Nuk ka prova që Zelenski transferon 50 milionë dollarë çdo muaj në llogarinë e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe

Published on:

Foto: President Of Ukraine from Україна, CC0, via Wikimedia Commons

Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.

Në postimin që po analizojmë, nuk ofrohen asnjë provë për pretendimin se Zelenski transferon çdo muaj 50 milionë dollarë në një llogari të tij në Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto pretendime, ashtu si ato të mëparshme që lidhen me pasurimin e dyshuar të presidentit ukrainas, janë të pasakta dhe kanë për qëllim diskreditimin e Zelenskit.

 

Analizojmë një postim në rrjetin social Facebook që thotë:

“Zelenski” çdo muaj transferon 50 milionë dollarë (një pjesë e donacioneve për Ukrainën) në llogarinë e tij personale në “Emiratet e Bashkuara Arabe”. / Mos ia thoni askujt, ky është sekret i yni.

Postimi nuk jep asnjë burim për këtë pohim, as dëshmi apo fakte që ta mbështesin atë.

Vërtetmatësi kontrolloi prej nga ka origjinën ky informacion dhe gjeti se e para e ka publikuar gazeta turke Aydınlık, ndërsa e ka ripërhapur agjencia ruse e lajmeve TASS.

Në fillim të analizës tonë vlen të përmendet se Aydınlık është një gazetë turke që lidhet me Partinë e Patriotëve (Vatan Partisi ose më parë Workers’ Party of Turkey). Në vitin 2023, një raport i Nordic Monitor zbuloi se një grup ekstrem nacionalist i lidhur me Aydınlık kishte krijuar një kompani që kryente operacione dezinformuese në bashkëpunim me një operator rus i sanksionuar nga vendet perëndimore. Qëllimi ishte përhapja e lajmeve të rreme dhe ndikimi në zgjedhje dhe opinion publik, sidomos kundër Perëndimit.

Sipas TASS, duke iu referuar informacionit të Aydınlık, çdo muaj anëtarë të rrethit të brendshëm të presidentit ukrainas Vladimir Zelenski transferonin rreth 50 milionë dollarë, të fituara nga skema korruptive, në llogaritë e dy kompanive në Emiratet e Bashkuara Arabe, të lidhura me ish-këshilltarin e presidentit për Fondin e Pronës Shtetërore të Ukrainës, Andrej Gmirin. 

Gazeta shkroi se publikon llogari aktive ku transferohen paratë. Në të njëjtën kohë, nuk publikoi asnjë dokument që do të dëshmonte këto transferta, vëren TASS. 

Sipas gazetës turke, midis viteve 2021 dhe 2023, familja Gmirin ka blerë pasuri të paluajtshme në Dubai me vlerë mbi 14 milionë dollarë. Në maj 2021 u themeluan kompanitë “Gmirin Family Holding” dhe “GFM Investment Group”, ku sipas gazetës transferohen paratë.

Nuk është hera e parë që në kuadër të fushatës ruse të dezinformimit përhapen gënjeshtra lidhur me pasurinë e Zelenskit dhe ndihmën që Ukraina merr nga partnerët e saj.

Pa asnjë argument pretendohet se Zelenski keqpërdor ndihmën financiare nga aleatët për pasurim personal. Gjithashtu u përhap një dezinformim për një billboard të trilluar (vendosur në Milano) për të cilin në mënyrë të rreme pretendohen se përdoret për donacione për pasurimin e tij personal.

Në rrjetet sociale u përhapën edhe postime që thonë se Volodimidrslskor Zelenski fiton 11 milionë dollarë në muaj, ka miliarda dollarë pasuri, përfshirë një shtëpi prej 35 milionë dollarësh në Florida, dhe shumë karakteristika të tjera të stilit të jetesës së shtrenjtë. Kjo nuk është e vërtetuar. Siç raportoi shërbimi i verifikimit të fakteve i AFP-së, regjistrat publikë tregojnë se presidenti i Ukrainës nuk zotëron pronë në emrin e tij në SHBA, deklaratat financiare dhe hetimet e pavarura tregojnë se ai është larg nga të qenurit miliarder, dhe asnjë nga pretendimet online nuk përmban prova për një pasuri kaq të madhe.

Deri në përfundime të ngjashme kanë arritur edhe verifikuesit e fakteve të USA Today.

Qysh nga fillimi i luftës në Ukrainë (shkurti 2022), janë publikuar, ripublikuar dhe shpërndarë video të ndryshme në platforma të ndryshme, dhe qëllimi kryesor i këtyre lloj postimeve është të dëmtojë integritetin e Zelenskit, si dhe mbështetjen për Ukrainën. Pikërisht me këtë qëllim janë përhapur postime në Facebook ku në mënyrë të rreme pretendohen se zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, ka blerë bizhuteri luksoze, ka blerë një makinë Bugatti me vlerë 4.5 milionë euro, se armë të dedikuara për Ukrainën janë shitur në Lindjen e Mesme… Ndërsa sipas disa “lajmeve” që qarkullojnë në internet, të frymëzuara nga informacione të ndara nga politikanë opozitarë pro-rusë ukrainas, si Viktor Medvedchuk, Zelenski ka blerë një apartament në Dubai me vlerë disa milionë dollarë.

Dyshimet se Zelenski dhe shoqëruesit e tij po pasurohen në mënyrë të paligjshme – të cilat Kremlini i ka nxitur që kur filloi invazioni (si të mos kishte korrupsion në Ukrainë më parë) – shpesh përdoren për të diskredituar vetë Zelenskin, por edhe Ukrainën në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Qëllimi është të krijohet përçarje midis Perëndimit dhe Ukrainës dhe të ndërpritet, ose të paktën të ulet ndihma ushtarake dhe çdo ndihmë tjetër, nga e cila Ukraina varët thellësisht për mbrojtjen e saj. Problemi është se Rusia vazhdimisht është vlerësuar si më e korruptuar se Ukraina sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International.

Në postimin që po analizojmë nuk janë dhënë asnjë dëshmi për pretendimin se Zelenski transferon çdo muaj 50 milionë dollarë në një llogari të tij personale në Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto pretendime, ashtu si ato të mëparshme lidhur me pasurimin e supozuar të presidentit ukrainas, janë të pasakta dhe kanë për qëllim diskreditimin e Zelenskit.

Për këtë arsye, postimin që po analizojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.