Një alarm për bombë që rezultoi i rremë, ka shkaktuar panik në Kuvendin e Kosovës, në një moment të ndjeshëm politik kur vendi po përballet me ngërç institucional për shkak të mosformimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Incidenti ndodhi të shtunën, në vazhdimin e 42-të të seancës konstituive të Kuvendit, e cila dështoi sikurse ato parapraket. Rreth orës 13:00, organet e sigurisë pranuan një informacion për një mjet shpërthyes të vendosur në objektin e Kuvendit.
Policia e Kosovës njoftoi se në orët e paradites të datës 5 korrik është pranuar një informatë me SMS për një kërcënim me mjet shpërthyes në Kuvendin e Kosovës, gjatë kohës sa ishte planifikuar të mbahej seanca. Pas njoftimit të PK-së, deputetët janë evakuuar nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës. Pas verifikimeve disaorëshe nga njësitet përkatëse të PK-së, nuk është gjetur asnjë mjet shpërthyes apo ndonjë objekt i dyshimtë.
Sipas PK-së, bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se kërcënimet kanë ardhur përmes një numri të telefonit, i cili dyshohet se është nga Serbia.
“Policia, në bashkëpunim me prokurorinë kompetente, do të vazhdojë hetimet e mëtejme, duke marrë të gjitha masat hetimore, përfshirë edhe komunikimet me partnerë ndërkombëtarë të sigurisë, për të lokalizuar mjetet, rrjetet e komunikimit që janë përdoruar në këtë kërcënim”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Në detajet e tjera që theksoi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, lidhur me kërcënuesin, tha se zëri në telefonatë ka qenë zë mashkulli në gjuhën angleze, me aksent nga shtetet jomike.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, përmendi edhe emrin dhe lidhjet e autorit që dyshohet se kërcënoi me bombë.
“Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS. Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić. Institucionet e Kosovës janë duke e trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Sveçla.
Incidenti ndodhi në kohën kur Kuvendi i Kosovës po përpiqet prej javësh të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe të hapë rrugë për formimin e qeverisë së re. Seanca që ishte paraparë të mbahej në orët e paradites u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës, por deputetët dështuan ta konstituojnë Kuvendin për herën e 42-të.
Sipas paralajmërimeve, këto rrethana mund të shfrytëzohen nga akterë keqdashës për të destabilizuar situatën në vend. Ky nuk është rasti i parë kur tentativat për destabilizim përkojnë me zhvillimet e brendshme politike. Viteve të fundit, Serbia dhe media të lidhura me të kanë përhapur propagandë për të rritur tensionet në Kosovë. Rasti i fundit shton dyshimet për një qasje të koordinuar, që synon të sabotojë rrugën demokratike dhe eeropiane të Kosovës. Fushatat e dezinformimit dhe alarmet për bomba ka të ngjarë të targetojnë audiencën vendase, por edhe bashkësinë ndërkombëtare, duke synuar të minojnë besimin në institucione dhe të dobësojnë orientimin euroatlantik të Kosovës.
Gjatë tre vjetëve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim krijimin e panikut mes popullatës.
Pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën, alarmet e tilla ishin të zakonshme edhe në vendet e tjera të rajonit. Edhe pse ende nuk dihet nëse kërcënuesit me bomba të rrejshme kanë lidhje me shtetet prej ku u dërguan mesazhet, mënyra dhe institucionet ku u dërguan kërcënimet ishin të ngjashme në të gjitha shtetet ku u targetuan institucionet, shkollat dhe aeroportet.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”



