Foto: Kolazh Canva
Ky artikull u botua për herë të parë nga Vërtetmatës-i (Maqedonia e Veriut), në kuadër të projektit “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë mbikëqyrëse”.
E gjithë çështja në lidhje me gazetarinë hulumtuese filloi kur një burim konfidencial iu afrua radios kombëtare daneze “DR” dhe i dorëzoi 49 mijë emaile dhe më shumë se 22 mijë dokumente që i përkasin “Pravfond”-it. Më pas, këto materiale iu shpërndanë 28 mediave në shtete të ndryshme përmes Projektit për Raportim mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP), pas së cilës u krijua një pasqyrë e ndikimit të “Pravfond”-it në secilin shtet. Ekspertët vlerësojnë se kjo është vetëm maja e ajsbergut e një fushate të mirëorganizuar ndikimi, një strategji e qëllimshme ruse për të ndikuar në formimin e opinionit politik në vendet evropiane, nën maskën se bëhet fjalë për “diçka tjetër”.
Shkruan: Miroslava Simonovska
Organizata qeveritare ruse “Pravfond” është këto ditë në qendër të një hetimi të madh ndërkufitar gazetaresk, në të cilin dhjetëra media kanë marrë qasje në emaile dhe dokumente të brendshme “të rrjedhura” që vijnë nga kjo organizatë. Mesazhet zbulojnë se “Pravfond” (Fondi për mbështetje dhe mbrojtje të të drejtave të bashkëkombësve që jetojnë jashtë vendit) ka financuar mjete për ndikim rus në Evropë, duke përfshirë edhe rajonin e Ballkanit, në vendin fqinj Bullgari, nën petkun e “kujdesit për bashkëkombësit rusë”. E gjithë çështja në lidhje me gazetarinë hulumtuese filloi kur një burim konfidencial iu afrua radios kombëtare daneze “DR” dhe i dorëzoi 49 mijë emaile komunikimi dhe më shumë se 22 mijë dokumente që i përkasin “Pravfond”. Më pas, këto materiale iu shpërndanë 28 mediave në shtete të ndryshme përmes Projektit për Raportim mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP), pas së cilës u krijua një pasqyrë e ndikimit të “Pravfond” në secilin shtet.
“Pravfond” merr pjesën më të madhe të financimit të tij direkt nga buxheti shtetëror rus. Misioni i tij zyrtar është të punojë për promovimin kulturor dhe të ofrojë ndihmë ligjore për bashkëkombësit rusë jashtë vendit, por shërbimet perëndimore të inteligjencës prej kohësh dyshojnë se fondi në fakt përdoret për operacione ndikimi dhe fshehje të aktiviteteve inteligjente.
Marrëveshje për konferenca dhe seminare për kultivimin e ideologjisë ruse në Bullgari dhe Greqi
Përmes korrespondencës së brendshme që së fundmi ka rënë në duart e gazetarëve, në sipërfaqe “doli” një numër i madh marrëveshjesh të lidhura me organizata dhe media të financuara pikërisht nga kjo “adresë”. Kështu, në Greqi “Pravfond” ka financuar klubin “Dialogos” (një shoqatë greko-ruse me qëllim krijimin e një imazhi pozitiv për Rusinë në Greqi). Pikërisht “Dialogos” ka mbajtur shumë konferenca me paratë e “Pravfond”, përfshirë edhe një seminar në vitin 2020 për “objektivitetin në gazetari në kontekstin e luftës hibride informative”. Drejtuesi i “Dialogos” në mesazhet e brendshme ka përmendur “luftën informative dhe hibride kundër Rusisë” dhe “lajme të ndyra e të rreme në mediat kryesore”.
Sipas raportimeve të gazetarëve të “Bird”-Bullgari, agjencitë e inteligjencës identifikojnë “Pravfond” si një mjet të Kremlinit për të realizuar propagandë, dezinformim dhe operacione të tjera ndikimi në gjithë Evropën. Në Bullgari, financimi nga kjo agjenci shtetërore ruse ishte kryesisht për media dhe organizim ngjarjesh që promovonin politikat dhe ideologjinë e Kremlinit. Edhe pse “Pravfond” pretendon se aktiviteti i tij kryesor është të ofrojë ndihmë ligjore dhe avokatë për “bashkëkombësit e përndjekur” – rusët që jetojnë jashtë vendit, rasti bullgar tregoi se grantet e dhëna për avokatët rusë në këtë shtet ishin shumë më të vogla në krahasim me ato që jepeshin për promovimin e ideologjisë së Kremlinit.
Palët kontraktuese bullgare të “Pravfond-it” kanë marrë mbi 486,000 dollarë gjatë periudhës 2014-2024. Financimi kryesisht i dedikohet mediave dhe organizimit të ngjarjeve që promovojnë politikat dhe ideologjinë e Kremlinit. Grantet për avokatët që ofrojnë ndihmë ligjore për shtetasit rusë janë shumë më modeste, edhe pse kjo duhet të jetë në fakt aktiviteti kryesor i “Pravfond”, shkruan media hulumtuese “Bird” nga Bullgaria.
Përdoruesit e granteve nga “Pravfond” janë paguar përmes transferimeve bankare në euro ose dollarë. “Bird” zbulon edhe emrat e personave juridikë nënshkrues të kontratave me të cilët marrin grantet.
Ndihmë ligjore për të akuzuarit jashtë vendit
Hetimi i madh ndërkombëtar, i bazuar në dokumente të brendshme të rrjedhura dhe komunikime me email, i kanë dhënë gazetarëve informacion se kjo organizatë ruse në disa vende ka financuar mbrojtjen ligjore të të dyshuarve si spiunë, kriminelë dhe propagandues.
