Nuk është e vërtetë që BE dhe Ukraina “nuk janë faktorë” në negociatat për një marrëveshje të mundshme paqeje

Published on:

Ilustrim: Vërtetmatës

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Nuk është e vërtetë që Ukraina dhe BE nuk janë faktorë në arritjen e një marrëveshjeje të mundshme paqeje në Ukrainë. Fakti që Ukraina është shteti që u sulmua nga Rusia në vitin 2022, si dhe fakti që Ukraina nuk është mposhtur, por për më shumë se tre vjet e gjysmë ushtron të drejtën e saj për vetëmbrojtje, fakti që ukrainasit nuk tërhiqen nga detyra patriotike për të mbrojtur territorin e shtetit të tyre – i mohojnë pretendimet e paraqitura në publikimin që po e recensojmë, se “vetëm Rusia ishte faktor” për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.  

Po bëjmë një recensim të një postimi në rrjetin social Facebook, në të cilin shpërndahet një fotografi e Donald Trump-it dhe Vladimir Putin-it, e shoqëruar me mbishkrimin:

Për Ukrainën po negociojnë Trump dhe Putin. Kjo do të thotë se një nga faktorët është Putini, dhe jo BE-ja apo Ukraina. Ai është po i njëjti Putin që “sverxhanët” (VMRO-LSDM) e satanizuan me urdhër të BE-së, e cila as nuk është faktor në negociatat për Ukrainën. Diplomaci “kurtoni” – në dëm të vetvetes… Foto – Pritja e Putinit me të gjitha nderimet shtetërore. Ai është po i njëjti Putin që “sverxhanët” (VMRO-LSDM) e satanizuan me urdhër të BE-së, e cila as nuk është faktor në negociatat për Ukrainën. Le të rrinë e të përpëliten…

Fotografia është nga pritja para takimit midis Trump dhe Putin në Alaskë.

Ajo është publikuar më 16 gusht, në të njëjtën ditë kur u mbajt samiti midis dy presidentëve.
Kancelari gjerman Friedrich Merz, para takimit midis Putinit dhe Trumpit, ishte mikpritës i një konference përgatitore virtuale në Berlin. Të ftuar ishin disa krerë shtetesh dhe qeverish nga Evropa, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian dhe të NATO-s. Mysafirë nderi ishin presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski, i cili kishte udhëtuar për në Berlin.

Zelenski theksoi se këmbëngul për garanci sigurie për vendin e tij. Nuk është e vërtetë ajo që thuhet në postim se BE-ja dhe vetë Zelenski, i cili është president legjitim dhe i zgjedhur i Ukrainës, “nuk kanë qenë faktorë në negociatat për paqe”. Nxjerrja selektive në pah e takimit që Putin dhe Trump kishin në Alaskë, dhe faktorizimi vetëm i atij takimi, ndërsa injorohen konsultimet që presidenti i SHBA-së pati me liderët evropianë dhe vetë Zelenskin, paraqet shtrembërim të realitetit. Vetë kancelari Merz, para takimit midis Putin dhe Trump, deklaroi se “në Alaskë duhet të respektohen interesat themelore të sigurisë së Evropës dhe Ukrainës”, duke shtuar se “ka shpresë për lëvizje drejt paqes në Ukrainë”.

Nuk është e vërtetë që Ukraina dhe BE-ja nuk janë faktorë në arritjen e një marrëveshjeje të mundshme paqeje për Ukrainën. Fakti që Ukraina është shteti i sulmuar, shteti ndaj të cilit Rusia në vitin 2022 kreu një agresion ushtarak të paprovokuar, si dhe fakti që Ukraina nuk është e mposhtur, por tashmë për më shumë se tre vjet e gjysmë ushtron të drejtën e saj për vetëmbrojtje, dhe që ukrainasit nuk heqin dorë nga detyra patriotike për të mbrojtur territorin e shtetit të tyre – i kundërshtojnë pretendimet në postimin që po recensojmë, se “vetëm Rusia ka qenë faktor” për arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Kjo është edhe e palogjikshme, sepse Rusia nuk mund të arrijë marrëveshje paqeje vetë me veten – ajo duhet të negociojë me Ukrainën, e cila pa dyshim mbështetet në të drejtën e saj për vetëmbrojtje nga miqtë e saj evropianë.

Për më tepër, më 18 gusht 2025, Zelenski pati një takim të përbashkët në Uashington me liderët e SHBA-së dhe vendeve të tjera evropiane, BE-së dhe NATO-s, ku u diskutua për arkitekturën e sigurisë së Ukrainës dhe Evropës. Takimi u mbajt në Shtëpinë e Bardhë. Në atë takim, Evropa u bë përfundimisht pjesë e bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Udhëheqësit e disa vendeve aleate të NATO-s arritën në Shtëpinë e Bardhë rreth mesditës.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti finlandez Alexander Stubbs dhe kryeministri italian Giorgia Meloni, së bashku me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, janë vetëm disa nga të pranishmit në atë takim.

Nuk është e vërtetë që Putini u demonizua me urdhër të BE-së. BE-ja, në mbështetje të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës së Ukrainës për vetëmbrojtje, vendosi sanksione të ndryshme, sekuestroi asete dhe ngriu llogaritë e oligarkëve rusë, ngriti alarme dhe dërgoi mesazhe diplomatike që Rusia të tërhiqej nga territori ukrainas. Nuk pati demonizim të Putinit, por kishte një tregues se nën udhëheqjen e tij Rusia kreu një pushtim ushtarak të paprovokuar të shtetit sovran të Ukrainës, i cili shkaktoi “trazira tektonike” në një nivel gjeopolitik, shkaktoi shkatërrime në Ukrainë, humbje jetësh njerëzore, shkatërrim të infrastrukturës ukrainase, etj.

Pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë midis udhëheqësve evropianë dhe Donald Trump, Trump tha se e kishte telefonuar Putinin për të rregulluar bisedime dypalëshe midis udhëheqësit rus dhe Zelenski.

Kjo do të pasohet nga një takim trepalësh me Trump, tha presidenti i SHBA-së.

Udhëheqësit e BE-së i kanë bërë thirrje vazhdimisht Rusisë në të kaluarën që të ndërpresë veprimet e saj ushtarake, të tërheqë pa kushte të gjitha forcat dhe pajisjet ushtarake nga Ukraina dhe të respektojë plotësisht integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

NATO nuk është në luftë me Rusinë dhe nuk është palë në luftën që Rusia po zhvillon në Ukrainë. NATO e mbështet Ukrainën në të drejtën e saj për vetëmbrojtje, ashtu siç është përcaktuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Ne nuk kërkojmë konfrontim me Rusinë. Si përgjigje ndaj veprimeve agresive të Rusisë, ne vazhdojmë ta forcojmë mbrojtjen tonë për të siguruar që nuk ka vend për keqkuptime – që NATO është e gatshme të mbrojë dhe të mbështesë çdo aleat të saj. NATO është një aleancë mbrojtëse. Qëllimi ynë kryesor është të mbrojmë kombet tona – shkruhet në faqen zyrtare të NATO-s, ku hidhen poshtë dezinformatat pro-ruse. 

Lufta në Ukrainë solli shumë viktima njerëzore dhe pasoja ekonomike për gjithë botën, dhe ndalimi i saj është opsioni më i mirë, por kushtet për këtë ndërprerje të luftës duhet ende të diskutohen, saktësohen dhe të jenë të pranueshme për palën ukrainase.

Për shkak të të gjitha këtyre fakteve të përmendura, postimi që po recensojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.