gjerë informative të Moskës kundër Ukrainës dhe kundër demokracive perëndimore, shkruan Disinfo Watch.
Më 28 korrik, mediat shtetërore ruse të sponsorizuara nga shteti, RIA Novosti dhe Sputnik, publikuan një artikull që u shpërnda dhe u përforcua nga llogaritë e tyre në “X” (ish-Twitter), ku pretendohej se Denis Jermak “është i përfshirë në një skandal ndërkombëtar me kontrabandë narkotikësh nga Afganistani” dhe se e gjithë kjo ka ndodhur me “mbështetjen e Turqisë, Azerbajxhanit, Moldavisë, Emirateve të Bashkuara Arabe”, ndërsa “droga u dorëzua tek anëtarë të qeverisë ukrainase”.
Operacioni, sipas asaj që pretendohet në mediat ruse, ishte gjoja i mbështetur nga “shërbimet e sigurisë turke dhe moldave”. I gjithë raporti bazohet në “burime anonime të mirëinformuara”, shkruan Disinfo Watch.
Nuk ekzistojnë prova të disponueshme publikisht apo të verifikuara në mënyrë të pavarur për të konfirmuar ndonjë nga këto pretendime. Deri më tani, nuk ka asnjë aktakuzë, çështje gjyqësore apo kallëzim penal ndaj Denis Jermekut, as nga autoritetet ukrainase, turke, moldave apo ndërkombëtare.
Burimi i vetëm i këtyre pretendimeve është Sputnik, një media e kontrolluar nga Kremlini, e njohur si një nga përhapësit kryesorë globalë të dezinformatave toksike ruse. Pretendime të ngjashme të pavërteta janë publikuar më parë nga mediat ruse dhe bjelloruse. Në pranverën e vitit 2024, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u akuzua në mënyrë të rreme nga mediat e lidhura me Kremlinin se kishte tentuar të kontrabandonte 300 kilogramë drogë nga Argjentina në Ukrainë. Në vitin 2018, katër rusë u akuzuan për kontrabandë të 400 kilogramëve kokainë me ndihmën e ambasadës ruse në Buenos Aires, shkruan Disinfo Watch.
“Kjo histori përshtatet mirë me qëllimet më të gjera të propagandës së Kremlinit, të cilat synojnë të delegjitimojnë udhëheqjen ukrainase.”
Duke e synuar vëllain e Andrij Jermakut, synohet diskreditimi i presidentit Zelensky dhe rrethit të tij të ngushtë, në mënyrë që të lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Po ashtu, me këtë synohet të paraqitet Ukraina si “shtet kriminal”, përveç që propaganda përpiqet ta paraqesë edhe si një shtet të dështuar dhe si një “pjesëmarrës aktiv në krimin ndërkombëtar”. Gjithashtu, në këtë mënyrë bëhet një përpjekje për të përfshirë edhe partnerët e NATO-s. Akuzimi i shërbimeve të sigurisë turke dhe moldave për bashkëfajësi sugjeron një përpjekje për të krijuar përçarje brenda NATO-s dhe për të zvogëluar mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Përdorimi i burimeve të paemëruara dhe personave që nuk mund të verifikohen gjithashtu lejon që narrativa të shfrytëzohet maksimalisht me përgjegjësi minimale, shkruan Disinfo Watch.