Në mesin e përfituesve të granteve është një shofer taksiee i dënuar për spiunazh, një burrë i dënuar në Çeki për drejtimin e një grupi të armatosur gjatë aneksimit rus të Krimesë, si dhe një aktivist australian që sulmoi një mbështetës të moshuar ukrainas, shkruan OCCRP, duke shtuar se dokumentet e rrjedhura tregojnë gjithashtu se “Pravfond” ka lidhje me shërbimin rus të inteligjencës dhe ka ndihmuar në financimin e mbrojtjes ligjore të tregtarit të armëve Viktor But.
Hetimi ka treguar se organizata përqendrohet veçanërisht në vendet baltike: Letoni, Estoni dhe Lituani.
Pravfond financion propagandën dhe operacionet e ndikimit. Ka paguar për prodhimin e një libri shkollor për historinë e Lituanisë që justifikon pushtimin sovjetik të vendit, ka financuar kanale pro-ruse në “Telegram” dhe ka paguar për një faqe mediatike në internet të fokusuar në Balltik që ka publikuar qindra artikuj pro-rusë. Para së gjithash, puna e tyre thekson qëndrimin e qeverisë ruse se rusët kudo në botë mund të bëhen mjete të fuqisë dhe ndikimit, zbulon OCCRP.
Përfaqësues të disa agjencive evropiane të inteligjencës për OCCRP kanë deklaruar se besojnë se “Pravfond” vepron jashtë misionit të deklaruar, duke shërbyer si një instrument i shërbimeve ruse të inteligjencës.
Fondacioni është krijuar për të financuar operacione ndikimi nën petkun e luftës kundër diskriminimit. Ai është një vazhdim i shërbimeve ruse të inteligjencës, që mundëson kontrollin dhe drejtimin e diasporës rusisht-folëse, tha Marta Tuul, zëdhënëse e shërbimit të sigurisë së Estonisë.
Hetimi ndërkufitar zbulon se në Letoni, organizata ka mbështetur shoferin e taksisë Sergejs Sidorovs — një person i rekrutuar përmes një kanali në “Telegram” për të spiunuar për Rusinë. Kur ai u arrestua nga shërbimet e sigurisë së vendit në vitin 2023, u akuzua për fotografimin e instalacioneve ushtarake dhe shtëpive me flamur ukrainas, si dhe për komplot për bombardimin e një vend testimi për dronë pranë Rigas. “Pravfond” i dha atij 5,000 euro për mbrojtjen ligjore. Ai u dënua për spiunazh dhe mori një dënim 7-vjeçar me burg, ndaj të cilit tani po apelon.
Financimi i kanaleve Telegram me mesazhe në favor të Rusisë
Në qershor 2024, mediat daneze, duke u thirrur në burime të inteligjencës, raportuan se 30 dokumente të brendshme nga “Pravfond” në Moskë tregojnë se organizata ka paguar për një numër të madh mediash që përhapin përmbajtje në gjuhën daneze dhe gjuhë të tjera evropiane, të cilat ekspertët i përshkruajnë si “propagandë ruse”.
Në këtë kontekst, u përmend media online “Euromor”, e cila në vitin 2023 ishte financuar nga “Pravfond”. Raportet e brendshme nga “Euromor”, të cilat i morën gazetarët danezë, treguan se “Euromor” ekziston si një alternativë pas mbylljes së platformave ndërkombëtare në gjuhën ruse dhe ndihmon aktivisht “RT-në” dhe “Sputnik-un” në përhapjen e narrativave kryesore në faqen e tyre të internetit.
Sipas informacionit nga dokumentet e brendshme, media është krijuar për të përhapur mesazhe pro ruse pasi BE-ja bllokoi transmetimin e mediave kryesore shtetërore ruse si RT dhe Sputnik në Evropë. Kjo ndodhi një muaj pas pushtimit rus të Ukrainës në mars 2022 me qëllim kufizimin e rrjedhës së propagandës dhe dezinformimit rus. Pak më vonë, u lansua EuroMore, shkruajnë ata më 2 qershor 2024.
Dokumentet sekrete tregojnë gjithashtu se në Danimarkë, kanali i lajmeve “Well informed” në Telegram, i dedikuar për publikun danez, ka marrë 200,000 kruna nga “Pravfond”. Ky kanal paraqitet si një media daneze që i ofron lexuesve “të gjithë të vërtetën”. Pronarja e tij, Zenija Grinberg, mbajti në vitin 2023 një konferencë me temë “Rilindja e fashizmit në Evropë”. Kur aplikoi për fonde nga “Pravfond”, në aplikim ajo deklaroi se qëllimi i kanalit është të “informojë shoqërinë civile në Danimark për pasojat e politikës rusofobe të qeverisë daneze”.
Në “Well informed”, kjo rezulton në publikime ku lufta në Ukrainë përshkruhet si “mbrojtje e Rusisë kundër nazizmit”, ndërsa Danimarka përshkruhet si “përkrahësi më i madh i NATO-s”. Ky kanal publikonte deri në 40 përmbajtje në ditë, dhe kanali kishte 1,500 ndjekës.
Ekspertët vlerësojnë se kjo është maja e ajsbergut e një fushate të mirëorganizuar ndikimi, një strategji ruse e drejtuar për të ndikuar në formimin e opinionit politik në vendet evropiane, nën maskën se bëhet fjalë për diçka tjetër.