Njësia Speciale e Kosovës nuk e bastisi fabrikën ‘Lola’, vetëm asistoi AKP-n

Published on:

*Përgatiti: Ridona Berisha

Njësia Speciale e Kosovës nuk e ka bastisur fabrikën e veglave “Lola” në Zubin Potok, por vetëm kanë asistuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), me kërkesë të tyre për t’u futur në objekt.

Me datën 8 shtator 2023, Kosovo Online publikoi artikullin me titull, ”Policia speciale kontrolloi ambientet e fabrikës ‘Lola‘ në Zubin Potok, ndalohet hyrja në zonën e fabrikës”.

Image

Në përmbajtje të artikullit shkruhet se rreth orës 10:00, pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, të shoqëruar nga zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kanë hyrë me forcë në objektin e fabrikës së veglave “Lola” në Zubin Potok.

”Forcat speciale me armë me tyta të gjata rrethuan fillimisht zonën e fabrikës, më shumë se 50 prej tyre, më pas depërtuan dhe u larguan nga zona e fabrikës pak pas orës 11:00“, – shkruan mes tjerash në artikull.

Ai është shpërndarë edhe nga media të tjera në gjuhën serbe: Telegraf.rsPolitika.rsKurir.rsNovosti.rsTv.most.info.

Image

Pas këtyre raportimeve ka reaguar Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, i cili ka sqaruar se të premten kanë asistuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) për t’u futur në një fabrikë në Zubin-Potok, ndërsa asistimi që Policia u bën institucioneve të ndryshme në veri nuk është i jashtëzakonshëm. Sipas deklarimit të Elshanit për media shqiptare ata kanë pranuar një kërkesë nga AKP-ja, para disa ditëve dhe se aksionin e kanë mundësuar njësitë e veriut. Sipas AKP-së, prona në të cilën kanë ndërhyrë u takon atyre dhe se qëllimi ka qenë verifikimi i disa pajisjeve. Më tej, Elshani ka sqaruar se kjo është hera e dytë që ndihmojnë AKP-në në atë vend. Meqë herën e kaluar ka qenë e mbyllur prona, AKP-ja ka kërkuar që ajo të hapet me forcë.

Ky aksion u zhvillua të njëjtën ditë me 8 shtator kur skadoi ultimatumi për lirimin e një objekti në lagjen e Boshnjakëve që deri tash është shfrytëzuar nga institucionet paralele të Serbisë. Ndonëse, ky vendim ishte shtyrë për dy javë të tjera, punonjësit e strukturave paralele ishin mbyllur brenda objektit në kundërshtim të vendimit për ta liruar atë.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”